Lajmet

Facebook ju kërkon mendimin kundër të drejtës suaj për të votuar

Nov 28 2012
0 Shpërndarje
Facebook ju kërkon mendimin kundër të drejtës suaj për të votuar

Facebook dëshiron që ju të votoni për të anuluar të drejtën tuaj për të votuar për ndryshimet në rrjetin social.

PIKAT KRYESORE TË SHKRIMIT

* Facebook do të votojë për të drejtën e përdoruesve për të votuar

* Rrjeti social javën që shkoi propozoi anulimin e votimit të përdoruesve

* Referendumi ka mundësi të mbahet këtë javë ose javën që vjen

* 30% e 1 miliard përdoruesve të kësaj faqeje duhet të marrin pjesë që të quhet i vlefshëm votimi

(CNN) — Facebook do të mbajë një votim, ka shumë mundësi në fund të kësaj jave, në të cilin do t’u kërkojë përdoruesve të shfuqizojnë të drejtën e tyre për të votuar për ndryshimet në politikën e privatësisë së rrjetit social. Facebook ka njoftuar javën që shkoi se kërkonte komentet e përdoruesve për propozimin e tij për t’u hequr atyre të drejtën e votimit për këto lloj ndryshimesh. Facebook i duheshin 7000 komente që, bazuar në rregullat e veta, të mbajë një referendum për këtë çështje.

Kjo shifër është arritur që dje, kur më shumë se 12 komente janë postuar në faqen në gjuhën angleze, kështu që i hapet rruga për votimin e tretë në historinë e këtij rrjeti. Nëse Facebook e organizon votimin si në herët e shkuara, ka shumë mundësi që votimi të bëhet në fund të kësaj jave ose javën tjetër.

Periudhat e shkuara të votimit kanë zgjatur shtatë ditë dhe janë bërë në këtë link.

Facebook nuk ka preferuar ta shtjellojë më tej këtë çështje, por ka shpjeguar në një blog javën që shkoi arsyet e veta për t’u kërkuar përdoruesve që të shfuqizojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Ne e vlerësojmë shumë reagimin që marrim prej jush gjatë periudhës së komenteve”, shkruan Elliot Schrage, zëvendëspresident i komunikimeve, politikave publike dhe marketingut në Facebook. “Në të shkuarën, reagimi juaj i pavarur ka sjellë ndryshime në propozimet e bëra prej nesh. Sidoqoftë, ne kemi parë se mekanizmi i votës, i cili shkaktoi një numër specifik komentesh, në realitet rezultoi me një sistem që stimuloi sasinë e komenteve në dëm të cilësisë. Për këtë arsye, ne po propozojmë t’i japim fund përbërësit të votimit në proces në favor të një sistemi që sjell reagim dhe angazhim më kuptimplotë.”

Facebook thotë se tashmë se ka ecur shumë përpara në raport me sistemin e votimit dhe të komentimit që ekziston për momentin në faqe. (Një shkrues i BuzzFeed vëren se edhe Kina mund të përdorë të njëjtën gjë kur është fjala për demokracinë.) Me sistemin aktual, që një votim të përmbysë një propozim të Facebook për politikën e saj të privatësisë, duhet të votojnë më shumë se 30% përdoruesve të saj. Por duke qenë se tani janë më shumë se 1 miliard përdorues të këtij rrjeti, duhet të votojnë më shumë se 300 milionë njerëz. “Nëse votojnë 30% ose më shumë, rezultati do të jetë i vlefshëm”, ka deklaruar kompania në vitin 2009. Përndryshe, Facebook e konsideron rezultatin e votimit si “konsultativ”, që do të thotë se mund të heqë ose të mbajë atë që i pëlqen nga propozimi.

Bazuar në praktikën e kohëve të fundit, shanset që të arrihet pjesëmarrja e 30% të votuesve duken të zbehta. Facebook ka mbajtur dy votime në të shkuarën dhe në votimin e fundit, të mbajtur në muajin qershor, vetëm 342,632 njerëz kanë votuar, sipas kompanisë. Përdoruesit i janë përgjigjur në mënyra të ndryshme lajmit se Facebook u ka kërkuar të votojnë kundër të drejtës së tyre për të votuar (e dimë, është një lojë shkathtësie). Disa të tjerë kanë shprehur pakënaqësi.

“Tani që Zuckerberg dhe ekipi i tij i menaxhimit kanë grabitur publikun, po i tregojnë publikisht se nuk janë një ekip menaxhimi. Ata ishin dhe janë të uritur për para”, shkruan një përdorues në faqen Facebook Site Governance, duke iu referuar CEO-s së Facebook, Mark Zuckerberg.

Të tjerët ishin të habitur.

“Nuk ndihem mirë nga kjo gjë dhe nuk jam dakord me propozimin tuaj. Ndoshta mund të më dërgoni më shumë informacion”, shkruante një tjetër. Shumë përdorues të tjerë kanë kopjuar dhe vendosur në komentet e tyre një citim me tone zyrtare mbi pronësinë e të dhënave që nis me fjalët: “Në përgjigje të direktivave të reja të Facebook, deklaroj se të gjitha detajet e mia personale gëzojnë të drejtën e autorësisë…” Ideja që ky postim do të ketë ndonjë efekt është hedhur poshtë nga shumë të tjerë. Në një deklaratë, Facebook ka thënë për këtë çështje: “Sipas termave tona, përdoruesit i japin Facebook të drejtën për të përdorur, shpërndarë dhe ndarë me të tjerët gjërat që ju postoni, sipas termave dhe përcaktimeve të aplikueshme të privatësisë. Për shembull, nëse ngarkoni një foto dhe e ndani me miqtë tuaj, ne ia vëmë në dispozicion miqve tuaj. E kur ju e fshini atë, edhe ne e fshijmë.”

Por disa përdorues të tjerë të Facebook nuk janë shqetësuar aspak nga fakti që kompania dëshiron t’u heqë të drejtën e votimit. Një të drejtë që disa prej tyre as nuk e kishin kuptuar se e kishin. “Është për të qeshur sepse nuk mbaj mend që Facebook ka ndonjë sistem votimi”, shkruan një përdorues në komentet ndaj lajmit të publikuar nga CNN me titullin “The end of digital democracy? Facebook wants to take away your right to vote.” (Fundi i demokracisë dixhitale? Facebook kërkon të heqë të drejtën e votimit) “Ju e dini se Facebook është një aplikacion falas”, shkruan një tjetër. “Të ankohesh për atë që ata duan të bëjnë me produktin e tyre… është qesharake. Kjo nuk ka të bëjë aspak me demokracinë.”

A do të votoni ju dhe si do të votoni? Na shkruani në komentet tuaja. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>