Biznes

Edhe korporatat nën hetime për korrupsion të interesuara për PTK-në

Sep 17 2010
0 Shpërndarje
Edhe korporatat nën hetime për korrupsion të interesuara për PTK-në

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave, derisa të dëshmohet si fajtor nga ndonjë gjykatë çdo kush mund të konsiderohet i pafajshëm, edhe pse shpeshherë diskualifikohen nga gara nëpër tenderë publikë kompanitë që janë duke u hetuar për korrupsion. Sipas Arsim Brucajt, menaxher i Njësisë për Privatizim të PTK-së që vepron në kuadër të MEF-it, kompanitë që dëshirojnë të jenë pjesë e garës duhet të sjellin kualifikimin e tyre ligjor duke u bazuar në thirrjen për parakualifikim, e cila nuk lejon të jenë pjesë e garës kompanitë që janë të falimentuara apo të dënuara nga ndonjë gjykatë.

“Ata duhet ta bëjnë këtë nën përgjegjësi të plotë ligjore dhe mund të diskualifikohen nëse rezulton e kundërta”, ka thënë Brucaj. “Deutsche Telekom” tashmë ka shprehur interesin për ta blerë Postë-Telekomin e Kosovës. Sipas Brucajt, kompania  “Hrvatski Telekom” është ligjërisht entitet i ndarë, ndonëse “Deutche Telecom” është në pronësi të 51 % të aksioneve.

“Nëse ata janë aplikanti, duhet të dëshmojnë kualifikimin e tyre ligjor, përfshirë edhe kualifikimin ligjor të menaxhmentit të tyre “, ka deklaruar Brucaj. 

Prokuroria e Bonit në Gjermani është duke zhvilluar hetime  ndaj zyrtarëve të “Deutsche Telecom” për shkak të dyshimit për korrupsion në  Maqedoni e në Mal të Zi. Sipas një shkrese publike të korporatës gjermane të Telekomit, të cilën e citon Deutsche Welle, hetimet kanë nisur duke u bazuar në kërkesën e autoriteteve amerikane.

“Prokuroria e Bonit ka nisur një procedurë hetimi kundër tetë të prekurve – midis tyre edhe një punonjës të Telekomit – mbi bazën e një kërkese për mbështetje juridike të autoriteteve të SHBA-së, në lidhje me veprime të supozuara korruptuese në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Tek të prekurit bën pjesë edhe kryetari i Bordit drejtues të Telekomit, Rene Obermann”, thuhet në shkresën e “Deutsche Telecom”.

Korporata gjermane e telefonisë mori pjesë për një kohë të gjatë edhe në bursën e New Yorkut dhe qe e detyruar t’u përmbahej edhe direktivave të SHBA-së, veçanërisht atyre kundër korrupsionit në bizneset jashtë vendit, të cilat janë veçanërisht të ashpra. Kjo ka çuar deri në hapjen e hetimeve kundër koncernit gjerman nga autoriteti mbikëqyrës i bursës SEC dhe Ministria amerikane e Drejtësisë. Pjesë e këtyre hetimeve është edhe dega e korporatës gjermane në Hungari “Magyar Telecom” dhe bizneset e saj në Evropën Lindore. Përgjegjës për këto biznese ishte Oberman, i cili ishte shef i “T-Mobile International”. Ai dyshohet për pjesëmarrje personale në praktikat e dyshimta të biznesit të “MakTel” në Maqedoni, e cila është degë e “Deutche Telecom”.

“Oberman, sipas autoriteteve, aprovimin për pagimin e dividendëve ‘MakTelit’ e ka vënë në varësi nga fakti, që të mos kryhet hapja e tregut maqedonas të telekomunikacionit për konkurrentë të tjerë. Kjo nga prokuroria vihet në lidhje me pagesa të dyshuara ryshfeti ndaj të tretëve”, raportojnë mediet gjermane.

Sipas tyre Obermanni mendohet se e ka vënë nën presion shtetin maqedonas si bashkaksionar të shoqërisë së “Telekomit”.

“Kjo është bërë sipas parimit: fitimi paguhet vetëm nëse ruhet monopoli i ‘MakTelit’. Një rast i qartë korrupsioni, po të përforcohet ky dyshim”, raportojnë mediat.

Kreut të korporatës së Telekomit gjerman në fund të gushtit,  prokuroria ia kishte bastisur zyrën në Bon, si dhe banesën private për shkak të dyshimeve fillestare.  Por te rasti i Maqedonisë nuk përjashtohet mundësia që të mënjanohen dyshimet fillestare dhe rasti të mbyllet. Ndërsa tek rasti i  Telekomit malazias dyshimet kanë të bëjnë me presionet që iu kanë bërë aksionerëve të vegjël që aksionet e tyre t’i shesin më lirë se ishte negociuar në fillim.  Deutsche Welle raporton se në Mal të Zi ashtu si edhe në Maqedoni e në vende të tjera të Evropës Juglindore firma hungareze “Magyar Telekom”, që është degë e Korporatës gjermane  i ka blerë ish-ndërmarrjet shtetërore të Telekomit. Nebojsha Medojeviq, ish-këshilltar i sindikatës së Telekomit malazias, ka deklaruar për Deutsche Welle se Qeveria malaziase kishte kërkuar nga aksionerët e vegjël që aksionet e tyre t’i shisnin me një çmim më të ulët nga sa ishte negociuar. Madje Qeveria malaziase investitorët e vegjël, që ishin bashkëpronarë të Telekomit, i ka detyruar që t’i shesin aksionet e tyre.  Po ashtu sipas këtij mediumi një rast tjetër ka të bëjë me  një hetim të brendshëm në “Magyar Telekom” në fund të vitit 2009, i cili tregoi se nuk ka dëshmi të mjaftueshme, nëse shtatë milionë euro, që janë derdhur për katër firma konsulente, janë dhënë për “qëllime legjitime biznesi”, siç formulon “Magyar Telekom”.

“Ka dëshmi që këto kosto janë shkaktuar për qëllime të paqarta. Gjithashtu kontratat nuk janë evidencuar saktë as në evidencat e shoqërisë dhe as në ato të partnerëve, thuhet në raportin e “Magyar Telekom”.

“Magyar Telekom”, që atëherë quhej “Matav”, bleu Telekomin malazias në mars të vitit 2005 në vlerën prej 114 milionë eurosh. Ndërkaq Qeveria e Kosovës këtë vit ka shpërblyer me kontratë korporatën turke “Limak Holding”, edhe pse ajo ishte duke u hetuar për korrupsion nga Prokuroria turke. Pronarët e saj akuzoheshin për kryerje të veprave korruptuese në projektin 70 milionë eurosh “Botas”, që kishte të bënte me sistemin nëntokësor të gazit. Kësaj korporate turke i është dhënë me koncesion Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. /koha.net

Lajmet e fundit>