Lajmet

Dell Mini 9 shpërthen

Dec 23 2009
0 Shpërndarje
Dell Mini 9 shpërthen

Hannah, një lexuese e The Consumerist, ka raportuar në këtë faqe web se netbooku i sajë Dell Mini 9 ka lëshuar një krisje të shoqëruar me shkëndija pasi ishte vendosur mbi parketin e dhomës së ndenjes.

“Natën që shkoi shkëputa laptopin tim nga spina, e zbrita poshtë dhe e vendosa në dyshemenë e drunjtë të dhomës sime të ndenjes.
Dëgjova një krismë të fortë dhe dhoma u mbush menjëherë me tym ndërkohë që laptopi lëshonte shkëndija dhe fëshfërima deri sa pushoi. E shtyva me këmbë dhe vazhdoi dhe pak, ndërkohë që në dysheme kishte lënë një shenjë mjaft të dukshme.
Sidoqoftë, jam e lumtur që laptopi nuk ndodhej në divanin tim apo në një aeroplan”

Pasi Hannah kontaktoi The Consumerist, këta të fundit informuan Dell. Kompania menjëherë pagoi shpenzimet postarte për tërheqjen e netbookut dhe i dërgoi asajë një netbook të një modeli më të ri se i dëmtuari.

“Ne marrim seriozisht çdo çështje të ngjashme sigurie dhe ekipi ynë heton në thellësi ngjarje të tilla” deklaroi Dell.

Është një betejë e pambarim ndërmjet çmimit dhe cilësisë, dhe kur bëhet fjalë për kategorinë absolutisht më të lirë të kompjuterave dhe laptopëve sëbashku, pra netbookët, mund të ndodhë që të tejkalohen masat e cilësisë dhe rrjedhimisht ato të sigurisë. Është raportuar shpesh dhe në Shqipëri për problem të netbookëve më të lirë si Aspirë One të Acer apo modele Samsung.

Duket se të shtyrë nga ideja e konsumit super-të-ulët të procesorit Atom, prodhuesit neglizhojnë në mënyrë të pafalshme në ftohjen e tij, duke vendosur shpesh mbi të vetëm një mbulesë metalike dhe një ventilator që duhet të nxjerrë ajrin e nxehtë. Meqë sisteme të tilla kanë mangësi në sipërfaqen e kontaktit me ajrin, ato realisht nuk nxjerrin shumë nxehtësi nga pajisja, dhe përdoruesit i duket se kompjuteri po punon mjaft mirë, por në të vërtetë, e gjithë nxehtësia mbetet e izoluar brenda dhe procesori me chipsetin shpesh arrijnë temperature pranë 100°C.

Lajmet e fundit>