Analiza

Çfarë po ndodh me BlackBerry 10

Nov 2 2012
0 Shpërndarje
Çfarë po ndodh me BlackBerry 10

Tregimi për sistemin operativ BlackBerry 10 dhe pajisjet e ardhshme të bazuara në këtë sistem është zvarritur shumë. Aktualisht gjendet në fazën e diskutimit te gazetarët, blogerët, analistët dhe grupe tjera të interesuara dhe që ngadalë është duke shkaktuar lodhje.

Pasi lançimi i sistemit komplet të ri operativ u shty disa herë, sot kemi mësuar se pajisjet gjenden në testim të 50 operatorë anembanë botës. Shkëlqyeshëm, do të thoshte një nga dy përdoruesit e BlackBerry-t, sa prej tyre tashmë kanë mbetur, por prapë ngrihen dyshimet se a do të jenë pajisjet të gatshme në tremujorin e parë të vitit 2013, siç edhe u njoftua pas ndryshimit të fundit të planeve nga ana e kompanisë RIM.

RIM (prodhuesi i BlackBerry-t) ka humbur shumë përdorues

Po, ka ende disa prej nesh që besojmë verbërisht se BlackBerry 10 megjithatë do të ngjallet, sepse në të kundërtën do të mbesim pa pajisjet e mrekullueshme me tastierë QWERTY dhe shërbimeve të besueshme të cilat i kemi përdorur me kënaqësi me vite të tëra.

Ndërkohë RIM (prodhuesi i BlackBerry) ka humbur shumë përdorues, dhe ajo çfarë është më e keqja për këtë kompani, është se tashmë edhe partnerët e biznesit kanë filluar t’iu kthehen platformave tjera. Nuk do kthehemi tani në të kaluarën dhe ti përmendim lëvizjet e këqija që kompania i bëri në mënyrë që të konkurronte me Apple dhe iPhone-in e saj, por nuk mund të mos e vërejmë degën gati të thyer ku është ulur kjo kompani.

Domethënë, bëhet fjalë për njoftimin e jo shumë kohëve më parë se pajisjet BlackBerry 10 nuk do të mbështesin sistemin BES ( BlackBerry Enterprise Server), gjë që praktikisht ishte komplet puna e deritashme e cila bazohej në këtë sistem.

Pra, bëhet fjalë për një qasje krejtësisht të re, ku me eko-sistemin e ri parashihet objektivi “ për masën popullore”, kurse partnerët e biznesit duket se do të bien në plan të dytë. A mendon me të vërtet RIM se me pajisje të reja dhe sistem operativ cilësor do ti sulmojë kështjellat iOS dhe Android?

Duhet të pranohet se kjo situatë në njëfarë mënyre kujton “ kthimin strategjik” të Nokia-s në territorin e Microsoft-it, kur që në fillim u parashikua se bëhet fjalë për vetëvrasje. Tani mund të diskutojmë përsëri rreth asaj se Nokia ka ende “shanse”. Por cili është shansi që ka kjo kompani të kthehet në atë pozicion që ishte para “kthimit strategjik?” – Kurrfarë! Sa ra çmimi i aksioneve? Sa fabrika u mbyllën? Sa pasuri të patundshme u shitën? Kur të gjejmë përgjigjet në këto pyetje do të shohim se Nokia tashmë ka disa kohë që gjendet në “shtratin” e vdekjes dhe po merr frymë me ndihmën e respiratorit. Edhe sa kohë do të përballoj këtë gjendje nuk do të spekulojmë, por mund të ndodh edhe e pamundura. Ndoshta Windows Phone do “ti kthejë” ata në mesin e kryesorëve…Yeah Right! Kompania në fund sigurisht se do të shitet “në pjesë”, me mundësinë e blerjes së brendit “Nokia” nga ana e ndonjë kompanie tjetër, kurse Stephen Elop sigurisht do të konkurrojë për librin e rekordeve Guiness si shefi ekzekutiv më i suksesshëm.

