Vëzhgim

Cili do të jetë domaini i Republikës së Kosovës?

Mar 18 2010
0 Shpërndarje
Cili do të jetë domaini i Republikës së Kosovës?

Nëse nuk e keni ditur, këto janë prapashtesa që shënojnë emra të domainëve përkatës për shfrytëzim të destinuar, si: com është domain i përgjithshëm i nivelit të lartë dhe kryesisht përdoret për regjistrim të përgjithshëm të web faqeve; org, domain i nivelit të lartë që shfrytëzohet për regjistrim të interesave publike; info, domain i përgjithshëm i nivelit të lartë; gov, domain i rezervuar ekskluzivisht për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës; uk, kodi shtetëror i domainit të Britanisë së Madhe; al, kodi shtetëror i Shqipërisë dhe shumë domainë të tjerë në internet me të cilët përballemi çdo ditë. Por lista e lartpërmendur e domainëve sigurisht që para vetes ju sjell një pyetje: Pse nuk është Kosova? Pavarësisht se vendi ynë më 17 shkurt 2010 ka festuar dyvjetorin e pavarësisë dhe është njohur nga 65 shtete të botës, prapëseprapë ende nuk e ka domainin e regjistruar në organet përkatëse. (Pikë) KS (KoSova), RKS (Republika e KoSovës) apo KV(KosoVa) ende nuk ekzistojnë për ne.

Mungesa e kodit shtetëror kufizon të drejtën e domainit
Për të fituar të drejtën e regjistrimit të domainit, një shtet sovran në radhë të parë duhet të ketë kodin e vet shtetëror, të cilën Kosova nuk e ka.
Kodi shtetëror i jepet një shteti të ri në momentin kur sovraniteti i tij njihet edhe nga Kombet e Bashkuara. Ky kod përbëhet nga dy shkronja dhe vendoset në bazë të standardit ndërkombëtar ISO 3166-1. Megjithëse ka të drejtë për aplikim për kod shtetëror dhe për të hyrë në listën e ISO 3166-1, Kosova privohet nga e drejta për shkak se duhet të ketë një vend në Kombet e Bashkuara. Politika do vazhdojë të bëjë të vetën deri në një moment të caktuar. Kështu ne ende vetëm mund të supozojmë se regjistrimi i domainit publik të Kosovës do të jetë (pikë) KS, RKS apo KV… Për shkak të këtyre pengesave teknike e më shumë politike, adresat e Kosovës që regjistrohen në internet, pra edhe adresat shtetërore, në vend që të marrin në fund prapashtesën .ks, ato detyrimisht duhet të zëvendësojnë këtë duke i regjistruar web faqe me vizë lidhëse, për shembull (www.kryeministri-ks.net), që në të ardhmen nuk do të ishte fare e nevojshme, por do të zëvendësohej me domainin shtetëror (pikë) ks. ICANN dhe IANA, organizatat botërore që kujdesen për domai-nët përkatës shtetërorë Korporata e Internetit për Përcaktimin e Emrave dhe Numrave, ICANN, dhe Autoriteti i Numrave të Përcaktuar të Internetit, IANA, janë organizata botërore që përkujdesen për sigurimin e përshtatjes së kodit shtetëror korrespondues ISO me root zonën DNS. Kjo do të thotë se në rast se Kosova dëshiron të shfrytëzojë web faqe që kanë prapashtesën .ks, .rks apo .kv apo edhe web faqe zyrtare institucionale .gov.ks, ajo përveçse duhet të jetë e njohur nga Kombet e Bashkuara, gjithashtu duhet të jetë e listuar edhe në root zonën DNS. Root Zona DNS koordinohet nga IANA. Ky është niveli më i lartë në hierarkinë DNS dhe përfshin delegimin e përgjegjësive më të larta administrative të “domainëve të nivelit më të lartë”, që janë segmenti i fundit i një emri domeni siç është .com, .uk dhe .nz. Pjesë e kësaj detyre përfshin evaluimin e kërkesave për të ndryshuar domainin e kodit shtetëror të operatorit si dhe mirëmbajtjen e përditshme të detajeve të operatorëve ekzistues Prania në root zonën DNS nënkupton automatikisht mundësinë e pranisë së domainit të njohur ndërkombëtarisht, (pikë) KS. Por, megjithatë këto dy organizata të lartpërmendura ICANN dhe IANA nuk janë organe vendimmarrëse rreth asaj se çfarë kodi shtetëror do të vërë në shfrytëzim një shtet e as që janë delegues të shpërndarjes së kodit shtetëror. IANA është autoritet që përkujdeset për të vendosur një listë neutrale me kode shtetërore me dy shkronja (në të cilën gjenden të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, por edhe disa shtete që nuk janë anëtare të saj) si dhe ka për detyrë që të krijojë ccTLD (Country Code Top Level Domain) të rinj për shtetin përkatës, por vetëm në momentin kur ai është i listuar në listën e ISO 3166-1.

Pse Kosova nuk ka ccTLD?

