Blog

Bitcoin “pushton” tregun Kosovar, 800 mijë Euro investime në prodhimin e tyre

Jul 3 2017
0 Shpërndarje
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tha se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë, në Kosovë janë importuar pajisje në vlerë prej 800 mijë euro. Bitcoin “pushton” tregun Kosovar, 800 mijë Euro investime në prodhimin e tyre Photo Source: Reuters

Monedhat elektronike janë një nga temat më aktuale në botën e ICT në Kosovë. Është Bitcoini, ai që po zgjon interesin më të madh në vend.

Fakti që edhe në Kosovë, ashtu si në shumë vende, po investohet në pajisje që prodhojnë Bitcoin, flasin shifrat që posedojnë Doganat e Kosovës. Kurse, tek qytetarët flitet që kompani të mëdha që veprojnë në Kosovë kanë investuar në Bitcoin.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tha se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë, në Kosovë janë importuar pajisje në vlerë prej 800 mijë euro.

Sipas tij, janë kartelat grafike ato që kushtojnë më shumë dhe siç tha ai, deri më tani janë rreth 4, 300 kartela grafike të evidentuara përgjatë kësaj periudhe.

“Sipas statistikave tona, në vitin 2017 kemi pasur rreth 800 mijë euro import të pajisjeve, të cilat kanë shkuar për prodhimin apo montimin e këtyre pajisjeve që prodhojnë Bitcoin. Realisht nëse marrim si numër të saktë, kanë qenë rreth 4,300 copë kartela grafike të këtij lloji, pra kartela të avancuara. Jo domosdoshmërisht secila prej tyre është përdorë për to, por sidoqoftë dogana e ka një lloj manuali me të cilin e përcjell importin e këtyre pajisjeve që në çdo rast të kemi evidenca të sakta”, u shpreh Stavileci.

Më tej, ai tha se pajisjet që përdoren për prodhimin e monedhave dixhitale, e që njëherë importohen në Kosovë, Dogana i trajton sikurse të gjitha pjesët e tjera të kompjuterit.

“Dogana i trajton këto produkte si të gjitha pjesët e kompjuterit, përveç një kartele grafike, e cila është shumë më e avancuar dhe më e shtrenjtë se kartelat tjera dhe për këtë arsye ne gjatë gjithë kohës e përcjellim importin e këtyre pajisjeve. Kryesisht përdoret kartela grafike ‘sefa’ e cila është shumë e fortë dhe e kushtueshme, kryesisht importi i këtyre pajisjeve bëhet përmes aeroportit”, tha Stavileci.

Është Banka Qendrore e Kosovës, ajo e cila ka bërë të ditur se përdorimi i monedhave dixhitale përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare.

“Përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale njoftohen se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Edhe bankat komerciale, si Teb Bank dhe Raiffeisen Bank, kanë deklaruar se nuk operojnë me monedha të tilla dixhitale.

Ilirjana Tahiraj nga Raiffaisen Bank, u shpreh se nuk pranojnë transferta bankare me Bitcoin.

Megjithatë, trendi i rritjes së interesimit të qytetarëve për bitconin nuk ka të ndalur. Për këtë foli sipërmarrësi i teknologjisë, Dite Gashi, i cili tha se nga interesimi i madh për bitconin, është bërë e vështirë të gjenden kartelat grafike në tregun e Kosovës. Ndërsa u shpreh se ekziston një shkallë pasigurie sa i përket investimit në Bitcoin, meqenëse vlera e kësaj monedhe mund të ndryshojë nga momenti në moment.

Sa i përket legalizimit të monedhave dixhitale, ai u shpreh se është më mirë që ato të mbesin të pa rregulluara edhe për një kohë.

“Në Kosovë dhe Europë e kemi të derregulluar, që nënkupton që nuk e kap asnjë lloj legjislacioni. Unë personalisht mendoj që kjo është qasja më e mirë pasi ende nuk po dihet se çfarë do të ndodhë me të dhe qeveritë nuk mund të kuptojnë se ku është roli i tyre në ‘crypto trading’”, u shpreh ai, duke shtuar se qeveritë e kanë lënë të hapur mundësinë që të mund të shohin se çfarë mund të rregullojnë më shumë për të ardhmen.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe shumë qeveri të tjera të botës e pranojnë përdorimin e parave digjitale, megjithëse disa zyrtarë kanë bërë thirrje që të ketë më tepër mbikqyrje. Ndërsa në Estoni, blockchain teknologjia po përdoret në shëndetësi, në sisteme bankare e po ashtu edhe në qeveri.

Që prej fillimit të përdorimit në vitin 2009, vlera e monedhës Bitcoin ka ndryshuar nga disa dhjetëra dollarë, deri në mbi 1 mijë dollarë. /KosovaPress

Lajmet e fundit>