Harduer

Edhe ZTE planifikon të lançojë një orë inteligjente vitin e ardhshëm

Nov 18 2013
0 Shpërndarje
Edhe ZTE planifikon të lançojë një orë inteligjente vitin e ardhshëm

Garës së orëve inteligjente, të cilat po kthehen në një trend të ri, do t’i bashkohet edhe kompania kineze ZTE, e cila po planifikon të lançojë një orë të tillë, veçanerisht duke synuar tregjet në zhvillim.

Gjatë ditës së hënë, ZTE u shpreh se është në fazën e përgatitjes së orës dhe se periudha më e mundshme për lançimin e saj do të jetë tremujori i parë i vitit 2014. Megjithatë, kompania nuk dha detaje të mëtejshme.

ZTE njihet më tepër në Kinë për shkak të smartfonëve me çmim të ulët, por kjo nuk do të thotë se kompania nuk synon të hyjë fuqishëm edhe në tregje si ai amerikan, kur pretendon të lançojë telefonë me cilësi dhe specifika më të larta, për të krijuar një imazh të qendrueshëm.

Zhvillimi i orës nuk është lëvizje e papritur, duke qenë se ekzistojnë tashmë shumë prodhues të pajisjeve mobile të cilët ose kanë lançuar një orë të tillë ose do ta bëjnë shumë shpejt.

Për shembull, Samsung dhe Sony i kanë hedhur tashmë në treg orët e tyre, të cilat kushtojnë përkatësisht 299 $ dhe 199 $. Edhe Apple thuhet se do të sjellë shumë shpejt në treg një orë të tillë.

Sipas firmës së kërkimit të tregut, Gartner, ka mbi 30 orë inteligjente që po zhvillohen aktualisht nga kompani të ndryshme.

Megjithatë, analistët parashikojnë se duhet ende zhvillim dhe inovacion në mënyrë që këto orë të adaptohen gjerësisht nga konsumatorët. Arsye të tjera janë edhe çmimi i lartë i tyre, dizajni jo fort i bukur, jetëgjatësia jo e lartë e baterisë etj. (PCWorld Albanian)

ZTE

Lajmet e fundit>