Lajmet

Eventi e-seminar, një mundësi për të rinjtë shqiptarë për tu njohur mbi të ardhmen dhe sfidat e IT-së

Aug 10 2014
0 Shpërndarje
Eventi e-seminar, një mundësi për të rinjtë shqiptarë për tu njohur mbi të ardhmen dhe sfidat e IT-së

WEK- Prishtine (3)Nën përkujdesjen dhe organizimin e Washington Education, programi i Kosovës dhe ai në Shqipëri, u mbajt e-seminari lidhur me të  ardhmen e Teknologjisë Informative ”The Future of Computing”.  Ky seminar ishte i dedikuar ekskluzivisht për të interesuarit shqiptarë të fushës së Teknologjisë së Informacionit, erdhi falë platformës së ofruar nga EDUonGO, të cilët bashkë me Real Visualz L.L.C me seli në Bellevue WA mundësuan në kohë reale të ndiqet ky event në Prishtinë dhe Tiranë.

Ky format seminari është i pari i këtij lloji, duke marrë për bazë mjetet e komunikimit interaktiv të aplikuara, por më shumë veçantia qëndron në nivelin e lartë profesional të ligjëruesve. Profesorët e përzgjedhur të rangut botëror, informuan pjesëmarrësit dhe studentët me të rejat e fundit sa i përket zhvillimeve në fushën e Teknologjisë së Informacionit. Interesimi ishte i madh tek të pranishmit për të mësuar më shumë nga profesorët respektivisht ekspertët nga SHBA-ja, gjë që u dëshmua edhe nga pyetjet e shumta.

WEK- Prishtine (6)Kris Harden (Chris Harden) nga EA Sports iu drejtua pjesëmarrësve rreth specifikave të caktuara që sot inxhinierët përballen rreth krijimit të lojërave kompjuterike me të cilat të rinjtë sot luajnë gjithandej. Profesori Harden u ndal në shpjegimin e hapave konkretë sa i përket krijimit dhe organizimit të një loje kompjuterike. Gjatë shpjegimit të tij në mënyrë konkrete, për referencë u mor  loja kompjuterike FIFA, produkt i realizuar nga EA Sports, në të cilin profesori Harden i ka kushtuar shume kohë. Ndarja e punëve në segmente të caktuara duke i mundësuar edhe kompanive të specializuara të një fushe të ngushtë, është pjesë e punës që në mënyrë të pashmangshme kërkohet për realizimin e projekteve të mëdha. Ky ishte edhe mesazhi për të dëshmuar që një aplikacion i lojërave kompjuterike, respektivisht aplikacioni FIFA është aq kompleks dhe i kushtueshëm për të realizuar sepse kërkon impenjim serioz të shumë eksperteve dhe kompanive profesionale.

WEK- Prishtine (7)Edhe profesori Xhon Heç (John Hatch) inxhinier i shquar në kompaninë Microsoft, një nga ideatorët dhe konstruktuesit e  çipave ligjëroi mbi procesin e krijimit te çipëve të pare me shfaqjen e ekraneve bardh e zi deri te më të sofistikuarit që hasim sot. Gjithashtu, Profesori Heç foli edhe rreth mënyrës së funksionimit të Microsoft-it dhe rëndësisë që kanë në veçanti qendrat e mbajtjes dhe proçesimit të të dhënave duke hedhur dritë mbi mënyrën se si ky informacion ruhet, vihet në përdorim nga përdoruesi, dhe vetëarkivohet. Pra, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen nga afër më këto detaje të panjohura deri më tani si dhe me parametrat e Super Computers që sot në botën e teknologjisë përfliten aq shumë.

Viktor Li (Victor Lee) ndërtues i procesorëve Intel, foli për trendin aktual të sistemeve operative dhe krijimin e procesorëve duke u ndalur te skemat e reja operative që të çojnë përfundimisht drejt sistemeve shumë të sofistikuara operative në një të ardhme jo të largët. Lee, ndau me pjesëmarrësit detajet lidhur me strukturën dhe programimin e një procesori i cili është edhe njëherazi truri i çdo pajisje kompjuterike.

Pjesmarrësit nga Prishtina dhe Tirana mbetën të entuziazmuar me këtë format të ri komunikimi dhe shprehen dëshirën për të patur më shumë forume të tilla interaktive për të cilën organizatorët u zotuan se ky e-seminar do të pasohet me shumë të tjerë. Seminari u facilitua nga Ridvan Aliu CEO nga EDUonGo i cili bëri të mundur edhe realizimin e këtij eventi. Washington Education in Kosovo mbështetet edhe nga shtëpia botuese ICTSmedia, duke kontribuar në pasqyrimin mediatik të eventeve të tilla, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>