Lajmet

E enjtja teknike në Protik i dedikohet Teknologjisë së Virtualizimit

Dec 19 2014
0 Shpërndarje
E enjtja teknike në Protik i dedikohet Teknologjisë së Virtualizimit

IMG_3250Qendra Protik ditën e djeshme ka mbajtur takimin e radhës në kuadër të aktiviteteve periodike të së “Enjtes Teknike. Seminari i kësaj dite mbante titullin “Teknologjia e Virtualizimit” dhe mblodhi në këtë qendër profesionistë të interesuar në industrinë TIK, studentë, etj. Ata diskutuan lidhur me teknologjitë e reja dhe ato ekzistuese si dhe problematikat lidhur me to. Aktiviteti i djeshëm u organizua me mbështetjen e Raiffeisen Bank dhe TETRA Solutions.

Në vitet e fundit Teknologjia e Informacionit është duke ndryshuar me ritme të shpejta si dhe produktet e reja të cilat ofrojnë zgjidhje alternative për produktet ekzistuese po shtohen gjithnjë e më tepër. Shefat e IT-së përballen me sfida të ndryshme sepse nevojitet që të adaptojnë teknologjitë e reja, por duke ruajtur koston brenda buxhetit të planifikuar. Teknologjia e virtualizimit është ajo që mundëson arritjen e objektivave strategjike të vazhdueshmërisë së shërbimeve IT për bizneset e ndryshme, teknologji e cila ka lindur si nevojë për shfrytëzim më të mire të burimeve harduare të një serveri.

Tashmë çdo gjë po lëviz drejt cloud, prandaj virtualizimi paraqitet si një zgjidhje hibride, e cila mundëson integrimin e produkteve të reja me produktet ekzistuese. Në epokën e cloud computing, virtualizimi paraqitet si një nevojë e domosdoshme për t’u përhapur dhe përdorur gjerësisht nga kompanitë, që ofrojnë shërbime cloud, por edhe nga kompanitë dhe bizneset e rëndësishme të fushës së teknologjisë së informacionit.

Ekspertët e fushës prezantuan ekspertizën e tyre lidhur me Teknologjinë e Virtualizimit gjatë gjithë aktivitetit. Fillimisht ishte, Erion Serti, Shefi Operacional i IT në Raiffesisen Bank, i cili shpjegoi rëndësinë e virtualizimit në këtë bankë. Më pas vijoi Elton Agolli, shefi i infrastrukturës IT tek TETRA Solutions i cili foli lidhur me Cisco USC si inovacion për qendrat e serverave në epokën cloud. Dhe prezantimi i fundit ishte nga Genti Kanina, menaxher i produkteve Dell , Sinteza CO i cili paraqiti DELL PowerEdge VRTX me idenë se datacenter-i juaj mund të qëndrojë poshtë tavolinës tuaj.

Të gjithë prezantuesit i dhanë rëndësi të madhe virtualizimit duke e quajtur si vizion drejt të ardhmes. Eventi vijoi me një bashkëbisedim të hapur me studentët. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>