Harduer

Bloomberg: Apple po punon për prodhimin e iPhone-ëve me ekran të madh dhe të lakuar

Nov 12 2013
0 Shpërndarje
Bloomberg: Apple po punon për prodhimin e iPhone-ëve me ekran të madh dhe të lakuar

iphone-newAgjensia e lajmeve Bloomberg ka njoftuar se Apple po punon për prodhimin e dy modeleve të rinj iPhone-ësh me ekran të lakuar të cilët pritet të lançohen në fund të vitit 2014.

Kompania po punon gjithashtu edhe për ndërtimin e sensorëve të përmirësuar të prekjes që do të mundësojnë ndjeshmëri të një niveli të lartë për pajisjet që do prodhohen më vonë.

Sipas raportimit, iPhone-ët e rinj do të ofrohen në versionin 4.7 inç dhe 5.5 inç që do të thotë se Apple do të prezantojë dy modele të ndryshme në të njejtën kohë.

Megjithatë kjo gjë nuk duhet të na habisë shumë duke marrë parasysh se dhe këtë vit kompania prezantoi dy iPhone (5S dhe 5C).

Nga njoftimet e mëparshme kemi mësuar se Apple ka kohë që teston pajisje me ekrane të mëdhenj që variojnë midis 4.8 dhe 6 inç, por kjo është hera e parë që publikohen edhe detajet e periudhës së lançimit të këtyre modeleve. Po kështu edhe një uebfaqe japoneze ka raportuar se iPhone-i me ekran të madh mund të debutojë në muajin shtator të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë përmirësimi i sensorëve përbën lajm shumë interesant sidomos për ata që janë të kënaqur me përmasat aktuale të iPhone-it.

Rritja e ndjeshmërisë (është e mundur deri në një nivel të caktuar nëpërmjet akselerometrit të iPhone-it) do të përmirësonte së tepërmi aplikacionet e vizatimit dhe shkrimit në iPhone ose iPad.

Në qoftë se kompania e lançon vërtet këtë teknologji atëherë ndoshta do të ishte mirë të ofronte në treg pajisje të nivelit profesional dhe jo ta shfrytëzojë atë vetëm për përmirësim të eksperiencës së përdoruesve të thjeshtë.

Asnjë nga këto njoftime nuk është konfirmuar ende nga Apple, megjithatë burimi i lajmit duket të jetë disi i sigurt. Lajmi për ofrimin e iPhone-it me ekran të zmadhuar ishte disi i pritshëm, por ajo që duket lëvizje e guximshme nga kompania është ofrimi në të njejtën kohë i dy modeleve me ekran të lakuar. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>