Analiza

Çfarë rëndësie do të ketë për Microsoft-in Windows falas

Mar 3 2014
0 Shpërndarje
Çfarë rëndësie do të ketë për Microsoft-in Windows falas

screen-shot-2014-02-28-at-5-45-56-pmLajmi që sistemi pionier i Microsoft-it, Windows 8.1 do të jepej falas ishte shokues dhe ka çuditur shumë përdorues e analistë. Një numër i madh i agjencive të lajmeve dhe mediave që ndjekin Microsoft-in dhe të rejat nga Redmond janë mbushur me lajmin që ky sistem do të jepet falas nën disa kushte të caktuara. Por, realisht, çfarë vlere ka për përdoruesit dhe gjithkënd tjetër? Le të shohim më poshtë disa fakte se pse është e rëndësishme kjo e re për përdoruesit dhe për kompaninë Microsoft.

1. Microsoft-i ka fituar shuma të mëdha të ardhurash nga shitja e Windows tek konsumatorët nëpërmjet partnerëve OEM. Tani bashkë me të po shet edhe pajisjet e veta, si Surface. Ofrimi i Windows falas tregon se kjo është një mënyrë tjetër për të dërguar këto pajisje te përdoruesit.

2. Koha kur Microsoft-i merrte shuma gjigande fitimesh po ikën dhe partnerët e shitjeve po i ulin shitjet gjithashtu. Nëse nuk do të kishte partnerët e kompjuterëve dhe laptopëve, sistemi Windows mund të kishte “vdekur” tashmë. Prandaj Windows falas do të thotë pranim i vështirësive në shitje dhe fillimi i një pune më të fortë në shitjen e produkteve të tjera.

3. Sistemet operative falas kanë qenë një kërcënim real për Microsoft-in. Rasti i Chromebook-ve është më i qarti sepse Google nuk merr komision për përdorimin e këtij sistemi. Por kjo konkurrencë ndaj Microsoft-it ka të bëjë pikërisht te çmimi. Fakti që edhe Windows bëhet falas do të thotë më shumë përdorim dhe shitje të më shumë pajisjeve me këtë sistem.

4. Gjithashtu, duke vijuar në të njëjtën vijë mendimi si më lart, Microsoft-i ka ulur çmimet për një rang të produkteve të veta. Kjo i jep një mundësi më të mirë partnerëve që të shesin më lehtë pajisjet të bazuara në sisteme Windows.

5. Diçka që mbetet e paqartë është fakti që nëse Microsoft-i bën falas një produkt, a do të ndodhë kjo edhe me të gjitha të tjerat? Nëse kjo do të ndodhte tani, do të ishte një katastrofë ekonomike për Microsoft duke qenë se partnerët e Microsoft-it vetëm në tre muajt e fundit njoftuan fitime prej 5 miliard dollarë. Kjo të bën të mendosh se kjo lëvizje e kompanisë Microsoft ka si qëllim një pozicionim më të mirë në përqindjet e përdorimit.

6. Por nuk do të ishte çudi sikur Microsoft-i të fillonte t’i bënte të gjitha produktet falas një nga një. Duke parë në këndvështrimin e zhvillimit të produkteve, mbase Office e ka radhën. Por për këtë nuk mund të thuhet gjë përfundimtare, edhe pse Windows falas është një fillim drejt kësaj rruge.

7. Fakti që Windows mund të ofrohet falas nuk do të thotë që Microsoft-i nuk do të ketë fare përfitime financiare, por që mund të fitojë nga produkte të tjera. Kujtojmë OneDrive, Skype dhe Bing si ndër aplikacionet më të mëdha e më të përdorura mund të jenë me shumë fitim në një version falas të Windows.

8. Me Windows falas duket se po ndryshon ideja që ka përdorur kohët e fundit me Office. Ndërkohë që me Office 365 përdoruesit duhet të bëjnë njëfarë pagese në njëfarë kohe, me Windows mund të ndiqet politika që të mos paguhet për sa kohë përdoret sistemi dhe shërbimet e Microsoft-it.

9. Mbase menjëherë tani Microsoft-i do ta kishte të vështirë financiarisht që ta bënte falas Windows, por në një kohë pak më të vonë pasi të ardhurat nga shërbimet e tjera të shtohen ndjeshëm, Microsoft-i mund ta përballojë një lëvizje të tillë për të promovuar më shumë produktet e tjera.

10. Tani jepen 100 GB në OneDrive për vetëm 50 dollarë në vit, një çmim i përafërt me atë të blerjes së një sistemi operativ Windows. Duke parë këtë ide, mbase Microsoft-i duhet të shihet tashme jo thjesht si një kompani që prodhon softuer, por si një kompani që bën një lidhje të mirë mes pajisjeve fizike dhe shërbimeve online. E ky mund edhe të jetë çelësi i fitimit ekonomik të Microsoft-it. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>