Lajmet

d3 – operatori i tretë i telefonisë mobile në Kosovë

Jan 3 2009
0 Shpërndarje
d3 – operatori i tretë i telefonisë mobile në Kosovë

Filloi zyrtarisht punën operatori i tretë i telefonisë mobile në Kosovë. D3 është operator virtual i telefonisë mobile i licencuar nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit në Qershor të këtij viti.

D3 është pjesë e Dukagjini Group dhe do të ketë prefiksin 043, derisa do të përdorin kodin ndërkombëtar të Sllovenisë +386. Si operator virtual, d3 përdor infrastrukturën e operatorit të telefonisë mobile IPKO dhe shërbimet që ky operator ofron.

Kompania ka lansuar edhe ueb faqen e vet ku janë paraqitur çmimet për thirrjet, ku thirrjet brenda operatorit d3 kushtojnë 0.10 Euro, gjithashtu thirrjet drejtuar kah operatori IPKO kushtojnë 0.10 Euro, derisa thirrjet në operatorin Vala dhe telefoninë fikse PTK kushtojnë 0.15 Euro. SMS mesazhet drejtuar kah operatorët e telefonisë mobile kushtojnë 0.05 Euro, derisa dërgimi i SMS mesazheve jashtë vendit kushton 0.10 Euro.

D3 tashmë ka nxjerr në treg 20.000 numra të rinj me kodin 043. Numri i ri kushton 5 Euro me 5 euro mbushje.

Çka është Operatori Virtual i Telefonisë Mobile?

Operatori Virtual i Telefonisë Mobile – OVTM (MVNO – Mobile Virtual Network Operator) është kompani e cila ofron shërbime të telefonisë mobile por nuk ka frekuencat e ndara për të nga autoritet e telekomunikacionit dhe gjithashtu nuk ka infrastrukturën e nevojshme për të ofruar shërbime të telefonisë mobile. OVTM i parë i suksesshëm ishte në Virgin Mobile në Angli i cili sot ka mbi 4 milion konsumatorë, që më vonë ka kaluar edhe në SHBA.

Në përgjithësi OVTM është një entitet ose kompani që punon në mënyrë të pavarur nga operatori i telefonisë mobile, që i jep mundësinë të caktojë çmimet e veta që janë në përputhje me kontratën që ka me operatorin e telefonisë mobil, të cilit ia shfrytëzon infrastrukturën.

OVTM-të kanë kontroll të plotë mbi SIM kartelat, rendimin, marketingun, faturimin dhe operacionet për kujdesin ndaj konsumatorëve. OVTM ofron shërbimet e njëjta me operatorët e telefonisë mobile dhe për konsumatorin nuk ka dallim mes Operatorit Virtual të Telefonisë Mobile dhe Operatorit të Telefonisë Mobile. Në botë sot operojnë mbi 255 OVTM, derisa mbi 150 janë vetëm në Evropë.

 

Lajmet e fundit>