Lajmet

Dita e Microsoft-it në Tiranë: Inovacioni është çelësi i suksesit

Nov 14 2012
0 Shpërndarje
Dita e Microsoft-it në Tiranë: Inovacioni është çelësi i suksesit

Microsoft Albania ka mbajtur ditën e mërkurë në Tiranë  eventin “Microsoft Day”, kushtuar promovimit dhe prezantimit të produkteve më të reja të kompanisë. Në konferencë ishin të pranishëm profesionistë shqiptarë dhe të huaj nga Microsoft-i e më gjerë, ministri i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Shqipërisë Genc Pollo si dhe Edlira Kasaj, drejtore ekzekutive e Protik.

Eventi, i cili pati mbështetjen dhe partneritetin e plotë nga PC World Albanian, u zhvillua gjatë gjithë ditës në ambientët e Hotel Sheraton Tirana.

Theksi kryesor u vu sigurisht mbi inovacionin. Arsen Kurti, menaxher i përgjithshëm tek Microsoft Albania e hapi konferencën me fjalët se inovacioni është çelësi i suksesit të një kompanie dhe Microsoft    fokusohet tek talentet dhe risitë.

Në fjalën e tij, ministri Pollo vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë mes qeverisë shqiptare dhe Microsoft Albania. Ai tha se vetëm me krijimin e kushteve të duhura do të arrihet rritja e komunitetit të IT-së dhe teknologjisë së komunikimit në Shqipëri, dy fusha kyçe që i shërbejnë shoqërisë së sotme. Pollo bëri një paraqitje të shkurtër mbi implementimet e reja në Shqipërinë dixhitale, si pajisja e universiteteve me laboratorë të kohës, ngritja e Qendrës së Ekselencës dhe theksoi se qeveria ka bashkëpunuar dhe është e hapur për të bashkëpunuar në të ardhmen jo vetëm me kompani të mëdha të teknologjisë si Microsoft, por edhe me kompani të tjera përfshi këtu edhe startup-et.

 

Në vazhdim, Edlira Kasaj, drejtore e Protik prezantoi për publikun misionin e kësaj qendre, e cila synon të ndihmojë tregun shqiptar e të organizojë takime mes bizneseve me njëra-tjetrën si dhe mes qeverisë dhe bizneseve. Ajo u shpreh e kënaqur që Protik punon me teknologjinë e Microsoft dhe falenderoi kompaninë për mbështjetjen e vazhdueshme.

Pjesa e dytë e konferencës u fokua totalisht tek prezantimi i produkteve më të reja nga Microsoft. Specialistë shqiptarë dhe të huaj treguan përmes demove funksionimin dhe përparësitë e tyre, duke krijuar herë pas here edhe diskutime me të pranishmit në sallë mbi shkëmbimin e eksperiencës së punës me këto platforma.

Arben Myrtaj, Account Technology Strategist në Microsoft, shpalosi përfitimet e Microsoft Flexible Workstyle duke folur mbi zgjidhjet që i jep ajo sfidave të kompanive. Duke qenë se Microsoft ndodhet në funksionimin e shumë pajisjeve të ndryshme nga njëra-tjetra, përmes teknologjive të kompanisë arrihet të krijohet komunikimi mes tyre.

 

Luka Manojlovic, profesionist nga Sllovenia dhe Vassilis Ioannidis prezantuan të rejat e Windows Server 2012 dhe SQL 2012.

Në vijim, Tomaz Perc foli mbi Microsoft Dynamics CRM, duke theksuar se si Microsoft, ashtu edhe partnerët e tij punojnë vazhdimisht mbi zgjerimin e platformës duke ndërtuar njëkohësisht produkte të fokusuara në nevojat e bizneseve të ndryshme si bankat, shoqëritë e sigurimit, sektorit publik etj. Ai shtoi se kompania do të vazhdojë të përmirësojë produktin, të rrisë integrimin në cloud si dhe të zgjerojë numrin e përdoruesve të CRM.

Shefi i Zyrës së Teknologjise  i iKub, Elton Ropi foli në aspektin praktik mbi përvojën e tij në zgjidhjet që ofron Microsoft për Enterprise Service Bus. Ai u përqëndrua në implementimin e projektit të qeverisë, Government Gateway, e cila lidh qytetarët, organizatat dhe qeverinë me njëra-tjetrën.

 

Government Gateway nuk është gjë tjetër veçse një hub inteligjent ku kalojnë gjithë dokumentet e biznesit. Përdorimi i saj vihet re në shërbimet mes qytetarëve dhe qeverisë, si p.sh deklarimi i taksës së të ardhurave personale, po ashtu tek lidhja mes organizatave dhe qeverisë përmes raportimit të TVSH-së, sigurimeve shoqërore etj. si dhe shkëmbimit të të dhënave mes vetë institucioneve qeveritare.

Së fundmi, Ervin Nallbani, Premier Field Engineer në Microsoft Albania, foli mbi optimizimin e IT-së në cloud përmes Hyper-V dhe System Center. Ai vuri në dukje krahasimin mes tre versioneve të fundit të Windows Server, duke prezantuar edhe njëherë risitë që sjell versioni i ri i 2012-s si dhe foli më konkretisht mbi përdorimin e këtyre platformave dhe mundësive që ato ofrojnë për bizneset e më gjerë.

Fundi i konferencës solli edhe hedhjen e llotarisë së Microsoft për të pranishmit në sallë, për fitimin e tabletëve dhe smartfonëve. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>