“Për të pasur një ccTLD, është kusht që vendi duhet të ketë kodin e vet shtetëror të listuar në standardin ISO 3166-1. ICANN nuk përfshihet në njohjen e vendeve dhe bazohet në këtë standard për definimin e saj”, deklaroi për PC World Albanian, Michele Jourdan, zëdhënëse e medias pranë ICANN. Pra, me një fjalë, ICANN dhe IANA mbeten neutrale për sa u përket këtyre vendimeve dhe këtë status të tyre e sigurojnë vendimet e marra nga Kombet e Bashkuara – një organizatë e njohur botërore dhe vendimmarrëse.  Ne shtruam pyetjen nëse dikush nga vendi ynë ka kontaktuar me ICANN në lidhje me çështjen e emrit të domainit të Kosovës, qofshin ata faktorë politik apo çfarëdo lloji tjetër. Michele u përgjigj “Ne vazhdimisht diskutojmë probleme rreth delegimit të domainëve niveleve më të larta, por nuk mund të komentojmë rreth tyre dhe se kush i ka propozuar ato.” Në anën tjetër, ka edhe një mundësi tjetër që Kosova të ketë domainin e saj. Pikërisht në formë të sponsorizuar, që ndryshe njihet si TLD (Top Level Domain), por edhe këtu ka kritere që kufizojnë mundësitë e Kosovës për një domain të vetin. “Sa i përket një TLD-je të sponsorizuar, siç është .CAT, nuk ka diçka të ngjashme në proces që mund të aplikohet për një .KOSOVO apo diçka të ngjashme në këtë moment. ICANN është duke zhvilluar politika të reja potenciale për të lejuar TLD të rinj të kësaj natyre, por në këtë moment nuk është e hapur për aplikime”, u shpreh zëdhënësja e ICANN në lidhje me këtë çështje. Gjatë muajit që shkoi, ICANN pati një takim politikash në Nairobi të Kenias, ku u biseduan edhe disa çështje në lidhje me lejimin e këtyre lloje regjistrimesh gjatë të ardhmes. Ajo që i duhet Kosovës të bëhet me ccTLD është anëtarësimi në standardin ISO 3166-1, për të cilin duhet të jetë anëtare e OKB-së, anëtare e ndonjë organizate të OKB-së ose pjesë e Statutit të Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë.

Shqipëria dhe ccTLD

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është autoriteti përgjegjës për administrimin e domainit .al. Zanafilla e ccTLD.al ka filluar në prill të vitit 1992 me iniciativën e Fakultetit të Shkencave Natyrore, Departamenti i Informatikës i Universitetit të Tiranës, në bashkëpunim me Francesco Gennai nga Italia, i cili kishte mundësuar teknikisht aktivizimin e ccTLD-së. Zyrtarisht, ccTLD e Shqipërisë fillon në vitin 1998, kur AKEP harton rregulloret dhe definon procedurat me të cilat u ndahen domainët përdoruesve. Sot për të regjistruar një domain .al nuk është edhe aq lehtë, siç thuhet në rregulloret e AKEP-së, domain .al mund ta regjistrojnë vetëm personat juridikë publikë dhe privatë: “Sipas Rregullores, deri në marrjen dhe publikimin e një vendimi tjetër nga Autoriteti Përgjegjës, të drejtën për të regjistruar një emër domaini në zonën ”.al” dhe nën domainët ”.com.al, .org.al dhe .net.al”, e kanë vetëm personat juridikë publikë dhe privatë si dhe personat fizik tregtarë me rezidencë të aktivitetit tregtar në territorin e Republikës së Shqipërisë të regjistruar si të tillë sipas legjislacionit në fuqi për këtë qëllim.” Pagesa për regjistrimin e domainit për dy vite kushton 75 dollarë amerikanë.

BOX:
ICANN (Internet Corporation for Assigned Names and Numbers) është themeluar në shtator të vitit 1998 nga qeveria e SHBA-ve. Disa nga detyrat e ICANN janë përgjegjësia për ndarjen e adresave të Internet Protocol (IP), menaxhimin e gTLD dhe ccTLD.
IANA (Internet Assigned Numbers Authority) është themeluar në vitin 1988 nga qeveria amerikane, por në vitin 1998 i delegon kompetencat e veta tek ICANN dhe e transferon IANA në njësi operacionale brenda ICANN. IANA sot merret me domain emra, IP adresa dhe protokolle interneti.
ccTLD (Country Code top-level domain) është domain i nivelit të lartë i rezervuar zakonisht për shtete (shtete sovrane apo territore të pavarura). Të gjithë identifikuesit ccTLD janë me dy shkronja. gTLD (Generic top-level-domain) Domain të nivelit të lartë me dy ose tre karaktere. Domainë si .com, .net, .org, .edu janë domainë të nivelit gTLD. ISO 3166 (International Standard for country codes) është Standard Ndërkombëtar për kodet shtetërore, që ka për qëllim rregullimin e kodeve për prezantimin e emrave të shteteve, territoreve ose hapësirave me interes gjeografik. Domain – Një domain përdoret për të identifikuar një server apo një kompjuter të veçantë në internet. Adresa e vërtetë e një serveri normalisht është një adresë numerike unike e quajtur IP (adresa IP). Ndërsa formojmë numrin IP, kjo do të na vendoste në një server. Për përdorueset e thjeshtë është shumë e vështirë që të mbajnë mend një seri numrash rendor. Emri i domainit zgjidh pikërisht këtë problem duke u dhënë mundësinë njerëzve që të përdorin një emër shumë më të lehtë për t’u mbajtur mend, për të pasur kështu një website të tyre.

Lajmet e fundit>