Analiza

Disqet Solid State bëhen masive

Aug 31 2009
0 Shpërndarje
Disqet Solid State bëhen masive

Pothuajse kushdo ka dëgjuar diçka rreth disqeve të tilla, por vetëm kohët e fundit po shikojmë që ato po fillojnë të bëhen një alternativë në përdorimin e përditshëm. Qendra e testimeve të PC World vlerësoi tetë modele për të parë se si performanca ndryshonte mjaft midis tyre, madje edhe në krahasim me modelet me disk magnetik. Deri në shfaqjen e SSD-ve, luajtja e të dhënave në PC u besohej disqeve magnetike, të cilat kanë shumë pjesë të lëvizshme (përfshirë një motor rrotullues, një grup lëvizës dhe koka shkruese/lexuese, të cilat luhaten 10 nanometra nga sipërfaqja e diskut). Ndryshe nga ato, SSD-të përbëhen nga çipa të memories flash NAND. Mungesa e pjesëve lëvizëse tek SSD-të u jep atyre një avantazh ndaj disqeve tradicionalë në shumë drejtime. Së pari, SSD-të janë më rezistente ndaj goditjeve sesa disqet magnetike; ato kanë më pak pika potenciale për defekte mekanike dhe janë në gjendje të përballojnë tronditje të shpejta dhe mjaft të forta. Së dyti, SSD-të virtualisht nuk prodhojnë asnjë lloj zhurme, çka i bën ato ideale për PC-të që vendosen pranë ambienteve të ndenjes. Ato gjithashtu prodhojnë më pak nxehtësi dhe konsumojnë më pak energji dhe kjo bën që të mos kenë nevojë për ventilatorë ftohës, duke i shtuar edhe më shumë qetësi veprimit të tyre krahasuar me hard disqet që rrotullohen. Së fundmi, për shkak të kompaktësisë, SSD-të mund të përshtaten për t’u përdorur në vende mjaft të vogla. SSD-të e sotme zakonisht i përshtaten formatit 1.8 inç apo 2.5 inç të hard disqeve dhe shpesh përdorin të njëjtët konektorë të disqeve magnetike (fillimisht Parallel ATA dhe tani Serial ATA-300). Një SSD mund të vendoset në një laptop apo desktop duke përdorur standardet aktuale të industrisë. Për pasojë, blerësit duhet t’i shikojnë SSD-të jo si një zëvendësues, por si një produkt komplementar përkrah hard disqeve normalë. Në çmim, SSD-të aktualisht kanë pak shpresë për të konkurruar me disqet standarde dhe situata nuk do të ndryshojë për së shpejti. Prisni që të paguani mbi 2.75$ për GB për një SSD ndaj vetëm $0.25 për GB të një disku standard. Gjithashtu kapaciteti mbetet relativisht i kufizuar: 456 GB është aktualisht kapaciteti më i lartë i SSD-ve të zakonshëm (disa modele të veçanta arrijnë 500 GB, madje dhe 1 TB, por ato kanë kosto stratosferike dhe paketohen në kasa prej 3.5 inç; shikoni “Së shpejti SSD 1TB – me një çmim të mprehtë” në faqen 26). Për shkak të këtij kufizimi, prodhuesit e SSD-ve nuk kanë në objektivin e tyre përdorues me kërkesa të mëdha hapësire. Nëse keni nevojë për kapacitet të partë, shikoni nga disqet standarde; ato mund t’ju ofrojnë më shumë se trefishin e SSD-ve për një pjesë fare të vogël të çmimit të tyre. (Një tjetër mundësi për përdoruesit e PC-ve: përdorni një SSD si disk primar ku ruani sistemin dhe aplikacionet tuaja dhe një disk më të madh standard për të ruajtur të dhënat.)
Me gjithë disavantazhet, SSD-të janë dukë hyrë në segmentin e mesëm të tregut për shkak të shumëllojshmërisë së modeleve dhe çmime ve të ulëta të vitit të fundit për shkak të konkurrencës në rritje dhe efektivitetit më të lartë të prodhimit.
Në vend që t’ia shesë SSD-të e tij direkt konsumatorit, Samsung ua shpërndan ato prodhuesve të laptopëve dhe prodhuesve të tjerë të disqeve për t’i përdorur në produktet e tyre. Siç dihet, Intel ka filluar të përdorë kohët e fundit procesorin e ri 34 nm për qeliza memoriesh flash shumështresore, të cilat konsumojnë më pak energji dhe janë gjithashtu më të lira për t’u prodhuar.

