Lajmet

Cloud-it të Microsoft-it i shtohet autentikimi me dy faktorë

Jun 14 2013
0 Shpërndarje
Cloud-it të Microsoft-it i shtohet autentikimi me dy faktorë

Microsoft ka shtuar autentikimin me dy faktorë edhe për shërbimin Azure përmes Active Authentication, një shërbim i ri ky që u mundëson ndërmarrjeve të sigurojnë aksesin e tyre në aplikacione si Office 365.

Active Authentication aktivizon autentikimin me dy faktorë për përdoruesit e versionit Active Directory të bazuar në Azure si dhe ndihmon në sigurimin e aksesit për Office 365, Windows Azure, Windows Intune, Dynamics CRM Online dhe aplikacione të tjera.

Zhvilluesit mund ta përdorin Active Authentication për të ndërtuar autentikimin me dy faktorë në aplikacionet apo direktoritë e tyre. Në këtë mënyrë, pasi punonjësit, partnerët e biznesit apo klientët kanë vendosur emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin, për të hyrë në llogarinë e tyre do t’u kërkohet të vërtetojnë identitetin e tyre përmes aplikacionit Active Authentication në smartfonin e tyre apo përmes një SMS-je apo telefonate automatike.

Autentikimi me dy faktorë është shndërruar në një temë mjaft të prekur muajt e fundit për shkak të vjedhjeve të profileve që kanë ndodhur së fundmi. Një nga më të bujshmet ishte hakimi i adresës së Associated Press në Twitter. Duke shtuar autentikimin me dy faktorë, reduktohet risku i hyrjes së paautorizuar.

Ashtu si shumë shërbime të tjera, edhe Active Authentication i Microsoft-it është mjaft i lehtë për t’u aktivizuar. Ai mund të bëhet nga stafi i IT-së përmes Azure Active Directory. Active Authentication vjen si rezultat i blerjes së PhoneFactor që bëri Microsoft-i disa muaj më parë.

Gjatë periudhës që ky shërbim është në fazën “preview”, përdoruesve do t’u duhet të paguajnë 1 $ në muaj ose 1 $ për çdo 10 autentikime. (PCWorld Albanian)

Microsoft

Lajmet e fundit>