Siguri

Dita e fundit për Hakerët në Budapest

Sep 19 2010
0 Shpërndarje
Dita e fundit për Hakerët në Budapest

Hakerë interneti dhe kompani softuerike nga anembanë bota janë të pranishme në eventin më të madh të ueb sigurisë në Evropë. Rreth 1.000 pjesëmarrës janë të pranishëm në Hacktivity 2010, në konferencën dy ditore që po mbahet në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest., e cila po mbahet në një moment kur shqetësimet rreth piraterisë softuerike dhe cyber-krimeve tjera janë duke u rritur.

Kompanitë softuerike këtyre ditëve përdorin hakerë për të shikuar sesa të sigurta janë programet e tyre, kurse në anën tjetër Hakerët përfitojnë duke mësuar trika të rinj.

“Ka jo shumë sisteme në ditët e sotme që nuk mund të hakohen. Është çështje kohe dhe investimi” tha Felix F-X Linder, specialist i cyber-sigurisë, që ishte i pranishëm në konferencën në Budapest. “Për fat, si rrjedhojë e shumë viteve punë në siguri kompjuterike, po bëhet vështirë për të hakuar këto sisteme”.

Mitch Altman, një haker nga SHBA-ja, është prezent me një workshop rreth harduerit të kompjuterit, kurse legjenda Bruce Schneier, një ekspert i mirënjohur botëror i cyber-sigurisë, ka hapur konferencën me një ligjëratë kyçe.

Në zonën e argëtimit, konferenca ofron hapësirë për relaks, mundësi për të thyer sisteme tjera dhe marrjen nën kontroll të kompjuterëve të huaj përmes një llojllojshmërie të lojërave. Sipas një studimi të bërë së fundi nga kompania e cyber sigurisë Norton, 65 për qind e të të gjithë përdoruesve të kompjuterëve kanë qenë viktima të cyber-krimit. Goditja më e keqe ishte në Kinë, ku 83 për qind e përdoruesve kanë qenë të prekur nga cyber-krimi. Në brazil dhe Indi kjo shifër është rreth 76 për qind. Mund të thuhet se as përdoruesit kompjuterik në Kosovë dhe Shqipëri nuk janë të paprekur nga cyber-sulmet, megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare nga Norton apo ndonjë kompani tjetër e sigurisë.

Qëllimet e këqija

Keqpërdorimi i kompjuterit siç është krijimi i një virusi dhe hakimi, u kushton bizneseve anembanë botës mbi 1 trilion dollarë çdo vit, bënë të ditur një studim nga kompania e sigurisë kompjuterike McAfee. Projektimi bazohet në reagimet nga një hulumtim i bërë me më shumë se 800 CIO të kompanive të ndryshme anembanë botës.

Ata u përgjigjen se në vitin 2008 kanë humbur t ë dhëna në lerë prej 4.6 miliard dollarë dhe kanë shpenzuar rreth 600 milion dollarë në pastrimet pasuese pas thyerjeve, tha McAfee. Sipas tyre, recesioni ekonomik vetëm se po rrit rrezikun e sigurisë së ndërmarrjeve, ku 42 për qind e të anketuarëve thanë se punëtorët e larguar nga puna kanë qenë kërcënuesit më të mëdhenj ndaj informacioneve të ndjeshme në rrjet.

Më shumë se një çerek e të anketuarve thanë se evitojnë ruajtjen e të dhënave në Kinë, dhe 47 për qind e të anketuarve nga Kina thanë se besojnë se SHBA posedon kërcënimin më të madh të sigurisë ndaj të dhënave të tyre.

Hulumtimi gjithashtu sinjalizon se më shumë e më shumë informacione digjitale, si pronat intelektuale dhe të dhënat e ndjeshme të konsumatorëve, që po transferohen mes kompanive po humbin. Mesatarja që humb një kompani në vit është rreth 12 milion dollarë.

Viktimat injorojnë

Në përgjithësi njerëzit nuk i marrin shumë seriozisht cyber-kërcënimet dhe shumica e njerëzve që kanë qenë viktima madje as që e dijn këtë. Ata harrojnë këtë duke përdorur Wi-Fi pika të pambrojtura (ka mjaft të tilla në Prishtinë), dhe nuk e dinë se informatat e tyre po shpërndahen drejt botës.

Çdo pikë qasjeje në një sistem si Bluetooth apo softuer tjetër i komunikimit mund të përdoret nga cyber-kriminelët për të vjedhur informacione apo për të montuar softuer të dëmshëm. Një laptop mesatarisht mund të përmbajë të dhëna me blerë prej 1 milion dollarë, bënë të ditur një hulumtimi i bërë nga kompania e sigurisë Symantec.

I njëjti hulumtim tregon se vetëm 42 për qind e kompanive ruajnë në mënyrë automatike e-mailat e punëtorëve, me ç’rast shpesh ruhen të dhëna kritike, dhe 45 për qind e tyre ia lënë këtë gjë në duar të individëve.

Laptopët e humbur kanë qenë gjithashtu pjesë e shumë kompanive dhe shteteve. Humbja më e famshme ishte ajo e një laptopi në vitin 1990 kur një oficer i Forcave Ajrore Mbretërore Britanike i është vjedhur laptopi nga bagazhi i makinës së tij. Në të kishte një plan top sekret sesi të shtyhej tërheqja e trupave të Irakut nga Kuvajti, pas pushtimit të Gulfit në gusht të vitit 1990.

Në janar të vitit 2008, një oficer i Forcave Detare Mbretërore të Britanisë u dënua nga gjykata pasi kishte humbur një laptop që përmbante të dhëna personale të mbi 600.000 njerëzve, duke përfshirë edhe informata për personel ushtarak që ka shërbyer në fronte. Të dhënat e paenkriptuara përfshinin llogari bankare dhe detaje të pasaportave, numra të sigurimit nacional dhe adresa të shtëpive.

Madje edhe shqiptarët nuk mbetën të paprekur nga këto humbje, ku rasti më i ri ishte ai i humbjes së një laptopi të misionit diplomatik të Shqipërisë në Nju Jork, për të cilin raportuam gjatë kësaj jave, megjithëse informatat që përmbante ky laptop nuk u bënë të ditura.

Shumica e vjedhjes së laptopëve bëhen si vjedhje të zakonshme, pasi që vet hajdutët janë në ndjekje të harduerit e jo të informatave që i posedojnë. E gjëja më e thjeshtë që të ruhen këto sisteme nga qasja e paautorizuar është thjeshtë vendosja e një fjalëkalimi dhe enkriptimi i hard diskut.

Hacktivity

Këto gjëra që u diskutuan më lartë janë vetëm disa prej çështjeve shqetësuese që janë temë e diskutimit këtë vit në Hacktivity 2010. Dhe një numër i folësve janë ekspert të mirënjohur anembanë botës për sa i përket cyber-sigurisë.

Dita e diel shënon edhe përmbylljen e konferencës për të cilën organizatorët shprehen se ka qenë një sukses dhe këtë vit është përcjellë edhe me më shumë vëmendje nga media të ndryshme të botës. /pwcorld.al

Lajmet e fundit>