Vëzhgim

Çifteli në iPhone – Tingalin

Jan 3 2009
0 Shpërndarje
Çifteli në iPhone – Tingalin

Tingalin është një çifteli virtuale, në të cilën luhet duke shkundur iPhone sikur të ishit duke i rënë kitarës. Sa herë që e lëvizni telefonin lart e poshtë, një notë do të luhet, kështu që ritmi dhe të tjerat janë të kontrolluara plotësisht nga përdoruesi! Krijuesi thotë se aplikacioni ka karakter edukues dhe ofron shumë kënaqësi. Do të dukeni si profesionist para shoqërisë, duke i mahnitur me aftësitë tuaja! Aplikacioni Tingalin nga fillimi i shtatorit gjendet në shitje në App Store me një çmim prej 4.99$ dhe sipas krijuesit Afrim Kacaj, tashmë programi ka filluar të blihet nga adhurues të shumtë, si në SHBA, Zvicër, Gjermani, Angli dhe shtete të tjera. Më e çuditshmja është që programi është blerë edhe nga përdorues nga Japonia. Tingalin mund ta blini përmes iTunes dhe ta vendosni në iPhone. Përveç në iPhone, Tingalin mund ta instaloni edhe në iPod Touch. Dizajni i Tingalin është i thjeshtë dhe i është përshtatur shumë mirë motiveve etnike, duke vendosur bishtin e çiftelisë, shqiponjën në një sfond të kuq. Paraardhës i Tingalin është një aplikacion online i krijuar në flash, i cili luan notat e çiftelisë, të cilat ju ia jepni përmes rreshtit të parë të tasteve në tastierë, të cilin mund ta gjeni në faqen www.tingalin.com. Afrim Kacaj deklaron se do të përkrahë dhe përmirësojë aplikacionin në versionet e ardhshme. “Tingalin do të përkrahet për shumë kohë. Kam menduar t’i shtoj tingujt e disa instrumenteve të tjera dhe mundësinë për t’i rënë me gisht, pa e shkundur (duke luajtur gishtin majtas dhe djathtas në faqen e iPhone)”, ka deklaruar Afrimi.

Lajmet e fundit>