Harduer

Efekti “netbook”

Nov 12 2009
0 Shpërndarje
Efekti “netbook”

Me koston e tyre shumë të ulët, transportueshmërinë e shkëlqyer dhe aftësinë për të kryer pothuajse çdo funksion të lidhur me web-in e muzikën, netbook-ët po bëhen gjithmonë e më shumë zgjedhja standarde e përdoruesve standardë – ata që kompjuterin e përdorin si mjet komunikimi dhe argëtimi.
Vetëm në tremujorin e dytë të 2009, shitja e netbook-ëve është rritur me plot 37 për qind krahasuar me një tremujor më parë dhe 264 për qind ndaj tremujorit të dytë të vitit 2008, kjo sipas një studimi të kryer nga DisplaySearch. Numrat janë të bukur, por askush nuk duket të gëzohet në industri. Si intel, që mori iniciativën e ‘procesorit për netbook’ dhe sot furnizon pjesën dërrmuese të netbook-ëve me procesorin Atom N270, ashtu edhe prodhuesit e pajisjeve ankohen për marzhe tepër të ulëta, pothuajse inekzistente fitimi. Ndërkohë AMD, e cila vinte pak prapa, pati kohë të frenonte duke shmangur netbook-ët dhe të hidhej në një treg disi më fitimprurës – atë të laptopëve ultra të hollë, që luhatet midis 500 dhe 800$.
Kombinimi i karakteristikave fizike dhe parametrave me efektin e depresionit ekonomik luajtën një shaka vërtet pa kripë ndaj mbështetësve të prodhimit të netbook-ëve – ai që u projektua si një aksesor i përdorimit të rastësishëm po përqafohet gjithmonë më shumë nga masat të prira për kursim, si një zëvendësues i laptopit, madje shpesh edhe i desktopit të shtëpisë.
Netbook-ët nuk janë të gjithë njësoj
Në njëfarë mënyre, intel ka shënuar një autogol, duke prodhuar një procesor i cili do të fuqizonte një platformë aq ekonomike, sa nuk do të ishte më e leverdishme. Për këtë arsye, prej më se një viti, çmimi i netbook-ëve vetëm është rritur.
Modelet më ekonomike dhe popullore të Acer Aspire One, Asus Eee PC apo MSi Wind U100 ende kushtojnë afërsisht  280$ në SH.B.A dhe 250 euro në Evropë. I vetmi upgrade nga një vit më parë është hard disku, i cili është pothuajse i standardizuar në 160 GB dhe monitori, tashmë 10 inç në vend të 9. Specifikimet e mbetura të një netbook-u që kushton midis 250 dhe 300 euro ka të ngjarë të ndryshojnë shumë pak dhe përfshijnë 1GB RAM dhe intel Atom N270.
Mbi 300 euro mund të filloni të keni pak më shumë fuqi përpunuese; Celeron SU2300 (1.2 GHz) dhe Atom N280 (1.66GHz) janë opsione që fillojnë të preferohen, i pari më i fuqishëm dhe me konsum më të lartë, ndërsa i dyti një vizë e papërfillshme performance mbi N280. Gjithashtu Atom Z520 është një tjetër procesor i përdorur në netbook-ët më të shtrenjtë, por këtë radhë me qëllim për të rritur jetëgjatësinë e baterisë dhe jo performancën.
Në krye të renditjes së çmimeve të netbook-ëve do të gjeni patjetër Sony Vaio Seria P dhe touchpad-ët e Viliv, me çmime që variojnë nga 600 në 800 euro. Faktori përcaktues këtu është lehtësia, përmasat e vogla dhe ekstrat si touchscreen-i.
Po desktopi im i dashur?
Rrini të qetë, pasi me gjithë lëvizjen e madhe dhe interesin te netbook-ët, eksperienca multimediale e sotme po pasurohet me elementë që për këto pajisje janë të papërballueshëm. Një ndër të gjitha janë videot HD, absolutisht të paimagjinueshme të luhen në një netbook me grafikën e tij të integruar. Jo më kot intel lufton t’i kundërvihet çdo licencimi të platformave alternative që mbështesin procesorët e tyre për netbook.
Mbase desktopi, i madh dhe i zhurmshëm siç e njohim, dalëngadalë do zhduket nga shumë shtëpi dhe zyra. Duke iu përshtatur funksioneve të reja, shpesh krah për krah me HDTV-në, ai po merr shpesh formën e kutive të vogla si Zino HD i Dell apo Asus Eee PC box. Por nëse doni gjithmonë fuqinë maksimale, atëherë në shtëpi apo zyrë do ju duhet edhe për ca vite një kuti e madhe dhe e zhurmshme.

Lajmet e fundit>