Analiza

Canalys: Tabletët do të tejkalojnë shitjet e laptopëve dhe kompjuterëve desktop në 2014

Nov 27 2013
0 Shpërndarje
Canalys: Tabletët do të tejkalojnë shitjet e laptopëve dhe kompjuterëve desktop në 2014

Duke marrë në konsideratë zhvillimin e vrullshëm të tregut të tabletëve mund të themi se për të gjithë ishte e pritshme që të arrinte dita kur shitjet e këtyre pajisjeve mobile të tejkalonin shitjet globale të laptopëve dhe kompjuterëve desktop dhe mesa duket kjo ditë nuk do të vonojë shumë.

Sipas të dhënave të kompanisë Canalys, pritet që në vitin 2014 dërgesat globale të tabletëve të tejkalojnë dërgesat globale të laptopëve dhe kompjuterëve desktop. Dominimi i tabletëve do të vazhdojë dhe pritet që vitin e ardhshëm shitjet e tyre të arrijnë në 285 milion njësi.

Canalys parashikon se deri në vitin 2017 kjo shifër do të arrijë në 396 milion. Si pjesë të kësaj epoke të dominimit të tabletëve, Canalys ka parashikuar se vitin e ardhshëm pajisjet Android do të përbëjnë rreth 65% të tregut me një numër pajisjesh prej 185 milion.

Për kompaninë Microsoft, raporti i Canalys përmban njëkohësisht lajme pozitive dhe negative. Pritet që në vitin 2014 Microsoft të zotëroj një pjesë tregu prej, 5% duke pësuar një rritje të konsiderueshme nga 2% që ka qenë në vitin 2012.

Lajmi i keq ka të bëjë me problemin që ekziston midis sistemeve të ndryshme operative të Microsoft-it. Në lidhje me këtë problem Pin Chen Tang, analist kërkimor i kompanisë Canalys, është shprehur: “Hapi i parë kritik është përcaktimi i bashkekzistencës së Windows Phone dhe Windows RT. Disponueshmëria e tre sistemeve të ndryshme operative në hapësirën e pajisjeve të mençura shkakton konfuzion si tek zhvilluesit po ashtu edhe tek konsumatorët.”

Po i njëjti problem është nxjerrë në pah edhe nga Julie Larson-Green, një prej ekzekutiveve të kompanisë Microsoft, e cila është shprehur gjatë një konference se: “Ne kemi sistemin operativ Windows Phone, Windows RT dhe sistemin e plotë Windows. Në vazhdim nuk do t’i kemi të tre këto sisteme.”

Pavarësisht se disa prej prodhuesve të kompjuterëve kanë pësuar rritje gjatë kësaj periudhe (p.sh Lenovo), në qoftë se shifrat e përgjithshme të shitjeve të laptopëve dhe kompjuterëve desktop vazhdojnë të pësojnë rënie të konsiderueshme ka të ngjarë që tregu i PC-ve të kalojë një periudhë me të vërtetë të vështirë. (PCWorld Albanian)

dell-inspiron-14-7000-front-windows-8-650x0

Lajmet e fundit>