Lajmet

Berisha synon digjitalizim të shërbimeve administrative

Dec 10 2010
0 Shpërndarje
Berisha synon digjitalizim të shërbimeve administrative

“Kemi hedhur bazat e ONE Stop Shop për të gjitha shërbimet që kanë nevojë qytetarët shqiptarë, për të gjitha dokumentet. Ne po punojmë për data bazë kombëtare dhe këto do të jenë sportelet në Ungrej, në Frashër, në Dukagjin apo kudo që të ndodhen nuk do të bëjnë më dhjetëra apo ndonjëherë dhe qindra kilometra rrugë për të marrë një shkresë me një vulë”, u shperr sot kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Ai tha se çdo dokument do të tërhiqet në kompjuterin e postës së vet, duke fituar jo vetëm kohë, por edhe duke shmangur korrupsionin. Deklarata e kryeministrit u bë në inaugurimin e projektit “Internet falas, në çdo skaj të Shqipërisë”, projekt i cili do të ofrojë për qytetarët në mbarë Shqipërinë nëpërmjet internetit, shërbime të reja në zyrat e Postës Shqiptare, duke lehtësuar ndjeshëm komunikimin mes njerëzve.

Berisha u shpreh se inaugurimi i projektit të internetit në çdo zyrë poste, në të katër anët e Shqipërisë, është një ngjarje e madhe në historinë e përpjekjes së qeverisë për ‘Shqipërinë Dixhitale”.

Duke theksuar se interesi më madhor është shërbime më të mira dhe më të lira për qytetarët shqiptarë, Berisha  garantoi se qeveria do të mbështesë çdo përpjekje për të ecur në këtë moto.

“Komunikimi është bërë sot një nevojë absolutisht nga më jetiket për njeriun modern. Është shndërruar në një prej nevojave më kryesore të qenies njerëzore. Pikërisht për këtë arsye qeveria në vitin 2005 shpalli “Shqipërinë dixhitale”, si njërin prej objektivave më madhore të saj dhe e shpalli në një kohë kur realisht ky motiv tingëllonte qesharak. Tingëllonte i tillë, për burokratët sepse në vitin 2005 shkalla e penetrimit të internetit në këtë vend ishte gjithsej 4.8 %. Por nuk ishte kjo një pengesë për të shpallur me guxim një alternativë, e cila do të bëhej transformuese në këtë vend” u shpreh Kryeministri Berisha, i cili shtoi se pas 5 viteve, shkalla e penetrimit të internetit në shoqërinë shqiptare ka arritur në rreth 50%. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>