Lajmet

Edicioni i gjashtë i Software Freedom Kosova mbahet në muajin tetor

Sep 2 2014
0 Shpërndarje
Edicioni i gjashtë i Software Freedom Kosova mbahet në muajin tetor

flossk(1)Edhe 51 ditë na ndajnë deri në fillimin e edicionit të gjashtë të njërës nga konferencat më të mëdha të softuerit të lirë dhe të hapur në Gadishullin Ballkanik, Software Freedom Kosova. Kjo ngjarje është planifikuar të mbahet më 24, 25 dhe 26 tetor të këtij viti dhe përveç konferencës, pritet të mbahen edhe seanca praktike siç ishte bërë vitin e kaluar.

Shoqata e cila merret me promovim të softuerit të lirë dhe të hapur në Kosovë, FLOSSK, ka bërë thirrje për të pranuar ligjërues të mundshëm, ku afati i fundit për këtë është 15 shtatori, por kjo datë edhe mund të shtyhet në varësi të disa rrethanave. Afërsisht 15 programe, 20 sesione dhe 22 ligjërues pritet ta karakterizojnë edicionin e sivjetshëm të kësaj konference.

Rezervimi i vendeve për pjesëmarrës ende nuk ka filluar, por sipas një shënimi në uebfaqen e FLOSSK-ut, numri maksimal i pjesëmarrësve të cilët mund të bëjnë rezervime është 400, ku në të kaluarën ky numër në fakt është tejkaluar nga numri i madh i të interesuarve për këtë ngjarje. Ende nuk është bërë e ditur axhenda e kësaj ngjarje pasi ende na ndajnë më tepër se një muaj e gjysmë deri në nisjen e saj.

Kjo konferencë ka dalë të jetë një ngjarje mjaft e suksesshme ku në të kaluarën ka pasur pjesëmarrës si ligjërues, ashtu edhe ndjekës nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë, duke dërguar kështu një jehonë të fuqishme në botë për gatishmërinë e të rinjve nga Kosova për preferencat e tyre për softuerin e lirë dhe të hapur. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>