Harduer

DigiTimes: Nokia pritet të lançojë tabletin Lumia 2020 në fillim të vitit 2014

Nov 23 2013
0 Shpërndarje
DigiTimes: Nokia pritet të lançojë tabletin Lumia 2020 në fillim të vitit 2014

lumia-2520-colors-970x0Nokia u bë pjesë e tregut të tabletëve Windows kur prezantoi në muajin tetor pajisjen Lumia 2520, një tablet me ekran 10.1 inç dhe sistem Windows RT 8.1.

Ende pa u hedhur në treg kjo pajisje, kanë filluar të qarkullojnë fjalë mbi projektin e ardhshëm të tabletit të ri që deri tani njihet me emrin Lumia 2020.

Ky lajm është bërë i njohur nga agjencia e lajmeve DigiTimes, në një raport ku zbulohen planet e prodhuesve të tabletëve. Një përmbledhje të këtij raporti mund t’a lexoni këtu.

Emri i tabletit Lumia 2520 lidhet me përmasat e ekranit, rreth 25 cm ose ndryshe 10.1 inç. Duke marrë parasysh këtë gjë, ka kuptim të mendojmë se modeli 2020 mund të ketë ekranin 20 cm ose rreth 8 inç.

Tabletët e vegjël kanë përmirësuar ndjeshëm pjesën e tregut që disponon Android dhe Microsoft dëshiron të shohë nëse do të ndodhë e njëjta gjë për sistemin Windows. Megjithatë Nokia nuk do të jetë e vetme në treg duke qenë se Lenovo, Toshiba, Dell dhe Acer do të ofrojnë tabletë të ngjashëm me ekrane 8 inç.

Kjo nuk është hera e parë që përhapen fjalë rreth planeve për lançimin e një tableti Nokia me përmasa 8 inç. Në fillim të këtij muaji u publikua një status në profilin @evleaks në Twitter që i referohej pikërisht kësaj pajisjeje. Edhe sipas këtij burimi tableti pritet të ketë sistem Windows RT 8.1.

Ndërkohë, faqja e publikimit të lajmeve teknologjike The Verge ka njoftuar se tableti do të jetë i pajisur me një proçesor Qualcomm Snapdragon 800 dhe pritet të lançohet vitin tjetër.

DigiTimes e ka detajuar më tepër periudhën e lançimit duke raportuar se do të jetë tremujori i parë i vitit 2014 që do të thotë se mund të lançohet në Kongresin Ndërkombëtar të pajisjeve Mobile në fund të muajit shkurt. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>