Harduer

Duke filluar që sot, klientët do të kenë mundësi të testojnë Galaxy S5 në dyqanet Best Buy

Mar 21 2014
0 Shpërndarje
Duke filluar që sot, klientët do të kenë mundësi të testojnë Galaxy S5 në dyqanet Best Buy

Samsung-Hands-On-MWC-135Nëse keni pritur me padurim të keni në duart tuaja smartfonin Galaxy S5 dhe të provoni funksionalitetet e tij, atëherë ky duhet të jetë një lajm i lumtur për ju. Duke filluar që sot, Best Buy do të ofrojë këtë mundësi jo vetëm për GS5, por edhe për orët e reja të mençura Gear të cilat pritet të lançohen në muajin prill.

Klientët do të kenë mundësi të porosisin versionin e AT&T të Galaxy S5 të premten në BestBuy.com dhe në disa pika të tjera shitjeje, por Best Buy së bashku me disa dyqane specifike do të jenë të vetmet vende ku klientët do të munden të testojnë smartfonin para lançimit zyrtar më 11 prill. Rreth 100 dyqane në 30 tregje në SHBA do të disponojnë modele GS5.

Përsa i përket orëve të reja të mençura Gear 2, Gear 2 Neo dhe Gear Fit do të mund t’i gjeni në Best Buy dhe njëkohësisht do të jenë të disponueshme për t’u para-porositur. Samsung sapo ka njoftuar për çmimet e aksesorëve që vishen dhe ka bërë me dije se ato nuk do të jenë të jenë të lidhura vetëm me një kompani të caktuar telekomunikacioni, por gjithsesi duhet të kemi parasysh se do të funksionojnë vetëm me smartfonët Samsung.

Një përfaqësues i kompanisë është shprehur se kjo është hera e parë që Best Buy ka ofruar një smartfon para lançimit zyrtar të tij. Mesa është vënë re, marrëdhënia midis Samsung-ut dhe Best Buy është përmirësuar shumë së fundmi. Mjafton të përmendim këtu hapjen e “Samsung Experience Shop” brenda disa dyqaneve Best Buy (dyqan brenda dyqanit). Best Buy ka pasur gjithashtu edhe ekskluzivitetin e ofrimit të një versioni blu të Galaxy S4.

Samsung e ka prezantuar për herë të parë Galaxy S5 më datë 24 shkurt në Barcelonë. Ai njihet si smartfoni i parë që ka integruar e një monitorues të rrahjeve të zemrës. Ndër karakteristikat e tjera të tij mund të përmendim, rezistencën ndaj ujit dhe pluhurit, skanerin e shenjës së gishtit si dhe një përshpejtues shkarkimesh që rrit ndjeshëm shpejtësinë e të dhënave. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>