Vëzhgim

Facebook Connect duket si i destinuar për sukses

Mar 2 2009
0 Shpërndarje
Facebook Connect duket si i destinuar për sukses

alt

Facebook ka lançuar sistemin për identifikim në web, Facebook Connect, në fillim të Dhjetorit të vitit të kaluar. Tiparet e shtuara kanë potencial për thjeshtimin dhe pasurimin e rrjetit social, në një mënyrë revolucionare. Ja se si duket dhe si punon.

Krahasimet

Facebook Connect ju lejon të përdorni ID-në e Facebook dhe fjalëkalimin për tu regjistruar në faqe të treta. Në formë duket si një lloj i Open ID, një tjetër protokoll për regjistrim, por implementimi i idesë në Facebook ka një shans më të mirë për t’u ngritur në shkallë të lartë.
Arsyeja? Sistemi është i lehtë për t’u përdorur, për t’u kuptuar dhe kontrolluar. Përdoruesit nuk do të duhet të kryejnë ndonjë detyrë tjetër për ta gjetur ose ta bëjnë të funksionojë. Sigurisht, OpenID ju lejon të vendosni emrin e një identifikimi në disa faqe të ndryshme, por pyesni naviguesit e zakonshëm të internetit, për t’ju treguar se çfarë është ajo dhe si duhet përdorur.
Ashtu si edhe shumica e rrjeteve shoqërore në tërë botën, sipas të dhënave të marra nga ComScore, Facebook ka një audiencë masive, që tashmë është e lidhur dhe e gatshme për t’u regjistruar. Me më shumë se 100 partnerë, pritet të arrijë majat e suksesit brenda disa javësh, gjë që ju siguron përdoruesve shumë vende se ku të shkojnë. Faqet si CBS, CNN dhe CitySearch janë në këtë rrjet. My.BarackObama.com thuhet se është duke implementuar këtë sistem gjithashtu. Një numër i madh uebfaqesh dhe blogësh janë duke ndjekur këtë sistem.

Lidhje dy-anëshe
Ç’mundet të bëjë për ju Facebook Connect? Të themi se jeni duke e vizituar CitySearch. Në vend që të krijoni një llogari në CitySearch, klikoni logon e Facebook në pjesën e sipërme të faqes. Nëse tashmë jeni futur në Facebook, faqja e merr ID-në tuaj dhe ju pyet për preferencat e privatësisë. Pas kësaj jeni brenda faqes.
Më pas, një version bazë i profilit në Facebook, shfaqet me emrin dhe fotografinë tuaj. Mund të shikoni gjithashtu edhe aktivitetin e shokëve.
Por fuqia e vërtetë e përdoruesve të uebit vjen nga ndërveprimi. Për shembull, mund të shkruani një koment për ndonjë restorant në CitySearch, dhe nëse zgjidhni mund ta dërgoni njëkohësisht në Murin e Facebook.
Përmbajtja shfaqet në Facebook si në çdo postim tjetër të Murit. Ky zgjerim i aktivitetit duket me një link, që mund t’i dërgojë njerëzit në vendin ku keni shkuar.

Blog, Digg dhe të tjera
Facebook Connect mund të lidhe dhe ndonjë postim nga ndonjë blog apo uebfaqe në profilin tuaj. E testova duke përdorur TechCrunch, që ka të rregulluar sistemin e Facebook Connect. Pas klikimit të logos së Facebook, isha brenda saj. Pastaj, munda të lë një koment me gjithçka nga identiteti im në Facebook, pra nuk ju duhet të vendosni adresën e-mail, fotografinë apo të merreni me ndonjë punë tjetër të lodhshme. Si edhe me skenarin e CitySearch, do të kisha zgjedhur që komenti të shfaqet në profilin e Facebook. Rregullimi do t’i ndihmojë përdoruesve të rrjeteve sociale jashtë një faqeje të vetme, në mënyrën më të thjeshtë të mundshme.
Një tjetër partner i dobishëm në të ardhmen do të ishte Digg. Pasi Digg të shtojë Facebook Connect, që pritet të ndodhë gjatë kohës kur jeni duke e lexuar këtë shkrim, do të jeni në gjendje të identifikoheni me një klikim dhe të votoni tregimet, duke përdorur Facebook ID. Discovery Channel, Hulu dhe uebsitet si San Francisco Chronicle, janë duke e implementuar gjithashtu këtë sistem.
Sistemi sjell disa çështje sigurie, por do keni fuqi t’i adresoni ato. Nëse nuk dëshironi të shpërndani të dhënat tuaja në ndonjë faqe të caktuar, mos u regjistroni në të. Ose, nëse dëshironi të përdorni llogarinë tuaj të Facebook në ndonjë faqe, por nuk keni informacione që lidhen me profilin tuaj, vetëm zgjidhni kutinë e duhur kur të identifikoheni. Është një kalim i dukshëm nga eksperimenti Beacon Facebook dhe një sferë ku Facebook Connect ka një përparësi të dukshme mbi Google Friend Connect, e cila është lançuar të njëjtën ditë si edhe opsioni i Facebook.
Deri më tani, Facebook thotë se në testet e hershme faqja ka raportuar një ngritje prej 50 përqind të angazhimit të përdoruesve. Për njerëzit që janë të interesuar në rrjete sociale dhe përdorin Facebook, të jemi të sinqertë, ky numër është shumë i madh. Facebook Connect do të ofrojë një shtresë të re të ndërveprimit në Web. Ky nuk është sistemi i parë i këtij lloji, por mund të jetë i pari që ka bërë kaq bujë.

 

Lajmet e fundit>