Analiza

Deri në 2045 kompjuterët mund të jenë më të mençur sesa njerëzit

Nov 19 2012
0 Shpërndarje
Deri në 2045 kompjuterët mund të jenë më të mençur sesa njerëzit

Futurologu i njohur botëror konsideron se pajisjet kompjuterike do të bëhen më inteligjente se njerëzit dhe mund të presim “integrim më të thellë ndërmjet njerëzve dhe kompjuterëve”.

Ray Kurzweil është një ndër futurologët më të njohur në botë, dhe është themelues i Universitetit Singularity, autor i disa librave për intelegjencën artificiale, shëndetësinë dhe singularitetit teknologjik dhe një ndër njerëzit që ka një meritë për zhvillimin e softuerit i cili të shkruarit e kthen në të folur.

Vizioni (radikal) i tij për ardhmërinë është frymëzuar në përparimin e madh teknologjik. Ai shpreh një mirënjohje për prodhimet Google, si veturave të cilat udhëhiqen nga kompjuteri dhe syzeve të cilat përmbajnë realitet virtual. Parashikimet e tij sot duken shumë reale.

Shpikje të së ardhmes

Në fjalimin e tij në konferencën Demo Silicon Valley, Kurzweil i përshkroi parashikimet e tij për të ardhmen dhe pret që deri në vitin 2045 do të arrijë gjendja e singularitetit teknologjik në të cilën teknologjia do të mundësojë krijimin e “intelegjencës kompjuterike mbinjerëzore” në të cilën mund të presim integrim më të thellë të njerëzve dhe kompjuterëve, për shkak të cilës, siç edhe e ka cekur më herët, njerëzit mund të bëhen të “pavdekshëm”!

Ai theks të veçantë vuri pikërisht në inteligjencën artificiale dhe thotë se inteligjenca e kompjuterëve deri në vitin 2029 mund ti konkurrojë inteligjencës së njerëzve dhe se kompjuterët do të mund të qajnë dhe të qeshin.

Po ashtu, Kurzweil beson se në të ardhmen njerëzit mund të jetojnë në realitet virtual, kurse duke u mbështetur në teknologjinë e re (cloud) përmes së cilës truri ynë do të lidhet, gjithmonë mund të mësojmë gjëra të reja (edhe në pleqëri), kurse disa pjesë të kujtimeve tona mund ti fshijmë.

Kështu do të duket përditshmëria!

Rreth vitit 2030 “nanobot” të vegjël sa qelizat e gjakut mund ti shërojnë dhe ti ruajnë organet tona, që do të bëjë që njerëzit të bëhen më të mençur dhe më të shëndetshëm.

Përveç në fushën e realitetit virtual, inteligjencës artificiale dhe shëndetit të njerëzve, përparimi i teknologjisë do të ndryshojë edhe mënyrën e prodhimit, kështu që Kurzweil beson se në të ardhmen rëndësi të madhe në prodhim do të kenë printerët 3D, ku do të ekzistojnë stacione publike 3D për printim, ku njerëzit mund të shtypin çfarë dëshirojnë si rroba, lodra dhe gjëra tjera.

Çfarë mendoni ju, a do të bëhen me të vërtet kompjuterët deri në vitin 2045 më të mençur sesa njerëzit, e njerëzit të shndërrohen në “kiborg” dhe a kemi arsye për frikë nga skenari sikurse ai nga filmi Terminator? Na shkruani në komente rreth mendimeve tuaja. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>