Analiza

E-government: Renditja e faqeve të Qeverisë së Kosovës

Mar 25 2009
0 Shpërndarje
E-government: Renditja e faqeve të Qeverisë së Kosovës

Ku është e-qeverisja në Kosovë? Kur ke të bësh me kaq shumë institucione duhet pak kohë për të kuptuar gjendjen dhe ca më tepër të renditur listën nga më i miri te më i dobëti. Me faqen e Kryeministrisë në krye për nga përmbajtja dhe funksioni dhe të fundit faqen e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, lista që po botojmë është një analizë e mbështetur në kërkesat minimale që zakonisht shihen në faqet qeveritare. Ajo që vihet re rëndom është mungesa e standardizimit dhe në shumicën e rasteve neglizhimi i botimeve në serbisht, por kjo nuk është gjithëpërfshirëse. Faqet qeveritare vuajnë për një formë kontakti të njëjtë për të gjithë dhe detyrimin e botimit të materialeve përkatëse. Renditja në artikull është bërë sipas rendit që adresat kanë në portalin qeveritar, kurse lista e pikëve sipas vlerësimit. Është për t’u theksuar se asnjë nga faqet nuk arriti të marrë maksimalen e pikëve sipas testit tonë PCWA Web Standard, që vlerëson përmbajtjen, gjuhën, dizajnin, informacionin, legjislacionin, linqet dhe kontaktet.
Duhet theksuar se vlerësimi është për materialet e botuara në faqet përkatëse deri në ditën kur PCWA shkoi për botim. 


1 – Kryeministria – 96 pikë
2 – Ministria e Punëve të Brendshme – 93 pikë
3 – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë – 89 pikë
4 – Ministria e Shërbimeve Publike – 85 pikë
5 – Ministria e Pushtetit Lokal – 84 pikë
6 – Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – 82 pikë
7 – Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – 82 pikë
8 – Kuvendi – 80 pikë
9 – Presidenca – 78 pikë
10 – Ministria e Arsimit – 77 pikë
11 – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – 75 pikë
12 – Ministria e Shëndetsisë – 71 pikë
13 – Ministria e Ekonomisë dhe Financave – 68 pikë
14 – Ministria e Transportit dhe Telekomunikacioneve – 67 pikë
15 – Ministria e Forcës së Sigurisë – 65 pikë
16 – Ministria e Drejtësisë – 58 pikë
17 – Ministria për Komunitete dhe Kthim – 51 pikë
18 – Ministria e Punëve të Jashtëme – 50 pikë
19 – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – 46 pikë
20 – Ministria e Energjisë dhe Minierave – 40 pikë

Presidenca
http://www.president-ksgov.net/
78 pikë
Faqja deformohet gjatë kalimit nga një faqe në tjetrën dhe koka e saj ka “dr” me shkronja të vogla kur duhet “Dr”. Menutë janë renditur mirë, por nuk kuptohet se përse është përdorur te to ylli i Davidit (gjashtëcepësh). Ka mangësi nga ana e ndërtimit gjuhësor, sepse nuk janë lokalizuar shumë terma, si Newsletter, Feedback, etj. Faqja paraqitet në të 3 gjuhët: shqip, serbisht dhe anglisht. Përkthimi i lajmeve në serbisht dhe anglisht nuk bëhet njëkohësisht me versionin shqip. Fotografitë janë të bollshme dhe me kualitet te arsyeshëm, por e verdha e përdorur në dizajn mendojmë se nuk i shkon një faqeje serioze si kjo e Presidentit të republikës. Ligjet e dekretuara nga Presidenti vetëm janë cekur, por nuk gjenden të publikuara dokumentet për t’u lexuar apo shkarkuar. Dekoratat që jep Presidenti nuk janë përshkruar me fotografi dhe nuk ka një listë me emrat apo lajme mbi ata që nderohen me këto dekorata. Linqet e nevojshme që kanë të bëjnë me Presidencën janë aty thuajse të gjitha. Ofrohet adresa dhe numrat e telefonit, por njëra nga adresat e-mail është Gmail falas; jo shumë serioze për institucionin.

Kuvendi
http://www.kuvendikosoves.org/
80 pikë
Materiali informativ është i bollshëm dhe ligjet paraqiten në të tria gjuhët: shqip, serbisht dhe anglisht. Dizajni është i mirë dhe funksional. Ka informacion të mjaftueshëm për punën e Kuvendit, ku në mënyrë të veçantë kalendari është shumë ndihmues. Të gjitha ligjet e aprovuara nga institucioni gjenden në faqe dhe mund të shkarkohen. Vend i mirë informimi për juristet e vendit dhe ata ndërkombëtarë. Megjithëse një faqe si kjo nuk e ka shumë të nevojshme të ketë linqe të shumtë, do ishte mirë po të kishte të paktën linkun e Portalit Qeveritar dhe Presidencës së Kosovës. Te kontaktet ofrohen vetëm numra telefoni dhe nuk ka një adresë postare për dërgimin e ndonjë letre. Nuk ka as ndonjë kontakt me e-mail apo formular kontakti online.

