Analiza

CES 2015: Çfarë mund të presim nga eventi i produkteve elektronike në Las Vegas

Jan 4 2015
0 Shpërndarje
CES 2015: Çfarë mund të presim nga eventi i produkteve elektronike në Las Vegas

VEGAS SIGNPikërisht tani, kur kompanitë teknologjike zbarkojnë në Las Vegas për konferencën CES, po shpresojnë që të ngjallin interesin e konsumatorëve duke vendosur edhe kufijtë e rinj teknologjik të 2015. Por çfarë do të shfaqet realisht në “show-in” elektronik më të madh të botës? Çfarë kursi teknologjik do të caktojë Las Vegas për 2015?

Automobila, Automobila, Automobila

Duke filluar që nga Ford gjer tek Mercedes Benz, teknologjia e automobilave do të vazhdojë marshin e saj për të qëndruar në një linjë me zhvillimin që po përballet bota falë teknologjisë së smartfonëve. Vitin e shkuar vumë re makina elektrike dhe hibride. Ky vit premton më shumë prototipë me aftësi vetëdrejtuese, të gjitha të afta teknikisht të transportojnë pasagjerë pa qenë nevoja e ndërveprimit të tyre.

Ndërsa Google, ka filluar të ketë një qasje konkrete ndaj këtij trendi, CES 2015 premton se ky do të jetë viti ku konsumatorët më në fund do të vënë duart mbi një automobil inteligjent fuqizuar nga platformat Google Android Auto ose Apple CarPlay, për të larguar përgjithnjë sistemet tradicionale.

Android në televizorët tanë

Android jo vetëm që do të pushtojë makinat këtë vit, por CES 2015 premton të sjellë ngritjen e televizorit Android. Kjo do të jetë përpjekja e dytë e Google për të krijuar një platformë televizive të mençur pas një dështimi me Google TV në 2010.

Ndërtimet e Android TV janë të bazuara në suksesin e Google ChromeCast, ku kjo e fundit përbën një iniciativë për të sjellë eksperiencat e smartfonëve në televizorët tanë. Një numër i konsiderueshëm prodhuesish pritet të prezantojnë televizorët e rinj me platformën Android.

Ky është një shans për Google, ku gjiganti i motorit të kërkimit mund të unifikojë gjithë lëmshin e krijuar mes disa platformave televizive. Duke sjellë aplikacionet Android në TV, Google do të ngjallë interesin e konsumatorëve për të mos e injoruar kurrë më.

Veshjet Elektronike

Ky do të jetë viti i teknologjisë e orëve inteligjente, i rripave të fitnessit apo çfarëdo inovacioni të 2015. Ndërkohë që konferenca CES 2015 do të jetë e mbushur me orë inteligjente, faktori që do të ndikojë në të ardhmen e kësaj teknologjie do të jetë kostoja.

Sensorët e nevojshëm për të prodhuar këto pajisje elektronike po shoqërohen me një rënie të çmimesh, që do të thotë se pajisjet e afta të gjurmojnë aktivitetin, shëndetin madje edhe gjumin do të të kenë një çmim nën 50 Euro.

Sfida më e madhe e prodhuesve është tërheqja e konsumatorëve. Prandaj është e nevojshme largimi nga pajisjet e stilit të vjetër me materiale prej plastike. Veshjet teknologjike duhet të jenë të rehatshme dhe të modës, ku presim edhe bashkëpunime të reja mes kompanive teknologjike dhe atyre të modës të një profili të lartë. Më shumë se 40 milion orë inteligjente dhe rripa fitnesit pritet të shiten përgjatë këtij viti që sapo kemi hyrë. CES do të në flasë më shumë rreth identitetit të këtyre veshjeve elektronike.

Pantallona, këmisha, mbathje dhe çorape

Produktet që do të ngjallin më shumë entuziazëm në konferencën e CES me shumë gjasa do të jenë të fshehura nën veshjet tona. Ky vit parashikohet të jetë hovi i rrobave inteligjente. Marka të njohura të rrobave si Adidas, Asics, Under Armour, Ralph Lauren kanë filluar të zbulojnë rroba inteligjente të afta të monitorojnë çdo pjesë të trupit tonë, çdo pikë gjaku, djerse dhe loti.

Që nga tenisi gjer tek futbolli, çiklizmi, alpinizmi, këmisha inteligjente, pantallona inteligjente, çorape inteligjente madje edhe mbathje inteligjente, që të gjitha do të marrin informacione nga sensorët elektronike të tyre duke i dërguar në smartfonët tanë. Këto sensorë, shpeshherë do “kritikojnë” adhuruesit e sporteve për ritmin e tyre.

Çdo gjë e ndërlidhur

Përtej këtyre fakteve entuziazmuese, marshimi i pashmangshëm i televizorëve me ekran të lakuar dhe rezolucion 4K do të vazhdojë. Dhe mos harroni “internetin e gjërave”(IoT), një togfjalësh që ka premtuar se do të transformojë të gjithë elektroshtëpiaket tona në një rrjet pajisjesh të lidhura me internetin të afta të komunikojnë edhe me njëra tjetrën.

E gjithë kjo hapësirë vazhdon të zgjerohet, por vizioni vazhdon të jetë akoma i pakuptueshëm. A mundet që CES 2015 të bëjë këtë një realitet të prekshëm? CES ka premtuar të jetë edhe më madhështor se vitin e shkuar, dhe 2015 mbase do të jetë viti ku industria e teknologjisë do të hapë sytë drejt faktit se realiteti i deritanishëm i shfaqur në kryeqytetin e lojërave të fatit nuk përputhet me realitetin që ne po jetojmë. Dhe kjo përbën sfidën më të madhe të CES, vënia në jetë të këtij realiteti në jetët tona të përditshme. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>