Blog

Epoka e Internetit apo Gurit… në Shqipëri

Jan 28 2009
0 Shpërndarje
Epoka e Internetit apo Gurit… në Shqipëri

Në faqen kryesore të Vodafone, një nga dinozaurët e telefonisë celulare në Shqipëri, nuk ka asnjë gjurmë të shërbimit të internetit.

E vetmja formë për të parë nëse kompania ofron apo jo shërbimin data është të kërkosh me motorin e kërkimit të faqes, ku del se ky shërbim është në seksionin e biznesit. Të mos flasim për tarifat, sepse në krahasim me Vodafone nëpër Evropë jemi diku në fillimet e Epokës së Gurit. Nuk dua të flas kot sepse fjalët janë… kot. Të vjen keq kur shesh se si trajtohen shqiptarët nga kompanitë që kanë lidershipin e teknologjisë në Shqipëri, por nuk është kjo ajo që unë dua të theksoj.

Kapitalizmi është… kapitalizëm! E zgjodhëm vetë ndaj nuk duhet të ankohemi tani (sepse shyqyr që e kemi dhe këtë). Ajo për të cilën dua të ngre zërin është mungesa totale e shpirtit të konsumatorit te shqiptarët. Jemi i vetmi popull që ngrihemi për demonstrata për gjëra që nuk ja vlen dhe ulim kokën kur dikush na vë të tërheqim parmendën. Shikojeni mirë foton në këtë faqe. Është faqja e Vodafone Italia. Një ndër Vodafonët e shumtë në botë. Tre euro në javë për kartat me parapagim, për internet pa limit dhe 10 euro në muaj për abonentët me kontratë, po për internet pa limit. Mos flasim për shpejtësinë që Vodafone Italia ofron, deri në 7 mega në sekondë.

Tani më duket se po kërkoj qiqra në hell! Në Shqipëri jemi akoma nën limitin e Megës. Pra jemi akoma në Epokën e Hershme të Gurit.

Nëse dikush do më pyeste se si mund të zgjidhet kjo, do sugjeroja që për nja dy ditë t’i fiknim celularët e të shikonim se çdo bënin kompanitë tona rjepëse celulare. Por e di që po kërkoj shumë, sepse jemi popull që e meritojmë zgjedhën e parmendës, sepse nuk dimë të ankohemi kurrë për ato që duhet.
Nga ana tjetër do i bëja një thirrje kryeministrit tonë të nderuar, që e ka aq për zemër(me të drejtë) internetin: Zoti Berisha! Na mblidh dhe një herë në shesh, por këtë herë për internetin dhe të siguroj që të paktën votën time dhe të lexuesve të PC World do ta kesh me gjithë zemër!

Lajmet e fundit>