Lajmet

Dështojnë negociatat mes Apple dhe Samsung

May 24 2012
0 Shpërndarje
Dështojnë negociatat mes Apple dhe Samsung

Samsung dhe Apple kanë dështuar në bisedimet e tyre për të gjetur një zgjidhje për dallimet rreth patentave. Ndalesa e radhës- nëse gjykatësit nuk urdhërojnë një raund të ri bisedimesh- është gjykata e lartë.

Pavarësisht faktit se shefat ekzekutivë të Apple dhe Samsung ishin obliguar nga gjykata për të negociuar për dy ditë radhazi, ekzistonin ende shpresa se dy kompanitë do të gjenin një zgjidhje rreth dallimeve ligjore pa nevojën e një procesi gjyqësor.

Megjithatë, ashtu edhe  siç është pritur të dy ekzekutivët nuk kanë mundur të tejkalojnë dallimet e tyre, thuhet në një komunikatë për shtyp të Samsung, për gazetën Korea Times.

Lajmi për dështim në gjetjen e ndonjë zgjidhjeje nuk është befasi pasi këto dy kompani kanë shumë mosmarrëveshje në mes vete. Para pak kohësh, një gjykatë e apelit në ShBA riktheu një vendim të një gjykate më të ulët duke i dhënë Apple dritën jeshile për të akuzuar Samsung-un për kopjim të Galaxy Tab 10.1.

Shefi ekzekutiv i Samsung, Choi Gee-sung, së bashku me shefin e divizionit mobil Shin Jong-kyun, u takuan me shefin e Apple, Tim Cook dhe skuadrën e tij ligjore në Kaliforni për nëntë orë rresht të hënën dhe shtatë orë të martën.

Samsung, vazhdimisht akuzon Apple për përdorim të patentave të saj të transmetimit wireless, kurse Apple në anën tjetër pretendon se Samsung ka kopjuar dizajnin e saj në linjën e produkteve Galaxy.

Bisedimet dyditore të urdhëruara nga gjykata kishin për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje nga kompanitë, duke shmangur kështu një proces të gjatë dhe të shtrenjtë që mund të pasoj. Megjithatë, duket se këto dy kompani kurrë nuk do të jenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje, dhe përfundimisht do të futen në një proces të gjatë dhe shumë kompleks që gjykatat amerikane kanë pasur ndonjëherë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>