Analiza

Doktorët testojnë Google Glass me pacientët

Mar 15 2014
0 Shpërndarje
Doktorët testojnë Google Glass me pacientët

GoogleGlass_2014_35Ndërkohë që mendimi i përgjithshëm i publikut ende duket i pavendosur për Google Glass dhe për idenë e të pasurit një kompjuter në kokë gjatë gjithë kohës, në disa fusha të tjera mesa duket kjo gjë nuk ka një rëndësi të madhe.

E një ndër to është mjekësia. Duke përdorur Google Glass, doktorët nuk kanë pse të përdorin duart për të kontrolluar në dosjet e tyre apo në materiale shkencore, fizikisht, në kompjuter apo në tablet, ndërkohë që janë duke ekzaminuar apo mjekuar një pacient. Me vetëm një lëvizje të kokës ose me shkeljen e syrit ata mund të marrin të dhëna të menjëhershme për informacionin që u duhet për një pacient.

Një qendër mjekësore në Boston ka bërë testime me Google Glass me katër nga doktorët e urgjencës në spital për tre muajt e fundit, sipas një postimi në blog nga kjo qendër. Nga këto muaj testime, duket se përdorimi i pajisjeve të tilla si Google Glass ka ndihmuar shumë në qasjen më të shpejtë të informacionit tek doktorët.

Studimi u udhëhoq nga Dr. John Halamka i cili shkruan: “Ne besojmë në aftësinë për të aksesuar dhe konfirmuar informacionin e klinikës në mënyrë të shpejtë dhe është një nga cilësitë më të fuqishme të Google Glass. Besoj se teknologjia e pajisjeve që vishen (si Google Glass) do të zëvendësojë teknologjinë e bazuar në përdorimin e tabletave për shumë doktorë që kanë nevojë të kenë duar të lira dhe akses të menjëhershëm në informacion.”

Përdorimi i Glass u ka dhënë mundësi doktorëve të jenë të aftë të aksesojnë shumë më shpejt në bazën e të dhënave të emergjencës të qendrës shëndetësore e në të njëjtën kohë, duke u kujdesuar për të gjithë pacientët e tyre dhe që të dhënat e tyre janë të sigurta e nuk rrjedhin. Kjo do të thotë që ndërkohë që doktorët punonin me pacientët dhe flisnin me ta, ata gjithashtu mund të shihnin dosjen e tyre mjekësore apo të dhëna të tjera për pacientët.

Dr. Halamka shkruan në blog gjithashtu edhe për reagimin e pacientëve përsa i përket përdorimit të Google Glass: “Boston është një vend me shumë ndikim teknologjik dhe një numër pacientësh kanë bërë pyetje të detajuara për teknologjinë e përdorur.” Deri tani, studimi me Google Glass po shkon mirë dhe i mbështetur edhe nga Google, nuk pritet të përfundojë së shpejti. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>