Lajmet

Dixhitalizimi i Sistemit Arsimor Parauniversitar: MAS shpall projektin pilot

Jul 1 2014
0 Shpërndarje
Dixhitalizimi i Sistemit Arsimor Parauniversitar: MAS shpall projektin pilot

big_screen_shot_2014-06-27_at_2.31.44_pmNë strategjinë e saj Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë ka parashikuar të pilotojë përdorimin e tabletëve në arsimin para-universitar, një projekt pilot i cili do të zbatohet në përputhje me zhvillimet më të fundit në kurrikulën kombëtare të miratuar dhe strategjinë afatgjatë të Qeverisë Shqiptare. Ministria e Arsimit dhe Sportit e konsideron përdorimin e tabletëve shumë të rëndësishme jo vetëm për mënjanimin e hendekut që ekziston në përdorimin e tabletëve në sistemin shkollor në përgjithësi, por edhe për mungesën e aksesit që shumë nxënës dhe arsimtarë kanë për pajisje të tilla në shtëpitë e tyre. Nëpërmjet këtij projekti MAS ka si qëllim të analizojë zgjidhjet e ofruara nga aktorë të ndryshëm, të qëndrueshëm në sektorin e arsimit, përpara marrjes së vendimit në nivel kombëtar.

Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, palët e interesuara duhet të paraqesin një projekt propozim brenda datës 15 gusht 2014 dhe MAS ruan të drejtën e pranimit të projekt-propozimeve edhe pas kësaj date. Palët e interesuara mbajnë përsipër të gjithë barrën e shpenzimeve të lidhura me pilotimin. Pajisjet dhe burimet e përdorura mund të merren nga pala e interesuar menjëherë pas përfundimit të pilotimit, përveç rasteve kur bihet dakord paraprakisht ndryshe.

MAS do të vendosë në dispozicion të projektit një klasë të 10-të në një shkollë të mesme, me afërsisht 32-35 nxënës dhe pajisjet dixhitale duhet të jenë në dispozicion të secilit prej pjesëmarrësve në klasë. Ministria do të vendosë në dispozicion edhe një klasë të ciklit fillor, preferohet klasa I-rë, klasa e IV-rt dhe/ose klasa e VI-të, me afërsisht 32-35 nxënës dhe një grup/klasë të ciklit para-shkollor, me afërsisht 22-25 fëmijë. Ministria do të bëjë vlerësimin e të gjitha projekteve, për t’i patur ato parasysh më pas në përgatitjen e strategjisë kombëtare afatgjata për dixhitalizimin e arsimit para-universitar në Shiqipëri.

Projekt propozimi duhet të përfshijë: Informacion mbi kompaninë/OJQ-në pjesëmarrëse në Pilotim, si edhe eksperienca të ngjashme; konceptimi dhe implementimi i projektit të propozuar; pajisjet që do të përdoren gjatë pilotimit dhe programet softuerike që do të përdoren. Kohëzgjatja e pilotimit është 15 shtator 2014 – 15 qershor 2015.

Eksperiencat e vendeve të tjera tregojnë se pajisjet elektronike, duke filluar nga kompjuterët, telefonat celularë, tabletët, etj., kanë rritur aftësitë teknologjike të individit në përgjithësi, por janë kthyer në elemente shumë të rëndësishme ndihmëse edhe në arsim. Gjithsesi, roli i tyre në fushën e arsimit nuk është konfirmuar ende dhe kjo duhet të verifikohet në nivel kombëtar. Korniza Kombëtare Kurrikulare nënvizon rëndësinë e kompetencës dixhitale si një element shumë të rëndësishëm edhe për hapjen e perspektivave të reja profesionale, duke i cilësuar mjaft të rëndësishme për bashkëpunimin jo vetëm në kohë por edhe hapësirë. Mësimdhënia me në qendër nxënësin, duke shtuar me sukses edhe pajisjet teknologjike, bën që palët të mos jenë konsumatorë të thjeshtë të teknologjisë, por forca aktive. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>