Harduer

Cila është e vërteta pas shitjes totale të Surface Pro?

Feb 12 2013
0 Shpërndarje
Cila është e vërteta pas shitjes totale të Surface Pro?

Microsoft Surface Pro, pajisja më e re me Windows 8 që u lançua të shtunën, është shitur në pjesën më të madhe të rishitësve amerikanë, brenda ditës.

Sukses i jashtëzakonshëm do të mendonim, apo jo? Por, të mos nxitohemi kaq shumë. Siç duket dhe siç raportohet nga Zdnet, kjo logjikë mund të mos jetë e saktë.

Në terma të përgjithshme, nëse një produkt shitet i gjithi që ditën e parë, do të thotë se jemi në rrugën e duhur. Por, kjo nuk vlen në rastet kur nuk ka pasur sasi të mjaftueshme për të mbuluar kërkesat. Mesa duket, kjo është ajo që ka ndodhur pikërisht me Surface Pro.

Dyqanet që kanë shitur produktin nuk kanë marrë sasinë e nevojshme dhe si pasojë tableti është shitur menjëherë, duke zemëruar një numër të madh konsumatorësh që në fund të fundit, mbetën me duar bosh para dyqaneve.

Nga ana tjetër, Microsoft e quan fitore të madhe atë që ka ndodhur këtë fundjavë me tabletin.

“Reagimi i konsumatorëve për lançimin e Surface Pro ka qenë i jashtëzakonshëm.

Aktualisht po punojmë me partnerët tanë, të cilët nuk kanë më sasi në magazinë, për t’i furnizuar sa më shpejt të jetë e mundur me sasitë e nevojshme të Surface Pro 128GB,” shkruante të shtunën në blog Microsoft-i.

Kritikët shtojnë se ky reagim ‘i jashtëzakonshëm’ për Surface Pro nuk vërtetohet nga shifra konkrete mbi shitjet, pasi për momentin ka vetëm raportime se tableti është shitur plotësisht në pjesën më të madhe të dyqaneve. Prandaj pyetja që ngrihet është: sa njësi ishin të disponueshme fillmisht nëpër dyqane?. (PCWorld Albanian)

Surface Pro

Tags >

Surface
Lajmet e fundit>