Por, ti kthehemi RIM-it. Çfarë ndodhi ndërkohë me RIM-in? Nuk do të llogarisim rënien e çmimit të letrave me vlerë dhe as humbjen e pjesës së tregut. Ajo çfarë është më shkatërruese për RIM-in është humbja e besimit të përdoruesve të tashëm si dhe blerësve potencial. Prandaj ta shikojmë tërë këtë gjë nga perspektiva e “përdoruesit të thjeshtë” siç jemi ne. Pajisjen BlackBerry dhe shërbimin e internetit BlackBerry e kemi përdorur për shumë vite, kur iPhone dhe Android ishin në fillimet e tyre.

Ishin të nevojshme vite për këto dy sisteme operative për të arritur nivelin e përdorshmërisë të BlackBerry-t, të paktën kur bëhet fjalë për komunikimin përmes E-Mail-it dhe shërbimit instant messaging. Për më shumë, tarifat e BlackBerry, pa të cilat pajisja BlackBerry humb kuptimin që në fillim, mundësojnë një data plan të pa limituar, që për përdoruesit e platformave tjera ende është e padisponueshme. Megjithatë, përparësitë e flat internetit në BlackBerry nuk janë aq sa ata të pa informuarit ndoshta mund të supozojnë sepse ajo tarifë nuk mbështet video streaming-un e as shërbimin VoIP. Pra, shërbimi flat shërben vetëm për e-mail, chat dhe surfim në shfletues interneti i cili edhe në sistemin më të ri operativ BlackBerry 7, është nën përdorshmërinë e përdorimit si Safari në iPhone apo Chrome në Android.

Përdoruesit më të angazhuar të BlackBerry-t nuk e pranojnë realitetin

Këto dy platforma ndërkohë kanë evoluar përtej sistemit operativ BlackBerry dhe për nga përdorimi i përgjithshëm tashmë e kalojnë në mënyrë të madhe atë. Këtë edhe e parashikuan në RIM dhe filluan me zhvillimin e platformës së re, duke gjuajtur praktikisht të gjitha që kishin deri tani, njëjtë sikurse Nokia bëri me Symbian-in.

Natyrisht, përdoruesit më të angazhuar të BlackBerryt edhe më tej nuk e pranojnë realitetin dhe me të gjitha forcat mundohen ti jenë besnik platformës e cila me vite i’u ka shërbyer për mrekulli. Por, edhe këtu filluan të paraqiten problemet sepse RIM shihet qartë se është shumë e fokusuar në zhvillimin e platformës së re, e në të njëjtën kohë po injoron mbështetjen cilësore të tashme dhe me këtë rast për çdo ditë po humbet një armatë të tërë të përdoruesve.

Këtu vlen të përmendet një shembull banal i aplikacionit Google Talk (i zhvilluar nga ana e RIM-it, e jo Google-s dhe punon përmes blackberry.netAPN), ku viteve të fundit në mënyrë konstante po shkëputet, me pamundësinë e rikonektimit automatik. Për një sistem siç është BIS/BES, kjo situatë duket qesharake, sepse e tërë filozofia e BlackBerry-t bazohet besueshmërinë e komunikimit të sistemit online dhe sigurisë. Po ashtu, politika e pagesës së tarifës së posaçme për marrje, dërgim të e- maileve dhe surfimit në internet tashmë është një koncept i vjetruar, bile edhe për përdoruesit e biznesit, prandaj presim që BlackBerry 10 të jetë i disponueshëm për të gjithë.

Se sa përdorues RIM do ti humb deri në lançimin e BlackBerry 10, nuk e dimë, por për shkak të frustrimeve të caktuara dhe humbjes së përgjithshme të kuptimit të pajisjeve BlackBerry, disa do ti humb sigurisht. Kush e di, ndoshta RIM në të ardhmen përsëri do të ngrihet në këmbë dhe ti ofroj përdoruesit të thjeshtë gjëra të dobishme dhe interesante. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>