Harduer

CEO i BlackBerry Heins deklaron se pas 5 vjetësh tabletët do të jenë pajisje të padobishme

May 2 2013
0 Shpërndarje
CEO i BlackBerry Heins deklaron se pas 5 vjetësh tabletët do të jenë pajisje të padobishme

Thorsten Heins, CEO i BlackBerry nuk është fans i tabletëve. Këtë gjë e ka shprehur shumë qartë në një intervistë ku është pyetur në lidhje me dobishmërinë dhe nevojën e pajisjeve mobile.

“Pas një periudhe 5 vjeçare unë nuk mendoj se do të ketë ndonjë arsye konkrete për mbajtjen e tabletëve,” është shprehur ai. Këto janë fjalë të guximshme për BlackBerry, i cili ka përjetuar sukses dhe njëkohësisht humbje me produktin e vetëm tablet BlackBerry PlayBook.

Në momentin e debutimit PlayBook ishte një dështim i vërtetë duke qenë se u ofrua pa aplikacionet e mesazheve dhe e-maileve të BlackBerry, ndërsa aktualisht kjo pajisje konsiderohet si një prej tabletëve me çmimin më ekonomik.

Pavarësisht se nuk është një prej tabletëve më të preferuar përsëri ekzistojnë disa besnikë të BlackBerry që po presin me padurim lançimin e PlayBook-ut të ri që funksionon me sistemin operativ të përditësuar BlackBerry 10.

Gjatë intervistës Heins përmendi se kompania nuk do të kishte investuar në një produkt të tillë nëse nuk do të sillte vërtet përfitime, megjithatë ai përsëriti se nuk besonte në vazhdimësinë e suksesshme të biznesit të tabletëve.

Megjithatë në qoftë se i hedhim një sy situatës aktuale mund të themi se Apple ka pasur fitime marramendëse nga shitjet e tabletëve iPad, po kështu dhe Amazon duket se ka dalë shumë e përfituar nga shitjet e Kindle Fire.

Gjithashtu Samsung është shprehur se familjet e tabletëve Galaxy Tab dhe Galaxy Note do e ndihmojnë këtë kompani që të rritet akoma më tepër në të ardhmen.

Në pesë vitet në vazhdim Heins pret që BlackBerry të jetë një kompani lider në pajisjet mobile, por mesa duket këtë gjë kompania do ta arrijë pa ndihmën e tabletëve. (PCWorld Albanian)

ceo blackberry

Lajmet e fundit>