Blog

Çdo të na sjellë në shqiptarëve viti 2009?

Mar 3 2009
0 Shpërndarje
Çdo të na sjellë në shqiptarëve viti 2009?

Të paktën këtë premton në shumë aspekte Windows 7. Microsoft e ka hequr fare turpin dhe duket se në versionin e ri të Sistemit Operativ më popullor të botës ka marrë gjithë gjërat më të mira nga MAC e Linux. Më në fund do biem rehat për sa i përket komunikimit mes kompjuterëve. Kufiri mes PC, MAC dhe Linux thuajse nuk ka më asnjë kuptim, sepse që të tre variantet s’janë asgjë tjetër, veç kompjuterë personalë, pra PC.

Në harduerë më në fund do të zhdukim nga tavolinat e punës dhe prototipët e fundit të monitorëve CRT e në vend të tyre do të marrim hua nga filmat fantastiko-shkencorë, monitorë të përkulshëm dhe Flat Screen me rezolucion që deri para 3 vjetësh ishte i paimagjinueshëm.

Harddisqet tani mund t’i mbash në xhepin e vogël të pantallonave dhe në një iPod thuajse mund të fusësh gjithë libraritë e botës. Me siguri nga fundi i vitit do të shohim të parët prototipë celularësh që vetëm celularë nuk do jenë. “Përbindësha” me shpejtësi interneti 10 Mb/sek, 250 GB HDD, videokamera HD, GPS, TV, Radio, etj. Të shpresojmë që dikush mos e teprojë e të verë brenda dhe një skuqës patatesh!

Po te ne, në Ballkan?

Në Prishtinë do mund të shohësh në ueb filma HD, në një internet me shpejtësi 10 MB/sek. Më në fund do ja kalojmë Maqedonisë dhe Kroacisë për edukimin e specialistëve IT. Në Shqipëri më në fund do e mbarojmë regjistrin elektronik të shtetasve dhe me siguri që menjëherë pas zgjedhjeve do na heqin dhe vizat për në Evropë. Kjo me do të sjellë një bum dhe te kompjuterët dhe IT-ja në përgjithësi. Viti 2009 do shohë online të gjitha bankat. Faturat nuk do paguhen më në postë dhe regjistrimi i një biznesi mund të bëhet më në fund në internet.

Po rrogat?

S’besoj se do shohim ndonjë ndryshim të madh, por të paktën një kompjuter do të kushtojë më pak se një vit më parë. Blue Ray do të vijë masivisht dhe në Ballkan e do të shohim që stoqet e mbetura me CD do shitem më lirë se letra. 2009 duhet të jetë numër me fat për shqiptarët. Ne të gjitha legjendat i kemi me 9. Nëntë plagë kishte Gjergj Elez Alia. Nëntë male kaloi Kostandini (i vogli i 9 vëllezërve) për të kthyer në shtëpi Doruntinën.
Viti 1999 pa ikjen e serbëve nga Kosova.

Ne dhe kriminelëve u themi “nëthtenënç” apo “i të nëthtenëntave”. Nuk dua të bëhem supersticioz, por kam qejf të besoj se viti 2009 do jetë një vit i mbarë për shqiptarët. Po shikojnë lulëzimin e shumë komuniteteve dhe shërbimeve online, që do të sjellin dhe një reagim të mirë për ekonominë në përgjithësi. Gjithë këto gjëra të bukura që pritet të ndodhin, tani mund t’i fotografojmë me aparate që deri dje mund t’i blinin e përdornin vetëm profesionistët. Me këtë ritëm që po ecën teknologjia nuk do jetë e largët dita që aparatet dixhitale do na i falin dyqanet që printojnë fotografi dixhitale.

Flashdisqet me 2GB hapësirë do fillojnë të shiten në supermarkete e do dëgjojmë shprehje të tilla si: Më jep një Marlboro dhe një çakmak me USB!
Ju duket habi? Unë nuk e kam parë akoma një gjë të tillë, por me siguri që ndonjë kinezi do i ketë shkuar mendja që ta bëjë.

Po në Web? Një server me IP të dedikuar nuk do kushtojë më shumë se 10 euro në muaj dhe brenda ofertës do kesh çdo skript dhe aplikacion për ueb që do të të duhet.  Tani çfarë nuk të dëgjojnë veshët! Mikroçipa të ngrënshëm, monitorë letre që ngjiten në mur, harddisqe rezistentë kundër zjarrit dhe rrufesë, printerë 3D, syze me monitorë dhe GPS, laptopë që vetëmbrohen ndaj hajdutëve, PC që kanë më shumë RAM se ç’kishin gjithë kompjuterët e botës 5 vjet më parë, etj, etj, etj.

Besoj se nuk ka nevojë të shkoj më tej!

Megjithatë, mendoj se gjëja më e rëndësishme e vitit 2009 është se më në fund do kemi një numër të saktë për shqiptarët, se sa janë e ku janë. Më në fund në Ballkan askush nuk do na shesë më mend, sepse me heqjen e vizave gjithë ata që do duan të shkojnë të punojnë diku do ta kenë të lehtë. Do na “rrjedhë truri” siç thonë në Evropë, por zemrën do ta lenë në vend të vet. Më në fund nuk do jemi më refugjatë e emigrantë.

Një gjë tjetër shumë interesante: Jashari nuk do thotë më në Greqi se e ka emrin Jani e Itali Xhani, se në mikroçipin e pasaportës së tij biometrike do i dalë ai që i ka vënë babai (apo e ëma): Jashar!

Eh ç’vit i bukur ka për të qenë!

 

Lajmet e fundit>