Intervista

Blerta Thaqi: Intervistë me Femrën në ICT në edicionin e pestë të Albanian ICT Awards

Jun 1 2017
0 Shpërndarje
Ajo ka studiuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në Universitetin e Prishtinës në departamentin e Kompjuterikes. Blerta Thaqi: Intervistë me Femrën në ICT në edicionin e pestë të Albanian ICT Awards Photo Source: ICT Awards

Blerta Thaçi është themeluese e Girls Coding Kosova, një organizatë jo qeveritare e krijuar për të bashkuar dhe krijuar rrjetin e femrave të pasionuara në teknologji. Aktualisht punon në Open Data Kosovo si zhvilluese softueri dhe udhëheqëse e programeve të organizatës.

Ajo ka studiuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në Universitetin e Prishtinës në departamentin e Kompjuterikes. Ajo është shumë entuziaste dhe aktive në komunitetin e teknologjisë në Kosovë, si anëtare e FLOSSK Kosova dhe Prishtina Hackerspace.

Rrjeti i saj përfshin mbi 1000 femra aktive nga të gjitha komunat e Kosovës, të moshave pesëmbëdhjete deri në njëzet e pesë vjeç. Në këtë periudhë të shkurtër kohe, Girls Coding Kosova ka arritur të organizojë dhe zbatojë dyzet e tetë aktivitete të ndryshme, të tilla si meetups, seminare, kampe kodimi, trajnime, dhe prezantime që kanë angazhuar një total prej 3,751 pjesëmarrësish.

PCWA: Themeluese e Girls Coding Kosova, ku bashkohen femra dhe teknologjia tek Blerta?

Blerta Thaqi: Duke e marrë parasysh rëndësinë e teknologjisë dhe situatën aktuale në Kosovë, ku ka një mungesë të dukshme të vajzave aktive në industrinë e teknologjisë, sidomos në programim, me punën në nismën Girls Coding Kosova ne jemi të fokusuar që t’i ndihmojmë vajzat profesionale të teknologjisë si dhe t’i shërbejm vajzave të tjera të reja në çdo nivel të karrierës së tyre profesionale përmes: 1) Zhvillimit të aftësive të tyre digjitale si dhe 2) duke i orientuar në hapat e duhur të kërkesave të tregut të punës të aftësive nga trendet e fundit teknologjike, të cilat ndikojnë në zhvillimin e karrierës më afatëgjate.

PCWA: Si e shikon Blerta pjesëmarrjen në Albanian ICT Awards?

Blerta Thaqi: Mundësia e mirënjohjes të punës në sektorin e teknologjisë dhe në përgjithësi të punës për impakt në shoqëri në Albanian ICT Awards është njëri ndër motivet kryesore për të prezantuar iden e Girls Coding Kosova ne këtë edicion.

E konsiderojë që ICT Awards është ngjarja e vetme në trevat shqiptare që na e mundëson të kemi një pasqyrë vjetore nga të arriturat dhe përparimet që ne po punojmë t’i arrijm në industrinë e teknologjisë.

Një takim mjaft i vecantë i komunitetit të teknologjisë që të mundësojë lidhje edhe më të ngushta dhe të shërbejë si motivim për të gjithë ata që këtë punë e kanë pjesë të pandashme të jetës së tyre.

PCWA: Aktualisht cilat janë disa prej angazhimeve të Blertës?

Blerta Thaqi: Aktualisht jam e angazhuar si zhvilluese softueri dhe udhëheqëse e programeve të organizatës, ku per momentin jam duke punuar ne dy projekte Techstitution(www.techstitution.org) dhe Tech4Policy(www.tech4policy.com), te cilat per nga natyra e punes jane shume te ngjajshme. Qellimi kryesor eshte te bashkepunojm me institucione dhe te ndertojme zgjidhje digjitale qe ju lehtesojn institucioneve punen me qytetare. Ne pergjithesi qellimet kryesore te natyres se ketyre projekteve jane qe te rinjet te cilet jane pjese e aktiviteteve shtese te implementimit te projektit te perfshihen ne procese demokratike, te mesojn aftesi praktike ne zhvillim softuerik dhe te kontribojn per te miren publike, duke punuar ne zhvillimin e platformave digjitale per institucionet vendore. Deri me tani ne kuader te projektit Techstitution kemi bashkepunuar me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe ne vazhdim jemi duke fillu punen me Agjencionin e Aviacionit Civil ne Kosove. Ndersa me projektin Tech4Policy jemi ne prag te nenshkrimit te marreveshjes se punes me 5 komuna te ndryshme jashte kryeqytetit.

