Blog

CIO u flet IT liderëve shqiptarë

Jan 30 2011
0 Shpërndarje
CIO u flet IT liderëve shqiptarë

Ajo që e bën të veçantë këtë njeri është përfshirja e tij direkte në analizimin dhe përpunimin e proceseve ekzistuese në një biznes duke identifikuar dhe zhvilluar elementet përkatëse përmes riformulimit të infrastrukturës fizike të ndërmarrjes, identifikimit dhe shfrytëzimit të resurseve të mençura dhe përmes integrimit të internetit në strategjitë afatgjate dhe afatmesme të planeve të biznesit.

Një CIO nuk ka nevojë të ketë kualifikim specifik; ai mund  të ketë ekspertizë në fusha të ndryshme, si Shkenca Kompjuterike, Inxhinieri Softuerike apo Sisteme Informimi, por në anën tjetër shumë kandidatë janë edhe Master në Administrim Biznesi apo Magjistër Shkence në Menaxhment. Shumica e aftësive të reja të CIO-ve, si ato të biznesit edhe strategjike, janë zhvilluar me rritjen e përvojës teknike. Ka raste kur pa problem një CIO mund të angazhohet nga ana e biznesit e një organizate, në veçanti nëse ka aftësi për menaxhimin projekteve.

Sot, pozita e një CIO nuk është e përkufizuar qartë aq sa duhet në rajonin tonë, veçanërisht në Kosovë e Shqipëri, edhe pse kohët e fundit me zhvillimin e tregut, konkurrencës dhe bizneseve ka pasur lëvizje pozitive.

Megjithatë, diçka ka munguar dhe një vrimë e moçme ka qëndruar e hapur në tregun e bizneseve të sektorit të teknologjisë informative dhe të telekomunikimit. Këtë vrimë më në fund do ta mbyllë revista prestigjioze botërore CIO, e cila është shpërblyer me mbi 160 çmime të ndryshme anembanë botës dhe sot po botohet edhe në gjuhën shqipe.

CIO në gjuhën shqipe do të mundësojë një afrim tërësisht të ri ndaj tregut, duke ofruar mundësinë e shkëmbimit të përvojave mes liderëve të bizneseve të sektorit të teknologjisë, duke ofruar këshilla të dorës së parë nga njerëz që kanë menaxhuar projekte të suksesshme, duke organizuar debate mes ekspertëve në profile të ndryshme të tregut dhe duke paraqitur hulumtime dhe analiza në nivele profesionale, të cilat prezantojnë qartazi zhvillimet, krizat apo zgjidhjet e mundshme në sektorin e teknologjisë informative.

CIO do të jetë vendtakim për të gjithë ata liderë që synojnë një qasje më ndryshe ndaj klientëve, partnerëve apo edhe konkurrentëve të tyre, duke ofruar atë që s’e ka ofruar askush deri më sot. Vetë synimi i CIO për të shërbyer si urë ndërlidhëse mes bizneseve që veprojnë në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë është ai që pa dyshim jep shenja të qarta se suksesi është i garantuar, ndërsa misioni i fushëveprimit është një tjetër element që tregon se CIO do t’u mundësojë komunikim direkt bizneseve në Kosovë me bizneset në Shqipëri dhe anasjelltas.

Përveç kësaj, kompanitë ndërkombëtare, të cilat e kanë synuar prej kohësh këtë treg në një nivel më të lartë, biznes me biznes, tani kanë mundësinë të shohin një pasqyrë edhe më të qartë të tregut dhe të kuptojnë se cilët janë ekzekutivët kryesorë që i shtyjnë kompanitë e tyre përpara, drejt zhvillimit dhe zgjerimit.

ITBM Group, padyshim që është më meritorja në këtë aspekt sepse pa këmbënguljen e saj nuk do të kishim pasur në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë, produkte të licencuara nga IDG, siç është PCWorld Albanian, gameworld.al e së fundi edhe CIO.al.  Kjo kompani që njëherësh është kompania jonë amë, nuk ka nguruar të përkrahë sektorin e teknologjisë informative dhe telekomunikacionit që viteve të fundit po përjeton një zhvillim të hovshëm në Kosovë e Shqipëri, duke sjellë produkte prestigjioze ndërkombëtare pranë lexuesit shqip-folës.

Lajmet e fundit>