Biznes

Binjakëzohen Posta e Durrësit me Postën e Prizrenit

Dec 7 2009
0 Shpërndarje
Binjakëzohen Posta e Durrësit me Postën e Prizrenit

Binjakëzimi i këtyre filialeve postare parashihet se do të ndikojë në zhvillimin e tregut të shërbimeve të reja postare me interes për qytetarët e dy shteteve.

“Me këtë binjakëzim po krijohet një klimë e ngrohtë mes postave tona, po ndodh një afrim natyral i njerëzve dhe po krijohet një komunitet i vendeve dhe postave që aspirojnë për të qenë anëtarë të komunitetit evropian”, theksoi drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, z.Arqile Gorea me rastin e nënshkrimit të këtij Akti të Binjakëzimit.

Nga ana e tij, drejtori i Postës së Kosovës bëri të ditur se binjakëzimi i Filialit të Postave të Durrësit me ato të Prizrenit do të shërbejë si mundësi e thellimit të bashkëpunimit mes dy operatorëve të shërbimeve postare në rajon.

Dhurata_per_PTK_221860958.jpg

“Ne tash e tutje do të jemi pjesë e projekteve të përbashkëta duke përfituar nga përvoja e postave shqiptare me ç’rast do të mund të marrim mësime në implementimin e plotë të standardeve evropiane të shërbimeve postare”, deklaroi Rafet Jashari duke falënderuar njëkohësisht Postën Shqiptare, e cila i ka dhuruar 50 biçikleta Postës së Prizrenit.

Në të njëjtën ditë drejtuesit e Postave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë me në krye drejtorin Përgjithshëm z.Ejup Rrustemi, kanë diskutuar për fusha të ndryshme me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit profesional, zhvillimit të numrit të shërbimeve postare dhe formimit të tregut të përbashkët postar në regjion. Shumë shpejt tri Postat rajonale do t’i unifikojnë politikat e marketingut tregtar me synimin e vetëm që të ofrojnë shërbime të unifikuara dhe me tarifa preferenciale të bashkëpunimit ndër rajonal dhe kufitar.

Postat e tri vendeve ranë dakord që të emetojnë një pullë të përbashkët  në vitin e ardhshëm me rastin e 100 vjetorit të lindjes së “Nënë Terezës”.

Lajmet e fundit>