Lajmet

E enjtja teknike e radhës në PROTIK foli mbi Teknologjinë e Monitorimit

Mar 6 2015
0 Shpërndarje
E enjtja teknike e radhës në PROTIK foli mbi Teknologjinë e Monitorimit

Protik1Qendra Protik ka mbajtur ditën e djeshme, më 5 mars, seminarin me temë “Teknologjia e Monitorimit”. Ky seminar është mbajtur nga ora 15:00-17:00 si pjesë e aktiviteteve periodike të së enjtes teknike pranë Protik. U mblodhën profesionistë të interesuar në industrinë TIK, të rinj që donin të mësonin rreth teknologjive të reja dhe gjithashtu atyre ekzistuese. Aktiviteti zgjati rreth dy orë dhe ishte interaktiv.

Arsyeja pse Protik mendoi se teknologjia e monitorimit ishte një temë shumë interesante për kohën, ishte rritja me ritme shumë të shpejta e teknologjisë drejt serverave virtual. Në ditët e sotme çdo gjë po lëviz drejt shërbimeve cloud, prandaj kërkesat për mjetet e monitorimit janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Përdoruesit mund të lidhen me aplikacionet e dëshiruara me anë të rrjeteve, prandaj administratorët e rrjetit janë gjithmonë në kërkim të metodave të reja për menaxhimin e trafikut në rrjetet e serverave virtual. Meqënëse kemi të bëjmë me rritje të këtyre mjediseve të serverave virtual në rrjete me disa “domain”, mjetet e monitorimit të rrjetit hasin vështirësi të ndryshme.

Me rritjen e ndërgjegjësimit për mjete më të sigurta, është rritur dhe nevoja për mjetet e monitorimit. Siç u diskutua dhe në seminar, ato konsiderohen si mjetet që përmirësojnë performancën e aplikacioneve të ndryshme dhe reduktojnë kohën e ndërprerjes së shërbimeve kritike.

Seminari filloi rreth 5 minuta pas orarit të tij zyrtar 15:00, duke qenë se u bënë regjistrimet e të gjithë të ftuarve. Fjalën e mori i pari Administratori i qendrës në Protik, Z. Teodor Boshku, i cili sqaroi më tej platformën e monitorimit GroundWork. Pas tij, e mori fjalën Z. Petri Deti, drejtues teknik në TCN shpk. Ai foli për Sistemet e Monitorimit mbi Platformat Open-Source. Fjalimet e seminarit u mbyllën me fjalën e Znj. Megi Shyle, e cila është administratore sistemi në “Communication & Progress”. Ajo u ndal tek shpjegimi i Platformës Microsoft System Center Operations Manager. Më pas filloi një diskutim i hapur i cili zgjati për rreth një orë. Ky diskutim rezultoi tepër i frytshëm duke qenë se gjatë tij folësve ju adresuan pyetje të shumta nga pjesëmarrësit. Këta të fundit ju përgjigjën të gjitha pyetjeve të të interesuarve. Qendra Protik e mbylli seminarin duke i inkurajuar të ftuarit të vazhdonin të ishin pjesë e të enjteve teknike. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>