Lajmet

Bizneset “vuajnë” nga një ndjesi e gabuar e sigurisë së tyre

Nov 5 2013
0 Shpërndarje
Bizneset “vuajnë” nga një ndjesi e gabuar e sigurisë së tyre

Firma e sigurisë McAfee deklaron se bizneset e vogla dhe ato të mesme kanë një ndjesi të gabuar sigurie, bazuar në të dhënat që vijnë nga një studim i realizuar së fundmi në bashkëpunim me Office Depot.

Ata që morën pjesë në studim shfaqën një gradë të lartë vetëbesimi se të dhënat dhe pajisjet e tyre ishin të mbrojtura nga sulmuesit, pavarësisht se kërkimet e industrisë dhe provat tregojnë të kundërtën.

McAfee shprehet se në studim morën pjesë 1000 SME. Sondazhi u krye gjatë muajit shtator 2013. Sipas të dhënave, 66% e pronarëve të tyre ishin të bindur se të dhënat dhe pajisjet e tyre ishin të sigurta nga hakerët dhe 77% e tyre u shprehën se nuk ishin sulmuar kurrë.

Sipas të dhënave të vitit 2013 nga Verizon Business Data Breach Investigations Report (DBIR), 40% e incidenteve të vërejtura përfshinin biznese që kishin më pak se 100 punonjës dhe shumica prej tyre i përkisnin industrisë me pakicë.

Të pyetur për detaje, 80% e të anketuarve të Office Depot u përgjigjën se nuk përdornin ndonjë mënyrë mbrojtjeje të të dhënave të tyre. Vetëm gjysma prej tyre u shprehën se përdornin e-mailin dhe internetin për masa sigurie. Ndërkohë, pothuajse të gjithë (91%), u shprehën se nuk përdornin ndonjë mënyrë sigurie për pajisjet mobile. Lajmet më të frikshme vijnë nga 14% e SME-ve të cilat shprehen se nuk kanë implementuar asnjë masë sigurie të çfarëdo lloji në mjediset e tyre.

“Një biznes që nuk ka masa sigurie i vendos në rrezik të dhënat dhe besimin e klientëve. Duke qenë se kompanitë e mëdha dhe korporatat i kanë shtrënguar masat e sigurisë, hakerët kanë filluar t’u drejtohen SME-ve, si entitete më të lehta për t’u aksesuar,” shprehet Bill Rielly, zëvendës president senior i SME-ve tek McAfee. (PCWorld Albanian)

cybersecurity

Lajmet e fundit>