Lajmet

Edhe Samsung kritikon Windows 8

Mar 9 2013
0 Shpërndarje
Edhe Samsung kritikon Windows 8

Windows 8 duket se po ndikon shumë pak në rritjen e shitjeve të laptopëve dhe kjo është një ndër arsyet kryesore që i nxit prodhuesit e PC-ve të ngrenë zërin. Kritikat e fundit vijnë nga presidenti i sektorit të çipeve të kujtesës në Samsung, Jun Dong-Soo.

Gjatë një takimi me reporterët në Seul, as ai nuk i ka kursyer fjalët jo të mira për Windows 8. “Industria botërore e PC-ve po vazhdon të pësojë tkurrje, pavarësisht lançimit të Windows 8. Prandaj mendoj se sistemi Windows 8 nuk është aspak më i mirë se Vista.”

Deklarata e tij bazohet edhe në rezultatet e fundit të IDC dhe Gartner, sipas së cilave shitjet e PC-ve janë ulur gjatë sezonit të festave të fundvitit. Jun theksoi se edhe Microsoft Surface ka kërkesa të ulta, ndërkohë që kërkesat për Ultrabook-et e hollë nga Microsoft dhe Intel janë të papërfillshme për shkak se platforma e re Windows nuk është konkurruese.

Samsung-u nuk është kompania e parë që del haptazi me kritikat për Windows 8. Në janar, presidenti i Acer Jim Wong tha se “Windows 8 në vetvete është ende i pasuksesshëm,” duke vënë në pah se tregu nuk kishte pësuar rritje pas lançimit të sistemit të ri operativ.

HP nga ana tjetër, prodhuesi numër një i PC-ve në botë, po shqyrton mundësi të tjera përveç Windows-it. Kompania lançoi Chromebook-un e parë në shkurt dhe do të dërgojë për shitje tabletin e saj të parë me Android në prill të këtij viti.

Faktikisht, HP nuk e ka kritikuar publikisht Windows 8, megjithatë shefi i sektorit të harduerëve nuk i fshehu disa mospëlqime mbi Microsoft Surface RT dhe Windows RT, në nëntor të vitit të kaluar. (PCWorld Albanian)

samsung windows 8

Lajmet e fundit>