Biznes

Bitcoin nuk ndalet, ngjitet mbi 19,000 dollar

Dec 16 2017
0 Shpërndarje
Vlera e përgjithshme e tregut të monedhave virtuale arriti në 572 miliard dollarë. Bitcoin nuk ndalet, ngjitet mbi 19,000 dollar Photo Source: Albvision

Bitcoin theu një tjetër rekord ditën e Shtune ku u deshën vetëm 8 orë që të rritej nga 18,000 në mbi 19,000 dollarë.

Monedha dixhitale kriptografike shënoi pikën më të lartë prej 19,496 dollarësh sipas CoinMarketCap.com dhe dërguar vlerën e të gjithë bitcoin-ëve në qarkullim në 321 miliard dollarë.

Vlera e përgjithshme e tregut të monedhave virtuale arriti në 572 miliard dollarë.

Monedha e dytë më e madhe për nga vlera e tregut është Ethereum me një total prej 66,7 miliard dollarë monedha Ether në qarkullim.

Bitcoin Cash, kloni i cili u shkëput nga bitcoin në Gusht, vjen në vendin e tretë me një vlerë të përgjithshme tregu prej 30.3 miliard dollarë.

Rritja galopante gjatë Dhjetorit ka shtuar shqetësimet se monedha është një flluskë e cila mund të shpërthejë në çdo moment në një mënyrë spektakolare.

Zv/Kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ndërsa u drejtohej ca studentëve tha që të “mos lakmonin bitcoin-in” dhe e krahasoi atë me një piramidë.

Skeptike është edhe Banka Qendrore e Kosovës e cila thotë se asnjë institucion nuk ofron garanci për bitcoin.

Pavarësisht këtyre, monedha ka gjetur mbështetje edhe në Kosovë. Albvision ishte kompania e parë shqiptare që solli një ATM të monedhave virtuale.

“Që nga Qershori me mijëra qytetarë kanë investuar në bitcoin dhe së shpejti do të pranohet edhe nga shumë institucione në Kosovë,” shprehej përfaqësuesi i Albvision Ardian Alaj në një intervistë dhënë për Klan Kosova.

Kritikët janë të shqetësuar për efektin që monedha mund të ketë në sistemin tradicional monetar. Ata thonë se çmimi i bitcoin është i fryrë artificialisht nga investimet spekulative. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>