Blog

Copy&Paste “Kosova Sot”

Apr 29 2011
0 Shpërndarje
Copy&Paste “Kosova Sot”

Kjo nuk është ndonjë risi për PCWorld Albanian, sepse lajmet tona mund t’i gjeni në shumë portale që janë në gjuhën shqipe dhe që kanë rubrikë të teknologjisë, dhe herë pas herë ato mund t’i gjeni në raste kur përmendet burimi i lajmit, por shumicën e rasteve kjo nuk ndodh (nuk po i përmendim me emra por lexuesit e PCWorld Albanian sigurisht i njohin). “Kosova Sot” një gazetë ditore e Kosovës, ia dedikon një faqe në javë tregut të teknologjisë informative dhe as këtë faqe që e rezervon një herë në javë për këtë treg të jashtëzakonshëm nuk është në gjendje ta krijojë vet, por gjithsesi duhet të shfrytëzoj teknikën “copy&paste” dhe të mbush një faqe. Kjo gazetë pa asnjë problem mbush këtë faqe me lajme prej nesh dhe prej portaleve tjera të pakta që gjenerojnë përmbajtje në vete për këtë sektor, dhe nuk kërkon fare leje për këtë gjë e as që i bie ndërmend të citojë burimin e artikullit.

Në fund të PCWorld Albanian është një rresht që thotë se “Të gjitha të drejtat e rezervuara. Riprodhimi i plotë apo i pjesërishëm në çfarëdo lloj forme apo mediumi pa autorizimin me shkrim nga PCWorld Albanian LLC është i ndaluar. PCWorld Albanian dhe PCWorld.al si dhe logot përkatëse janë marka tregtare të International Data Group Inc”, që është fjali e qartë që mbështetet edhe nga vet partneri ynë ndërkombëtarë IDG. Deri më tani nuk kemi marrë asnjëherë ndonjë masë ligjore kundër atyre që kanë kopjuar lajme prej nesh pa të drejtën autoriale, dhe madje në raste të caktuara vetëm kemi dërguar e-mail duke kërkuar që së paku të na citojnë si burim origjinal të lajmit.  Kjo ndodh si në versionin e shtypur të gazetës e ashtu edhe në versionin online.

Por kur ndodh kështu që të kopjohet lajmi tërësisht (jo një por sa e sa me radhë), realisht duhet reaguar dhe duhet theksuar edhe një herë sesa respektohen të drejtat autoriale në Kosovë, dhe sesa lehtë është të krijosh një shtojcë për gazetë me punën e të tjerëve.

Rasti i PCWorld Albanian nuk është unik, sepse jo rrallë ndodh që lajmet prej portaleve online si telegrafi.com t’i lexoni pikë për pikë në gazetat ditore, e natyrisht kjo është një tjetër dëshmi e mos respektimit të të drejtave autoriale. Në anën tjetër ka ndodhur që edhe ne të marrim lajme prej dikujt tjetër, por gjithsesi kemi cituar autorin, e kemi shkruar artikullin në emër të autorit ose kemi aluduar gjatë tërë kohës në bazë të autorit të tekstit.

Në fund më mbetet të them se ndoshta dikush prej “Kosovës Sot” do t’i lexojë këta rreshta dhe do ta ketë parasysh se nuk jemi të verbër por ju kemi përcjellë që sa e sa duke na kopjuar lajmet, prandaj keni respekt për punën tonë, ashtu si kemi respekt ne ndaj punës suaj. PCWorld Albanian nuk ka shfrytëzuar asnjëherë fuqinë ligjore përmes IDG por nëse vazhdohet kështu kjo gjë mund të ndodh. Shikoni më poshtë një demonstrim.

Lajmet e fundit>