Biznes

Dell bëhet kompani private në një marrëveshje prej 24,4 miliardë dollarë

Feb 6 2013
0 Shpërndarje
Dell bëhet kompani private në një marrëveshje prej 24,4 miliardë dollarë

Dell, pas disa javësh negociata, konfirmoi dje zyrtarisht se do te bëhet kompani private.

Kjo marrëveshje është në vlerë prej 24,4 miliardë dollarëve, përkatësisht 13,65 dollarë për aksion. Marrëveshja përfundimtare parashikon që Michael Dell, themelues, drejtor ekzekutiv dhe president i kësaj kompanie, në bashkepunim me kompaninë investuese teknologjike Silver Lake, do të marrin ne pronësi kompaninë.

Michael Dell në lidhje me këtë marrëveshje u shpreh me këto fjalë: “ Besoj se kjo marrëveshje do të hap një kapitull të ri dhe emocionues për Dell-in, blerësit tanë dhe anëtarët e ekipit. Ne mund të shpërndajmë vlerën aksionerëve, e po ashtu do të vazhdojmë të punojmë sipas planit të bashkëpunimit afatgjatë dhe të përqendrohemi në shpërndarjen e pajisjeve më të mira të klasës sonë për klient apo kompani private. Dell ka bërë përparim solid në përmbushjen e kësaj strategjie gjatë katër viteve të kaluara, mirëpo jemi të vetëdijshëm se do të duhet ende kohë, investime dhe durim, prandaj besoj se do të na mbështesin partnerët tanë nga Silver Lake, me të cilët ndajmë vizionin tonë.”

Dell vetëm në vitin 2012 humbi një të tretën e vlerës së vet, ndërsa prej vitit 2007 çmimet e aksioneve janë përgjysmuar – në atë kohë Michael Dell dha dorëheqjen nga posti i drejtorit ekzekutiv.

Në këtë marrëveshje biznesi mori pjesë edhe Microsoft i cili investoi 2 miliardë dollarë dhe Silver Lake, kompani investuese e cila së bashku me partnerët e vet investoi 15 miliardë dollarë për blerjen e Dell-it nga aksionerët ekzistues.

Dell kohët e fundit gjendet në probleme të mëdha pasi nuk u fokusua me kohë në tregun në rritje të tabletëve dhe smartfonëve. Edhe pse më vonë e kuptuan potencialin e këtij tregu, asnjë nga prodhimet e tyre nuk pati sukses, ndërsa konkurrentët gjatë asaj kohe përparuan shumë.

Dell tashmë nuk do të ketë nevojë për dërgimin e raporteve tremujore aksionerëve të vet, por do të jetë në gjendje të përqendrohet në përmirësimin e gabimeve dhe gjetjen e tregjeve më të mira.

Deklarata zyrtare e kësaj marrëveshje është në dispozicion në faqet e Dell-it. (PCWorld Albanian)

Oracle

Tags >

dell
Lajmet e fundit>