Intervista

Bujupi: Ku mbet përgjegjësia dhe individualiteti për artin që krijojmë?

May 8 2011
0 Shpërndarje
Bujupi: Ku mbet përgjegjësia dhe individualiteti për artin që krijojmë?

Bes Bujupi padyshim është një prej tyre. Ai është 25 vjeç me prejardhje nga Kosova dhe sot jeton e punon në Manchester të Britanisë së Madhe, ku punimet e tija vazhdojnë të tërheqin një numër të madh të klientëve dhe partnerëve. Gjatë studimeve për dizajn në Manchester, është shpallur student i dalluar dhe më pas është punësuar në kompaninë e njohur Code Computerlove, ku vazhdon të punoj edhe sot. Ndërsa për PCWorld Albanian ka thënë se është i interesuar edhe më tej në industrinë e dizajnit dhe po kërkon sfida të reja.

PCWA: Dizajni në fillim ishte pasion e më pas u shndërrua në profesion? Apo si ndodhi që të merreni me dizajn?
Bujupi: Artin dhe dizajnin e kam pasur pasion që kur isha i vogël, dhe kjo më vonë mu shndërruar në profesion. Gjithmonë kam qen i rrethuar me art në shtëpi nga prindërit e mi, edhe ajo më ka shtyrë të ndjek një rruge artistike që më vonë u shëndrrua në karrierë. E mbaj mend kur isha 10 vjeç, në atë periudhë në Kosove filluan të shpërndahen rrjetet e kanaleve televizive satelitore, dhe kjo u përfaqësua me një shpërthim të madh të kulturës dhe të artit botëror që shfaqej edhe tek ne. Unë vizatoja shume logo të kanaleve si MTV, Cartoon Network, CNN etj…
Pas arritjes në Britani të Madhe në vitin 1999, fillova të merrem edhe më shumë me dizajn. Në çfarëdo rasti që më paraqitej mundësia unë aplikoja idetë e mija të dizajnit në shkollë dhe jashtë saj. Dhe dikur në vitin 2000 filluan edhe punimet e mija të para.

PCWA: Na thoni disa fjalë rreth karrierës suaj në dizajn. Cilat janë punimet e para dhe si u zhvillua karriera juaj?
Bujupi: Njëra nga punimet e mia të para ka qenë revista e komunitetit Shqiptar, Kosovars in Barrow – KiB, e cila është shpërblyer me çmimin Phillip Lawrence Award në Londër në vitin 2003. Pas studimeve të Multimedia Design në Manchester, ku edhe fitova çmimin studenti më i dalluar, fillova të punojë në kompaninë e njohur të dizajnit Code Computerlove. Punësimi në këtë kompani rrjedh si rezultat i një konkurrimi për të krijuar një animacion 60 sekondësh për “Big Chip Awards” që u zgjodh koncepti im dhe të cilin e realizova si punë të parë për Code Computerlove. Tani kam 4 vite e gjysmë që punoj aty si Interactive Designer. Gjatë kësaj kohe kam pasur fatin të punoj me klient shumë prestigjioz si: Sony, SEAT, Epson, SeaWorld Parks, Berghaus, Refuge, Avon, Brother, Oxfam, MediaCityUK, Vimto, etj.

PCWA: A merreni me diçka tjetër përveç dizajnit?   
Bujupi: Pasion të madh e kam animacionin dhe filmin. Më intereson të mësoj dhe aplikoj Visual Effects në video eksperimente të ndryshme. Mendoj që gjithçka që praktikoj në dizajn ka lidhje me animacionin si kompozimi, ngjyrat, tipografika, stili, etj…

PCWA: A keni marrë pjesë në ndonjë garë ndërkombëtare dizajni?
Bujupi: Momentalisht jam duke punuar në disa projekte personale, ndërsa garat në të cilat më ofrohet mundësia të marr pjesë nuk i lë anash.

PCWA: Cili është një ndër projektet më të rëndësishme dhe me cilin sektor të tregut bashkëpunoni më shumë?
Bujupi: Tani për tani një ndër projektet më  të rëndësishme për mua është SeaWorld Parks. Ky është një website/aplikacion qe ndihmon konsumatorët të planifikojnë pushimet e tyre për në parqet e famshme të argëtimit SeaWorld Parks në Florida, SHBA. Unë si drejtor artistik dhe dizajner kam qen i ngarkuar për dizajnimin e një eksperience digjitale për përdoruesit e faqes.

Rëndësi të madhe ka edhe projekti “Four Ways to Speak Out” të cilin e kam krijuar për organizatën kundër dhunës në familje, Refuge. Projekti kishte si synim grumbullimin e nënshkrimeve për peticione për të propozuar ndryshime të ligjeve ne Britani.
Kampanja pat sukses të madh dhe u promovua nga shumë njerëz të famshëm si Reese Witherspoon, Stephen Fry, dhe aktorja Britaneze Dame Helen Mirren.

PCWA: Si e shihni dizajnin sot në Kosovë? A mendoni se të rinjtë këtu kanë potencial të arrijnë deri në atë pikë ku keni arritur ju?
Bujupi: Në Kosovë ka një shtresë të individëve dhe kompanive shumë të mira që krijojnë dizajne me kualitet shumë të lartë. Unë mbaj kontakte me shumë dizajner Shqiptar dhe kam lidhje të mirë me ta. Mendoj se ka shume për tu bërë, veçanërisht në aspektin e edukimit të bizneseve Kosovare në aspektin se çfarë duhet t’iu shërbehet konsumatorëve. Kjo mund të arrihet duke tejkaluar shabllonët që janë në internet, dhe duke shtyrë televizionet që të kërkojnë zgjidhje më të mira për klientët e tyre. Nëse kemi një shabllon për gjithçka, atëherë ku mbetet përgjegjësia dhe individualiteti për artin që krijojmë?!…

PCWA: Sa mendon se po respektohen të drejtat autoriale në Kosovë për sa i përket grafikave kompjuterike në dizajn? Ka shumë raste për shkak të mungesës së ligjit kur thjeshtë shkarkohen punimet e gatshme të dikujt tjetër dhe “pronësohen” pa të drejtë për tu shfaqur si punime personale. Çfarë mendon rreth kësaj?

Bujupi: Pyetje e qëlluar sepse kam eksperience personale me ketë problem.
Ky është një problem shumë i madh sa i përket industrisë kreative në përgjithësi. Mungesa e ligjit e bën shumë të vështire për një dizajner/krijues të ballafaqohet me problemin e vjedhjes apo imitimit identik të punës. Njëra nga gjërat që mund të bëhet është të flitet për këtë problem neper rrejte sociale dhe rrethet e krijuesve.

PCWA: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen dhe çfarë këshilla keni për dizajnerët e sotëm?
Bujupi: Planet për të ardhmen… Janë të shumta, por mund të them se do të vazhdoj të krijoj dizajne, të punoj me klient ndërkombëtar, të fillojë bashkëpunime me dizajnerë, programerë, teknolog si dhe individë nga biznesi shqiptar, etj. E kjo e fundit është një prej prioriteteve të mija personale që dëshirojë të realizojë.

PCWA: Diçka për fund?
Bujupi: Dua t’ju falënderoj shumë për intervistën dhe për mundësinë që më keni dhënë për të qenë para lexuesve tuaj.

Lajmet e fundit>