Biznes

Del në shitje domaini kosovo.com, Qeveria nuk merr pjesë në ankand

Feb 26 2009
0 Shpërndarje
Del në shitje domaini kosovo.com, Qeveria nuk merr pjesë në ankand

alt

Domaini me emrin më të pëlqyer dhe dëshiruar për kosovarët kosovo.com është vënë në shitje nga kompania Sedo. Çdokush që ka dëshirë ta emërtojë ueb faqen e vet me emrin e shtetit të Kosovës mund të marrë pjesë në ankandin që është i hapur vetëm sot deri në ora 18:00. Vetëm se ekziston një problem! Domaini (emri i ueb faqes) është shumë i shtrenjtë, pasi oferta me çmimin më të madh ka arritur deri në 30 mijë euro.

Ndërsa një çmim të këtillë do të mund ta përballonte vetëm Qeveria e Kosovës dhe kompanitë e mëdha të vendit. Kur jemi te qeveritë, ekziston rreziku që Qeveria e Serbisë ta blejë domainin dhe ta shfrytëzojë atë për propagandë kundër Kosovës, ashtu siç kishte ndodhur edhe më parë.

Deri më tani janë bërë 13 oferta për këtë domain, ndërsa shumica e kompanive që kanë konkurruar janë nga Kosova, Serbia dhe Shqipëria. Ndërkohë ekpertët e industrisë internacionale e kanë vlerësuar këtë domain si të vlefshëm prej 300 deri 500 mijë dollarë amerikanë.

Po të hysh në Google dhe të shkruash fjalën Kosova, i tërë matariali që do të paraqitet është propaganda e keqe e serbëve për Kosovën. Aty paraqiten kishat e djegura dhe “vuajtjet e serbëve”, duke i dhënë kështu një hije të keqe Kosovës në mediat botërore.

Javë më parë, Qeveria e Kosovës shpalli një tender për përmirësimin e imazhit të Kosovës të internet dhe mediat botërore. Ndërsa tenderi i vlefshëm prej 5.7 milionë eurosh iu dha kompanisë izraelite Saatchi&Saatchi. Ndërkohë Qeveria e Kosovës nuk e ka parë të arsyeshme të konkurojë në këtë tender për ta blerë këtë domain, që kushton shumë më pak se investimet e bëra dhe mund të ketë më shumë rezultat.

Drejtori i Teknologjisë Informative, Isa Krasniqi thotë se nuk ka pasur asnjë kontakt prej Qeverisë për ta blerë këtë domain. “Dëshira është e madhe që ta kemi në pronësi tonën këtë domain dhe ta ndalim propagandën serbe kundër Kosovës, por një gjë të tillë nuk na e lejon buxheti, të cilin duhet parashikuar më herët” – deklaroi për PC World Albanian, Isa Krasniqi, drejtor i Departamentit të Teknologjisë Informative.

Por Krasniqi thotë se domaini kosovo.com nuk është mënyra e vetme për ta përmirësuar imazhin e Kosovës, por ekzistojnë edhe mënyra të tjera për përmirësimin e imazhit të Kosovës. “Edhe nëse Kosova do ta kishte në pronësi kosovo.com, Serbia do ta vazhdonte përsëri propagandën duke krijuar domaine të tjera si kosovo.net apo kosovo.info” – shprehet Krasniqi.

Një mënyrë e mirë për ta ndalur propagandën serbe kundër Kosovës është edhe krijimi i kryedomainit shtetëror të Kosovës.

“Ne kemi menduar ta japim kontributin tonë duke krijuar kryedomainin shtetëror të Kosovës. Është dhënë si ide që domaini të jetë .rks dhe pastaj të kontribuojmë duke krijuar në këtë domain ueb faqet e Qeverisë, institucioneve, bizneseve etj..” – përfundoi Isa Krasniqi për PC World Albanian.

Derisa në internet vazhdojnë të shfaqen imazhe të këqija për Kosovën dhe rezultati i  investimit të madh të Qeverisë akoma nuk po shihet; do të ishte mirë që Qeveria të angazhohet drejtpërdrejt në fushatë duke e blerë domainin kosovo.com.

Fundja blerja e këtij domaini nga kosovarët ndihmon drejtpërdrejt në përmirësimin e imazhit të Kosovës. Informimi i drejtë për Kosovën përmes këtij domaini, do të ishte një ndihmesë e madhe për Kosovën.

Lajmet e fundit>