Kryeministria
http://www.kryeministri-ks.net/
96 pikë
Motori kërkues nganjëherë nuk i paraqet mirë rezultatet por në përgjithësi përmbajtja është e kënaqshme. Ka plot informacion dhe mund të merrni edhe dizajnin e stemës dhe flamurit të Republikës së Kosovës. Mund të shkarkohet Kushtetuta dhe Himni i Kosovës. Faqja është ndërtuar në tri gjuhë dhe të gjitha botimet paraqiten në të tri gjuhët. Përkthimi i lajmeve në serbisht dhe anglisht kryhet në të njëjtën kohë me botimin e lajmit në shqip. Megjithatë në pjesën e poshtme të faqes është vendosur në anglisht Copyright dhe Disclaimer. Dizajni është unik dhe origjinal. Një nga faqet e pakta që ofron video. Ka informacion të mjaftueshëm për Kryeministrin dhe kabinetin e tij. Axhenda ditore tregon lëvizjet ditore të Kryeministrit dhe aktivitetin e tij politik e publik. Të gjitha vendimet e qeverise janë publikuar në faqen dhe mund të shkarkohen si PDF. Ka plot linqe të nevojshme dhe te kontakti gjendet adresa, numri i telefonit dhe një formular kontakti online. Ofrohet mundësia për t’i shkruar personalisht kryeministrit.

Ministria e Arsimit
http://www.masht-gov.net/
77 pikë
Faqja ofron informacion të bollshëm, por motori i kërkimit nuk funksionon. Ka disa probleme kur hapen rubrika te caktuara në serbisht dhe anglisht. Faqja është e përkthyer edhe në serbisht dhe anglisht, megjithatë jo të gjitha informacionet përkthehen edhe në serbisht dhe anglisht në njëjtën kohë. Është një nga faqet me dizajnin më të mirë ndër faqet e Qeverisë së Kosovës. Ka mjaftueshëm informacion dhe lajme për kabinetin e ministrit. Vizitori mund të gjejë dhe statistika të ndryshme për arsimin në Kosovë, por nga ana tjetër nuk ka asnjë informacion për institucionet private të arsimit në vend. Për shkarkim mund të gjesh gjithë dokumentet e miratuara nga MASHT, njoftimet dhe konkurset. Linku për universitetin e Prishtinës nuk është në ballinë por diku brenda rubrikave dhe nuk ka asnjë link për universitetet private. Megjithatë ka disa linqe të dobishme, si BrainGain Kosova, TEMPUS, Kosova Carreers dhe Trajnimi.com. Te kontaktet gjen adresën e ministrisë, telefonin dhe të gjitha adresat e-mail të stafit të ministrisë, përveç asaj të ministrit.

Ministria e Drejtësisë
http://www.md-ks.org/
58 pikë
Përmbajtja nuk ka renditje të mirë të menyve dhe rubrikave dhe disa faqe janë bosh. Faqja është dizajnuar për të qenë e përkthyer në 3 gjuhët, por përkthimet në gjuhën serbe dhe angleze nuk janë të plota. Dizajni është shumë i thjeshtë dhe me përdorim jo të mirë të grafikëve; thuajse asgjë origjinale dhe tërheqëse. Informacioni ditor është i rralle dhe siç e thamë dhe më lart i papërkthyer në serbisht dhe anglisht. Nuk ka të publikuar gjithë legjislacionin në mbështetje të ministrisë, por edhe shumica e legjislacionit që gjendet nuk është në serbisht dhe anglisht. Janë publikuar të gjithë linqet e institucioneve qeveritare, por mungojnë linqet për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Odën e Avokatëve, te cilat do të duhet të ishin prezent. Te kontaktet është vendosur adresa, e-mail dhe telefoni. Aty-këtu nëpër faqe gjen edhe ndonjë e-mail të disa zyrtarëve të ministrisë.