SSD, pro dhe kundër

Performanca gjithashtu ka përmirësime, por përfitimet nuk janë të dukshme për të gjitha aplikacionet. Për momentin, SSD-të kanë shpejtësi më të mira leximi, por në shkrim ato renditen prapa disqeve magnetike me 7200 rpm (dhe shpesh edhe pas atyre me vetëm 5400 rpm). Krahasuar me disqet standarde, SSD-të mundësojnë vonesa më të vogla, që përkthehet në shpejtësi më të mëdha në aksesimin e të dhënave. Për shembull, Intel thotë se koha e aksesit të një hard disku tipik është 4000 milisekonda, ndërsa X-25M i kompanisë vlerësohet me 65 milisekonda. SSD-të gjithashtu kanë kohë më të shpejta kërkimi sesa hard disqet normale. Pajisjet më të reja si X-25M përmirësojnë ndjeshëm performancën në shkrimin e çfarëdoshëm dhe kjo mund të ketë një impakt pozitiv mbi reagimin e sistemit dhe të programeve. Por jo të gjitha SSD-të janë krijuar njësoj. Çdo gjë prej burimit në NAND-eve flash deri tek chipsetet, kontrolluesit dhe algoritmet për nivelimin e konsumimit (më shumë rreth kësaj pas pak) mund të ndikojnë në performancë. Flashi me qeliza njënivelëshe (SLC), për shembull, është më i kushtueshëm se ai me qeliza shumënivelëshe (MLC), por është gjithashtu i aftë të rezistojë më shumë. Pjesa më e madhe e SSD-ve për konsumatorë sot kanë flash MLC; kur disqet janë shumë më të kushtueshme apo kur shiten si “pajisje ndërmarrjeje”, arsyeja mund të jetë përdorimi i flashit SLC. Megjithëse tregu i SSD-ve është i mbushur me oferta, vetëm pak kompani, si Intel dhe Samsung, prodhojnë memorien flash. Ato i furnizojnë shitësit me memorien apo shpesh dhe vetë paketën e diskut dhe në këtë rast shitësi thjeshtë e riemëron pajisjen si të tijën. Për shembull modeli Crosair në tabelën tonë është një disk Samsung në brendësi. (Megjithëse kemi përfshirë një disk Samsung në tabelën tonë, kompania nuk ua shet ato konsumatorëve, por vetëm prodhuesve të laptopëve apo rishitësve të tjerë.)  Vitin që vjen, pres që tregu të hollohet pak, me pak prodhues të mbetur në krye, ndërkohë që SSD-të kërkojnë më shumë masivizim. Një aspekt kritik, por gjerësisht i papublikuar i SSD-ve, zvogëlon paksa interesin teknologjik për to. Në krahasim me hard disqe standarde, qelizat NAND të memories flash mund të konsumohen shumë shpejt gjatë përdorimit. Për këtë arsye, prodhuesit përdorin algoritme për nivelimin e konsumimit, të cilat tentojnë të shkruajnë të dhënat në mënyrë uniforme mbi të gjitha qelizat flash. Nëse këto algoritme janë apo jo efektive në periudha afatgjata mbetet sidoqoftë për t’u parë dhe konsumatorët duhet për momentin t’i besojnë fjalës së prodhuesit mbi efektivitetin e mbrojtjes së të dhënave të tyre; përdoruesit nuk kanë se si ta matin nivelin e konsumimit të diskut të tyre. Një tjetër problem: SSD-të mund të ofrojnë shpejtësi marramendëse, por me kalimin e kohës, kjo mund të degradojë, në varësi të mënyrës se si e përdorni diskun. Ndryshe nga hard disqet standarde, natyra e çfarëdoshme apo sekuenciale e aksesit të të dhënave do të ndikojë në performancën e mëvonshme. Shkrimet sekuenciale zakonisht lënë blloqe të mëdha hapësirash dhe e bëjnë riciklimin apo mbledhjen e mbeturinave më të shpejtë. Megjithatë, çdo SO bën shkrime të çfarëdoshme, të cilat përdoruesi nuk mund t’i kontrollojë; në shkrimet e çfarëdoshme, hapësira e mbetur është mjaft e vogël dhe kjo e bën riciklimin e hapësirës një proces shumë më të gjatë. Disa prodhues, mes tyre dhe Intel, hamendësojnë jetëgjatësinë e produkteve të tyre mes specifikimeve të tjera (Intel thotë pesë vite). Së bashku me prodhues të tjerë të SSD-ve, Intel përdor të njëjtën matje që përdorin dhe hard disqet standarde, duke iu referuar pritshmërisë së jetëgjatësisë si periudha mesatare midis defekteve. Midis prodhuesve të SSD-ve të cilët e rreshtojnë këtë specifikim, ka një MTBF (mean time between failures) midis 1 dhe 1.2 milion orësh, megjithëse të paktën njëri (Samsung) shkon mbi 2 milionë orë, duke i vendosur pajisjet e tij në apo mbi nivelin e atyre profesionale për sa i përket besueshmërisë dhe shumë më lart se ato të klasit mesatar të konsumatorit. Prodhuesit as që nuk e listojnë këtë specifikim për hard disqet e konsumatorit (Shih find.pcworld.com/63547 për më shumë informacion mbi vlerësimin e MTBF).

