Lajmet

Çdo i dyti amerikan ka celular të mençur

May 17 2012
0 Shpërndarje
Çdo i dyti amerikan ka celular të mençur

Kompania e njohur në industrinë e sondazheve, Nielsen ka publikuar raportin e tyre të fundit sipas të cilit pothuajse çdo i dyti amerikan që posedon celular, ka celular të mençur. Ky numër i pronarëve të celularëve të mençur ka shtuar edhe kërkesën për aplikacione.

Mesatarja e aplikacioneve në një celular të mençur tani është 41. Kjo shifër paraqet një rritje prej 28% krahasuar me një vit më parë kur në një celular të mençur mesatarisht gjendeshin 32 aplikacione.

Përkundër heqjes dorë nga aplikacionet burimore për ueb-aplikacionet nga ana e disa kompanive, raporti i Nielsen vë në pah që përdoruesit më shumë preferojnë aplikacionet burimore se sa ueb-aplikacionet. Gjithashtu kur bëjnë pazar me celularin e tyre, përdoruesit zgjedhin uebfaqet para aplikacioneve.

Sipas raportit të Nielsen këtë vit është rritur edhe koha që përdoruesit kalojnë në aplikacionet në celularin e tyre të mençur. Derisa vjet përdoruesit kalonin 73% të kohës në aplikacionet e tyre, ata këtë vit kalojnë 83% të kohës kur shfrytëzojnë celularin e tyre të mençur. Rrjedhimisht janë rritur edhe minutat që përdoruesit kalojnë në aplikacionet e tyre. Këtë vit përdoruesit kalojnë 39 minuta në aplikacionet e tyre, 2 minuta më shumë se vitin e kaluar.

Pesë aplikacionet kryesore që përdoren në celularë të mençur vazhdojnë të jenë Facebook, YouTube, Google Play, Google Search dhe Gmail.

Kur jemi tek sistemet operative, sipas Nielsen 48.5% e tregut amerikan dominohet nga Android, iOS ka 32% të tregut, derisa BlackBerry dhe Windows Mobile ndajnë pjesën tjetër më të vogël të këtij tregu. /PCWorld Albanian/

Lajmet e fundit>