Ministria e Energjisë dhe Minierave
http://www.ks-gov.net/mem
40 pikë
Kjo faqe nuk ka asgjë për t’u lavdëruar. Është tepër e thjeshtë dhe e punuar pa shije e përgjegjësi, thuajse një blog privat. Faqja është ndërtuar të jetë në dy gjuhë, por ka shumë pak material në serbisht. Dizajni i stemës së qeverisë, në pjesën e sipërme është vendosur keq. Ka shumë hapësira boshe. Rregulloret dhe ligjet janë vendosur të paorganizuara dhe nuk janë të koordinuara me përkthimet n gjuhët e tjera, por shumica e tyre mungon fare. Ka plot linqe, por janë vendosur në mënyrë shumë të koklavitur, duke e bëtë të vështirë përdorimin e tyre. Ofron adresën, telefonin dhe një e-mail në GMAIL, që nuk është aspak serioze për një ministri, por kontaktet plotësohen edhe me disa e-mail zyrtarë shtesë.

Ministria e Ekonomisë dhe Financave
http://www.mfe-ks.org/
68 pikë
Domejni mef-ks.org që shkon me emrin e ministrisë është blerë nga dikush tjetër dhe është në shitje. Në përgjithësi faqja është funksionale, me informacion dhe radhitje të kënaqëshme. Lajmet nuk janë të përkthyera në të gjitha gjuhët e faqes, por ka gabime të shumta gjuhësore. Dizajni është i mire, por nuk ka ndonjë gjë të veçantë. Nuk ka strukturim të lajmeve dhe komunikatave për shtyp. Rubrika e lajmeve nuk azhurnohet prej ca kohësh tashmë. Janë prezantuar dokumente zyrtare në lidhje me buxhetin, por nuk mund të gjenden shumë lehtë. Të publikuara gjen linqet e faqeve të institucioneve, por mungojnë linqet e institucioneve, si Oda Ekonomike, Bankat, etj. Nuk ofron kontakt me e-maili apo telefon, por ofrohet kontakti përmes një formulari kontakti online dhe adresës së ministrisë.

Ministria e Forcës së Sigurisë
http://www.ks-gov.net/mfsk
65 pikë
Është një faqe me informacion të dobishëm për konkurrentët e rinj për FSK. Ka shume gabime gjuhësore në gjuhën shqipe, por faqja është përkthyer në të tri gjuhët. Dizajni është i thjeshtë dhe nuk sjell asgjë inovative. Pasi kjo ministri është e re nuk ka shumë informacion, por nuk ka dhe shumë informacion për procesin e përzgjedhjes së pjesëtarëve të rinj të FSK-së. Ligjet që kanë të bëjnë me këtë ministri mund t’i gjesh të gjitha aty. Me sa pamë të gjitha linqet e nevojshme janë publikuar dukshëm në këtë faqe. Përveç një formulari kontakti online, mungojnë telefonat, adresa apo e-mail.
 
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
http://www.ks-gov.net/mmph
82 pikë
Faqe e organizuar mirë, përveç shiritit horizontal në të cilin gjendet vetëm linku Ballina dhe Kontaktet. Paraqitet mirë në të tria gjuhët, duke e bërë akoma më interesant informacionin me një fjalor me shprehje mjedisore. Dizajn i thjeshtë dhe i këndshëm, megjithëse nuk ka asgjë inovative. Ka lajme të bollshme nga ministria, buletine dhe revistën e ministrisë. Legjislacioni përkatës gjendet i gjithi i botuar mirë dhe ka të gjitha linqet për institucionet bashkëpunuese, megjithëse mungon ndonjë link interesant ndërkombëtar për ambientin. Te kontakti gjendet adresa, e-mali dhe numri i telefonit. Përhapur nëpër faqe, po të kërkosh mund të shihen edhe disa e-mail të nëpunësve të ministrisë.

Ministria e Pushtetit Lokal
http://www.ks-gov.net/mapl
84 pikë
Një faqe me informacion të mirë për ministrinë dhe komunat. Gjithçka është ndërtuar në tri gjuhë, por ka gabime nëpër nënfaqet kur hapen në serbisht apo anglisht. Ngjyra e përdorur për dizajnin është tejet pa gusto. Ka disa gabime në pjesën e sipërme, te ikonat Home dhe Email. Gjenden të publikuara ligjet, por nuk janë organizuar shumë mirë. Me interes janë linqet e të gjitha komunave të Kosovës. Te kontaktet gjendet adresa, telefoni dhe një e-mail për informim, por linku për E-mail të kontaktit është bosh.

