Lajmet

Eagle Mobile bëhet operatori i parë që do të ofrojë shërbimet 4G në Shqipëri

Mar 10 2015
0 Shpërndarje
Eagle Mobile bëhet operatori i parë që do të ofrojë shërbimet 4G në Shqipëri

c88f00aa6b687dfacb2117e0e9a5f17cd548cdc72eae427f2ff55cca27c1b826Gjigandi i telekomunikacionit shqiptar, ALBTelecom, i cili përmes markës Eagle Mobile ofron shërbimet e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, raportohet se ka fituar autorizimin individual për ofrimin e shërbimeve 4G LTE në rang kombëtar. Fillimisht ky lajm është transmetuar nga BalkanWeb ku citonte se AKEP(Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) kishte akorduar liçensën 4G LTE tek ALBtelecom. Tenderi i ofrimit të një autorizimi indivual për frekuencat 4G në bandën 1800 Mhz ishte lajmëruar që në muajin Nëntor ndërsa afati i fundit i paraqitjes së ofertave ishte caktuar data 1 Mars ora 10. Ndërsa AKEP nuk kishte dhënë asnjë publikim formal lidhur me fituesit e këtij tenderi, ALBtelecom në faqen zyrtare kishte publikuar një njoftim rreth kompanisë me titullin “Gati për 4G-në”.

Ndër mediat e huaja ishte TelecomPaper e para që raportoi këtë lajm ndërsa ditën e sotme edhe Telegeography konfirmoi akordimin e 4G-së për Eagle Mobile. Kjo e bën operatorin Eagle Mobile të parin në vend të ofrojë një shërbim të tillë. Rrjeti 4G LTE teorikisht do u sigurojë përdoruesve shpejtësi në shkarkim deri në 150 Mbps ndërsa në ngarkim deri në 50 Mbps. Sigurisht që duhet të keni një telefon paisje me radio 4G LTE që të përfitoni benefitet e kësaj teknologjie.

AKEP kishte lajmëruar që në verën e vitit të shkuar për fillimin e procedurave të akordimit të liçensave 4G në vend. Aktualisht kjo krijon një situatë monopolistike ndërsa pozitën më të keqe e mban Plus Communication, operator i cili akoma nuk ka filluar të ofrojë as shërbimet 3G jo më ato 4G. Nuk ka akoma asnjë datë specifike se kur ALBtelecom do të filloj të ofrojë këto shërbime përmes operatorit të saj mobil, dhe deri atëherë ne do ju ofrojmë informacion më të fundit lidhur me gjendjen e tregut të telekomunikacionit në vend.

Aktualisht Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ofron për qytetarët e saj teknologjinë 4G LTE. Kosova ishte vendi i fundit i rajonit që filloi të ofronte shërbimet 4G përmes operatorit Vala dhe IPKO në disa zona të Prishtinës. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>