Arritje dhe dështime
Në testin tonë prej tetë disqesh, tre prej tyre eklipsuan pjesën tjetër të fushës. Në krye të grupit ishte X25-M i Intel. Ai përparoi shkëlqyeshëm në testet tona dhe doli gjithmonë në krye apo në barazim statistikor me numrin dy të renditjes, SSD-në Samsung MLC. Pak sekonda pas tyre, ishte Crosair P256 – një rezultat jo i papritur po të mendosh që ka një disk Samsung në brendësi. Në mesin e renditjes gjenden Torqx i Patriot dhe Ultra SATA SSD i Super Talent, me çmime mjaft të kënaqshme prej 405$ dhe 355$ përkatësisht. Drejt fundit të klasifikimit ishin dy modele Ritek (riData ultra-s sata 64Gb dhe 128Gb) dhe Disku Solid State M-Class i Imation. Që të tre u rropatën në përpjekje për të kopjuar 3 GB të përbërë nga fajle dhe skedarë si dhe në kopjimin e një fajli të madh; mbase sepse nuk kanë qenë duke përdorur shkrimin paralel, më se i nevojshëm sidomos në një disk flash, ku ciklet e fshirje-shkrimit janë vetvetiu të vonuara. Megjithëse disku i Imation ishte i ngadaltë, më pëlqyen dy prej tipareve të tij; ai ka një kuti për përdorim brenda dhe jashtë PC-së si dhe përfshin një përshtatës USB për përdorim të jashtëm. Ndërkohë që disqet e tjera këtu nuk ju ofrojnë këtë lloj fleksibiliteti afatgjatë.
Për shkak të çmimit të tyre për gigabajt akoma shumë të lartë, SSD-të kanë ende një ndikim shumë të përzier. Potenciali më i madh i efektivitetit të kostos arrihet kur përdorni një SSD së bashku me një disk standard (një opsion më i paarritshëm për përdoruesit e laptopëve). SSD-të janë performues të mirë, sidomos në proceset intensive të leximit dhe mund t’i japin një sistemi të vjetruar një jetë të re, por duhet të shqyrtoni nëse përfitimet në shpejtësi e justifikojnë humbjen në hapësirë ruajtjeje.

Lajmet e fundit>