Lajmet

Bing bie në vendin e pestë si motor kërkimi, tejkalohet nga Yandex

Feb 8 2013
0 Shpërndarje
Bing bie në vendin e pestë si motor kërkimi, tejkalohet nga Yandex

Yandex është me siguri motori më i madh i kërkimit për të cilin pak njerëz kanë dëgjuar.

Sipas Search Engine Watch, motori rus i kërkimit ka tejkaluar Bingun e Microsoft, në renditjen e motoreve të përdorur për kërkim.

Në vendin e parë është Google me 114.7 miliardë kërkime dhe 65.2 për qind të tregut. Baidu i Kinës është në vendin e dytë me 14.5 miliardë kërkime dhe 8.2 për qind të tregut.

Në vendin e tretë ishte Yahoo me 8.6 miliardë kërkime dhe 4.9 për qind të tregut. Dhe në vendin e katërt ishte Yandex me 4.8 miliardë kërkime dhe 2.8 për qind të tregut.

Pamvarësisht se Yandex tani po radhitet më lart se Bing, motori i Microsoft nuk është mbrapa – ai kishte 4.4 miliardë kërkime dhe 2.5 për qind të tregut. Të dhënat e ComScore mbulojnë numrin e kërkimeve në mbarë botën që u kryen gjatë nëntorit dhe dhjetorit 2012.

Njëra nga arsyet që Yandex po përparon kaq shumë në botën e kërkimit është fakti që ka një audiencë te gjerë që flasin rusisht. Shteti ka rreth 142 milionë banorë. Sipas Yandex, ky motor kërkimi zuri 60.7 për qind të trafikut të kërkimit në Rusi gjatë muajit tetor 2012. Përveç Rusisë, ai operon në Ukrainë, Kazakistan, Bjellorusi dhe Turqi.

Ndërsa bota që flet anglisht ka më tepër banorë, ajo po ashtu ka edhe më shumë alternativa për të zgjedhur. Sipas GigaOM, Microsoft kishte 268.6 milionë “kërkues” unikë në dhjetor, ndërsa Yandex vetëm 74.4 milionë.

Kjo tregon që gjuha është një faktor i rëndësishëm për ngritjen e Yandex në radhitjen e kërkimit botëror – dhe që përdoruesit rusë kërkojnë shumë në internet. (PC World Albanian)

Search engines Bing

Tags >

Bing
Lajmet e fundit>