Lajmet

Dita e parë e Balkan Venture Forum në Tiranë: Diskutime dhe prezantime idesh inovative

Nov 15 2013
0 Shpërndarje
Dita e parë e Balkan Venture Forum në Tiranë: Diskutime dhe prezantime idesh inovative

cropped-logo-BkVF-Tirana-mediumËshtë hapur për herë të parë në Tiranë edicioni i katërt i Balkan Venture Forum, eventi që konsiderohet si forumi më i madh i investimeve në Evropën Jug-Perëndimore.

Ai synon të sjellë së bashku sipërmarrësit më të njohur të rajonit, kompanitë startup, investitorët e huaj etj., për të nxjerrë në pah sipërmarrjen, për të lehtësuar aksesin e financimit, për të promovuar komercializimin e ideve inovative si dhe për të mbështetur zhvillimin e kompanive startup në Ballkan.

Eventi u hap nga zëvendës kryeministri i Shqipërisë Niko Peleshi, i cili foli shkurtimisht mbi planet e qeverisë së re. Ai tha se tashmë gjithçka është planifikuar, në terma afatshkurtër dhe afatmesëm dhe ka filluar implementimi i aktiviteteve që i mbështesin këto plane. “Në Shqipëri ka nevojë për një model të ndryshëm biznesi,” shtoi ai duke iu referuar menaxhimit dhe inovacionit të kompanive shqiptare.

DSC03971Tashmë që vendi ynë është shumë afër Bashkimit Europian, theksoi Peleshi, është e nevojshme që inovacioni të arrijë kulmin e tij.

Zëvendës kryeministri vuri në dukje faktin se investitorët dhe inovatorët do të gjejnë një klimë të përshtatshme nga qeveria, e cila do të mirëpresë çdo ide të re e me prespektivë. Qeveria, përfundoi ai, do të jetë partnerja e bizneseve dhe jo pengesa e tyre.

Edhe përfaqësuesi i USAID, Jim Barnhart, theksoi nevojën e Shqipërisë për biznese inovative, por njëkohësisht vuri në dukje rëndësinë që duhet të marrin disa çështje të rëndësishme në këtë fazë siç është respektimi i të drejtës së autorit.

Ai tha gjithashtu se ndihej i kënaqur që në Shqipëri u arrit të hapej vitin e kaluar, në bashkëpunim me qeverinë, qendra burimore Protik, e cila operon pozitivisht në organizimin e eventeve që synojnë të promovojnë inovacionin si dhe ndihmon në sektorin e kërkimeve në fushat e ICT-së.

DSC03948Forumi vazhdoi me fjalimin impresionues të Baybars Altuntas, në të cilin u përmendën udhëzime të dobishme që ndihmojnë një sipërmarrës të jetë i suksesshëm. Ai foli mbi rëndësinë e inovacionit dhe dha shembuj konkretë nga përvoja e tij shumëvjeçare.

Në vijim të forumit u mbajt paneli i parë, ku u diskutuan disa prej mënyrave se si mund të financohet një kompani startup.

Profesionistët e huaj të panelit dhanë disa këshilla për gjithë sipërmarrësit e rinj të pranishëm, para se të kërkojnë për investitorë apo financues të startup-eve të tyre. Një prej tyre është të pasurit e profesionistëve të duhur, të cilët duhet të jenë plotësisht të përkushtuar.

DSC03966T’i dëshmosh investitorëve se çfarë je në gjendje të bësh, qoftë përmes projekteve të kaluara, apo qoftë përmes një prototipi që bazohet në idenë e startup-it tënd është po ashtu një nga mënyrat më të mira për t’i bindur ata të financojnë kompaninë.

Një nga pjesët më të rëndësishme të forumit është prezantimi i ideve të sipërmarrësve të rinj, i cili është i ndarë në katër pjesë. Gjatë ditës së enjte u zhvilluan dy seksione me hedhjen e ideve të reja, të cilat do të gjykohen më pas nga juria profesioniste dhe në fund të ditës së premte do të shpallen kompanitë më të mira, të cilat do të prezantojnë idetë e tyre në dhjetor në European Venture Summit, në Gjermani. Kompanitë startup ishin aktive në fushën e ICT-së dhe operonin në vendet e Ballkanit.

Idetë e prezantuara gjatë të enjtes ishin të larmishme, duke filluar nga portalet tregtare për shitblerjen e pronave private madje edhe atë të ilaçeve, tek platformat për financimin e projekteve inovative ballkanike, krijimi i një tregu të veçantë për sportin e skive, menaxhimin e proçesit të zgjedhjeve vendore dhe lokale, laboratorët për ndarjen e ideve inovative e deri tek industria e energjisë së rinovueshme apo paneleve të izolimit të zhurmës etj.

DSC03970Në panelin e dytë të ditës së enjte u fol mbi fushat më premtuese për inovacion. Anëtarët e panelit u shprehën se kur vjen puna tek inovacioni, nuk ka një fushë të caktuar ku duhet të synojmë të gjithë, edhe pse nuk lanë pa përmendur disa sektorë me të ardhme si aplikacionet mobile, mjekësia e ndërthurrur me teknologjinë, printimi 3D, realiteti i zgjeruar etj.

E rëndësishme është, thanë ata, që sipërmarrësit e rinj të kenë vullnet për t’u ngritur sërish pas disfatave dhe të mos rreshtin kurrë së tentuari.

Eventi do të vazhdojë edhe gjatë gjithë ditës së premte ku do të ketë sërish panele diskutimi me sipërmarrës të suksesshëm të rajonit si dhe pjesa tjetër e sipërmarrësve të rinj do të prezantojnë idetë e tyre para jurisë. Forumi do të përfundojë me ceremoninë e ndarjes së çmimeve. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>