Ministria e Punëve të Brendshme
http://www.mpb-ks.org/
93 pikë
Përmbajtja dhe rubrikat janë organizuar shumë mirë. Faqja i ka të gjitha modulet e përkthyera në të tri gjuhet dhe lajmet gjenden njësoj në të tria. Dizajni është shumë i mirë, i lehtë për t’u naviguar dhe me informacion të shumtë në çdo nënfaqe. Këtu mund të gjenden gjithë informacionet për procesin e aplikimit për pasaportë. Do të ishte mirë sikur të prezantoheshin edhe informacione për procesin e marrjes së shtetësisë dhe letërnjoftimit. Ligjet që kanë të bëjnë me këtë ministri janë të gjitha aty, së bashku me linqet që kanë të bëjnë me sigurinë në Kosovë dhe linqet për institucionet e Republikës së Kosovës. Te kontaktet gjendet adresa, e-mail dhe telefonat e shumë prej zyrtarëve të ministrisë.

Ministria e Punëve të Jashtme
http://www.ks-gov.net/mpj
50 pikë
Faqe shumë e thjeshtë, me butona të ndërtuar keq dhe pa shije. Faqet nuk janë të përkthyera të gjitha në anglisht dhe serbisht. Dizajni është i dobët. Ka publikime të lajmeve dhe informacioneve për ministrinë, por edhe lajmet për misionet diplomatike të Kosovës jashtë vendit janë shumë të pakta. Lexuesi mund të gjejë aty të gjithë ligjet që kanë të bëjnë me këtë ministri. Do të ishte mirë të publikoheshin edhe konventat të cilat ka aderuar  dhe Kosova. Janë vendosur vetëm 4 linqe të institucioneve të tjera qeveritare. Te kontaktet gjendet adresa, numrat e telefonit dhe një adresë zyrtare e-mail. Adresa është vendosur si grafikë dhe nuk mund të kopjohet, do të ishte mirë të shkruhej si tekst.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale
http://www.mpms-ks.org/
82 pikë
Kjo faqe është organizuar shumë mirë, me disa module në mes të faqes, si për shembull Departamenti Ligjor, etj. Faqja e paraqit informacionin në të tria gjuhët, por nga ana tjetër ka dhe gabime gjuhësore, si p.sh. është përdorur fjala “Home” në të gjitha gjuhet, në vend që të përdorej sipas gjuhës përkatëse. Dizajni është mesatar dhe nuk i është kushtuar shumë rëndësi detajeve të vogla. Pjesa e sipërme e faqes e ka shumë afër fundit të banerit logon e qeverisë. Rifreskimi është i mirë dhe mund të gjesh lajme rreth punës së ministrisë dhe statistika për tregun e punës, që janë shumë të dobishme për hulumtime të ndryshme. Ligjet që kanë të bëjnë me këtë ministri janë publikuar të gjitha. Përdoruesi mund të gjejë dhe linqet e institucioneve të qeverisë. Te kontaktet ka informacion të bollshëm, me adresa të ndryshme e-mail, adresën dhe numra telefoni për kontakt me zyrtarë të ndryshëm të ministrisë.

Ministria për Komunitete dhe Kthim
http://www.ks-gov.net/mkk
51 pikë
Faqe funksionale, duke pasur parasysh kapacitetin e kësaj ministrie. Materialet e botuara janë në të tria gjuhët, por lajmet nuk përkthehen në të njëjtën kohë që botohen dhe nuk ka koordinim të mirë mes lajmeve të publikuara në gjuhë të ndryshme. Dizajni është i mirë dhe i thjeshtë, por asgjë mbresëlënëse. Për t’u habitur nuk ka shumë informacion për ministrinë dhe procesin e kthimit të të larguarve. Nuk gjendet i botuar as ndonjë udhëzim për personat që dëshirojnë të kthehen apo statistika për numrin e të kthyerve. Rubrika e legjislacionit nuk ekziston fare. Ka disa dokumente zyrtare, si raporte apo konkurse, por jo ligje që kanë të bëjnë me këtë ministri. Shumë pak disa linqe dhe nuk ka asnjë adresë, numër telefoni apo e-mail. Kontakti i vetëm është një formular online dhe një listë me numra telefoni në një skedar Excel.

Ministria e Shëndetësisë
http://www.mshgov-ks.org/
71 pikë
Faqja është punuar vetëm në shqip edhe pse ekzistojnë linqet për faqen në serbisht dhe anglisht. Dizajni është i mire dhe unik. Informacioni është i bollshëm për ministrinë dhe aktivitetin e saj. Pozitive është lista e institucioneve private dhe farmacisteve të licencuara nga ministria e shëndetësisë. I gjithë legjislacioni që ka të bëjë me këtë ministri paraqitet në një kategorizim shumë të mirë. Ka plot linqe të vlefshëm që kanë të bëjnë me ketë ministri, por mungojnë linqet e institucioneve qeveritare. Te kontaktet ka disa numra kontakti dhe adresa e-mail e personit përgjegjës për informacionin, por mungon adresa postare e ministrisë.