PCWA: Si e shikoni rolin e femrës në ICT dhe punën e bërë për ta rritur atë në këtë sektor?

Blerta Thaqi: Në përgjithësi interesimi për këtë profesion cdo ditë e me shume po rritet. Po shpresojë që puna me Girls Coding Kosova do të vazhdojë edhe më tutje të kontribojë në ofrimin e mundësive dhe rritjen e numrit të femrave në këtë fushë.  Në mënyrë që të promovojmë një qasje multidisiplinare për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave në projektet tona praktike, anëtarët e GCK do të shërbejnë si ambasadore të teknologjisë që të shpërndajnë konceptet se si qytetarët të përfshirë në sektorë të ndryshëm mund të përfitojnë dhe kontribojnë përmes teknologjisë për të mirën shoqërore dhe publike.

PCWA: Girls Coding Kosova, si filloi, cili është misioni i saj?

Blerta Thaqi: Kjo ide ka filluar në vitin 2014 me qëllimin kryesor që të ofrojë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme punë praktike që u mungon studentëve të drejtimeve të inxhinierisë kompjuterike apo shkencave kompjuterike të Kosovës gjatë studimeve. Nevoja ka ardhë si rrjedhojë e mungesës së angazhimit të femrave në teknologji, e mungesa ka ardhë si pasojë e paragjykimeve të këtij profesioni në vend.

Duke marrë për model vendet e huaja se si ndihmojnë në ngritjen e pjesëmarrjes së femrave në industrinë e teknologjisë, ne filluam të bëjmë aktivitete joformale për t’u takuar si fillim me vajzat që janë aktive në këtë fushë. Ajo që filloi si një lëvizje jo-formale në vitin 2014 është zyrtarizuar në një organizatë jo-qeveritare në vitin 2015. Në këtë periudhë të shkurtër kohe, Girls Coding Kosova ka arritur të organizojë dhe zbatojë dyzet e tetë (54) aktivitete të ndryshme, të tilla si meetups, seminare, kampe kodimi, trajnime, dhe prezantime që kanë angazhuar një total prej 3,751 pjesëmarrës.

PCWA: Ku është e fokusuar veprimtaria e kësaj organizate?

Blerta Thaqi: Vizioni ynë është që të krijojë një sektor pa paragjykime të IT-së në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit duke u fokusuar në:

  • Ekspozimin e hershëm të vajzave dhe inkurajimin e tyre që të fillojnë sa më herët praktikimin e këtij profesioni
  • Rritjen e përgjithshëm të numrit të vajzave të interesuar në teknologji/programim
  • Rritjen e numrit të e vajzave që të konsiderojnë fushën e programimit si një profesion akademik
  • Rritjen e numrit të vajzave si sipërmarrëse në fusha të reja duke përdorur programimin dhe inovacionin

Përveç trajnimeve, GCK është e vendosur të bëjë ndryshime në shoqëri përmes anëtarëve të saj. Deri më tash ka realizuar disa projekte që synojnë krijimin e një shoqërie më të mirë, qoftë përmes raportimit të ngacmimeve seksuale ose edhe vizualizimit të të dhënave të prokurimit prej komunave. Bazuar në listën e konsiderueshme e anëtareve të aftësuara përmes trajnimeve, GCK synon të zgjerojë fushëveprimtarinë e këtyre projekteve në të ardhmen.

PCWA: Cila janë disa prej aktiviteteve të organizuara?