Ministria e Shërbimeve Publike
http://www.ks-gov.net/mshp
85 pikë
Faqja është funksionale dhe paraqit mirë informacionin rreth punës së ministrisë. Por nga ana tjetër ka video Flash që për t’i parë duhet të instalohet një Flash Player. Botimet prezantohen ne tri gjuhe. Dizajni lë për të dëshiruar. Madhësia e faqes është e kufizuar dhe modulet janë shumë afër njëri-tjetrit; kjo e bën të duket shume e ngarkuar. Megjithatë kompenson sepse ka informacion të mjaftueshëm për punën e ministrisë. Legjislacioni përkatës gjendet i kategorizuar shumë mirë dhe mund të shkarkohet. Dokumentet si “Strategjia për qeverisjen elektronike” janë të mirëseardhura dhe një burim i mirë informacioni. Linqet me qeverinë e Kosovës janë paraqitur të gjitha dhe të dukshme. Mund të kishte edhe ndonjë link që ka të bëjë me punën e kësaj ministrie, si donatorët, ndonjë shoqatë teknologjike, etj. Ka të publikuar numrin e telefonit, adresën dhe një e-maili për konakt. Gjë e re: një formular unik për kontakt është vendosur në ballinë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
http://www.mkrs-ks.org/
75 pikë
Një faqe me informacion të mjaftueshëm për ministrinë. Përmbajtja në anglisht dhe serbisht ishte në përpunim në kohën e shkrimit të kësaj renditjeje. Dizajni është shumë i mirë dhe origjinal. Te ngjarjet, botimet dhe organizimi, nuk ka asgjë dhe kjo i zbret pikët anëve të mira. Nga ana tjetër ligjet që kanë të bëjnë me ministrinë janë publikuar komplet, por nuk gjenden në formatin PDF. Gjithashtu janë paraqitur të gjitha linqet e qeverisë. Te kontakti është vendosur një e-mail dhe një numër telefoni, por mungon adresa.

Ministria e Transportit dhe Telekomunikacioneve
http://www.mtpt.org/
67 pikë
Kjo faqe është tepër e thjeshtë dhe ka pak informacion për minstrinë. Megjithatë gjendet e përkthyer edhe në serbisht dhe anglisht, por ka gabime dhe në hapësirën për anglisht paraqiten disa artikuj në gjuhën shqipe. Dizajni është i thjeshtë dhe i ndryshëm nga faqet e tjera të qeverisë. Faqja navigohet lehtë, por nuk ka asgjë mbresëlënëse. Publikimet, lajme dhe informacionet për punën e ministrisë janë të bollshme, por mungojnë informacione statistikore për transportin në Kosovë. Te legjislacioni janë paraqitur ligjet dhe udhëzimet administrative që kanë të bëjnë me këtë ministri. Linqet janë të pakta dhe kufizohen vetëm me disa institucione, si Posta, Hekurudha, Aeroporti dhe nuk ka linqe për institucionet qeveritare. Te kontaktet gjenden emrat, numrat e telefonit dhe adresat e-mail. Mungon adresa dhe një formular kontakti online.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

http://www.mbpzhr-ks.org/
46 pikë
Faqe e organizuar keq, me një ndërfaqe brenda ballinës, që e bën të komplikuar navigimin. Megjithëse është ndërtuar në tri gjuhë, disa nga lajmet nuk janë përkthyer. Dizajni është i dobët dhe pa shije. Informacion për punën e ministrisë është deri diku mirë. Është paraqitur legjislacioni i ministrisë, por është i paorganizuar mirë. Nuk ka linqe të jashtme. Për kontakt janë vendosur emrat, telefonat dhe adresat e-mail të zyrtarëve të ministrisë, por mungon adresa e saktë postare. Linkut për kontakt është në një vend shumë të papërshtatshëm.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë
http://www.mti-ks.org/
89 pikë
Një faqe funksionale dhe e navigueshme shumë lehtë, e botuar në tri gjuhë, por jo të gjitha lajmet janë përkthyer në të tri gjuhët. Dizajni është unik, origjinal dhe mbresëlënës. Ka lajme të mjaftueshme, por linqet për agjencitë e ndryshme nuk janë të plotësuara me informacion. Legjislacioni është në dispozicion në të tri gjuhët. Ka linqe të jashtme të ndryshme, por jo të gjitha linqet e institucioneve qeveritare. Është publikuar adresa, numri i telefonit, adresa e-mail, formular online, madje edhe numri i telefonit celular i ministrit.

Lajmet e fundit>