Blerta Thaqi: Organizata ka filluar aktivitetet nga viti 2014 dhe deri sot ne kemi punuar shumë projekte që fokusohen në dizajnimin dhe implementimin e puntorive intenzive të ngritjes së kapacitetit digjital që i mësojnë femrat si të dizajnojnë, zhvillojnë, dhe lansojnë zgjidhje softuerike profesionale për cështje që lidhen me qeverisjen e mirë, komunitetin dhe vendin ku jetojnë. Ne jemi të përkushtuar të ndërtojmë mbi këto të arritura që të permirësojmë kualitetin e jetës në një shkallë më të lartë. Këto projekte janë realizuar gjithmonë në partneritet me klientët lokale institucionale që përfitojnë nga produkti përfundimtar. Disa nga projektet më të suksesshme janë: OMADA(Seri e trajnimeve ne web design, web development dhe mobile development),  EcShlire (Aplikacion Mobil që shërben për të raportuar ngacmimet seksuale), DevelopHer Scholarships(Bursa për 10 vajza në programin Coding Dojo për Web Development: FULL Stack), IT has no gender(Platformë për raportimin e diskriminimit gjinor në fushën e IT-së), dheTechstitution(Teknologji për institucionet e Kosovës, me komunitetin si zhvillues të produkteve).

Gjithashtu organizojmë edhe aktivitete të tjera promovuese ditore si Ada Lovelace Day, Girls in ICT International Day, Young Girls in Technology Day, apo prezantime në konferenca (Bruksel, Oslo, Sarajeve, Poloni dhe Tirane) dhe pjesëmarrje në diskutime jo-formale si Barcamps, Product Tank Prishtina dhe Global Enterprenurship Week.

Në fund të vitit 2016 Girls Coding Kosova është shpërblyer me Çmimin FIDES për Kontribut në Nivel Kombëtar, i cili është mbajtur për të nderuar kontributet filantropike të individëve, organizatave dhe bizneseve në Kosovë.

PCWA: Në këndvështrimin tuaj si është roli i femrës në ICT në Shqipëri dhe Kosovë?

Blerta Thaqi: Sipas një studimi nga STIKK në “Gratë në Teknologji”, gati 70% e vajzave të reja në Kosovë nuk zgjedhin Teknologjinë e informacionit dhe Komunikimit (ICT), si profesion, sepse ato ose nuk kanë mbështetje për studime të teknologjisë (44%) ose nuk ndjehen të kualifikuar për shkak se ky profesioni zakonisht paramendohet për meshkuj (24%). Kjo pabarazi është pasqyruar më qartë në vendin aktual të femrave në role të TIK-ut në Kosovë në krahasim me homologët e tyre meshkuj. Me një raport 80-20 meshkuj në raport me femra në role aktive te fushës së teknologjisë, nevoja për një rritje më të madhe të zhvilluesve të kualifikuar femra është më se e qartë.

Prandaj, në Kosovë ka shumë hapësirë që këtë hapësirë ta konsiderojmë si një mundësi për të zgjedhur një profesion i cili ka shumë benefite dhe është mjaft atraktivë.

PCWA: Çfarë do të thotë për Blertën të jesh Femra në ICT në Albanian ICT Awards 5?

Blerta Thaqi: Përmes organizatës Girls Coding Kosova kam punuar që nga viti 2014, dhe përmes aktiviteve dhe projekteve jemi munduar që të ofrojmë pjesën e përvojës praktike, e cila është mungesa më e madhe e Universitetit Publik në edukimin e orientuar në fushën e Inxhinierisë Kompjuterike dhe Shkencave Kompjuterike. Mundësia e mirënjohjes të kësaj pune në Albanian ICT Awards 5, me cmimin Femra në ICT është një privilegj i veqantë  dhe motivim që të vazhdojmë të punojmë edhe më tutje në këtë drejtim.

PCWA: Një mesazh për të gjitha femrat në ICT

Blerta Thaqi: Industria e teknologjisë ka mundësi të pafund dhe resurset për të arritur suksese në këtë fushë janë të palimitueshme. Krejt cfarë ju nevojitet për të bërë ndryshimin që doni të shihni në rrethin ku jetoni, është një kompjuter dhe casje në internet, gjë që shumica prej neve i kemi. Prandaj, t’i përdorim këto mundësi për të krijuar vendin tonë të punës, ofruar një zgjidhje teknologjike që do t’i ndihmonte miliona njerëzve apo thjeshtë të punojmë në një fushë e cila gjithmonë sjell risi dhe na mban në hap me kohën!

Lajmet e fundit>