Lajmet

Facebook lëshon aplikacionin e ri për dërgim të mesazheve me fotografi, Slingshot

Jun 18 2014
0 Shpërndarje
Facebook lëshon aplikacionin e ri për dërgim të mesazheve me fotografi, Slingshot

_75418662_facebookFacebook ka lëshuar një aplikacion për dërgim të porosive nëpërmjet fotografive një javë pasi e kishte lëshuar atë gabimisht në dyqanin e aplikacioneve për iOS të Apple. I njohur si Slingshot, veçoritë e aplikacionit përfshijnë shpërndarjen e fotografive dhe videove me shokë dhe dërgimin e “pamjeve reaguese”. Sikur Snapchat, të gjitha fotografitë fshihen sapo të dërgohen dhe përdoruesit mund të vizatojnë ose të shkruajnë sipër fotografive të tyre. Aplikacioni vjen me një mekanizëm zhbllokues, ku fotografitë e pranuara nga shokët duhet të shkyçen duke e dërguar një foto tek dërguesi origjinal.

Në faqen në Facebook të aplikacionit, zhvilluesit thonë: “Me Slingshot, ne dëshiruam të ndërtojmë diçka ku çdokush është krijues dhe askush nuk është një spektator. “Kur çdokush merr pjesë, ka më pak presion, më tepër kreativitet dhe madje edhe gjërat e vogla në jetë mund të kthehen në përvoja të shkëlqyera të shpërndara.” Aplikacioni është zhvilluar nga divizioni Creative Labs nga Facebook, që ka si përgjegjësi krijimin e produkteve të reja dhe inovative.

Përdoruesit e Slingshot-it nuk kanë nevojë që ta posedojnë një llogari në Facebook për t’u regjistruar për aplikacionin për dërgim të mesazheve me fotografi. Ata mund t’i qasen aplikacionit me numrat e tyre mobilë dhe të lidhen me shokët që i kanë në listën e kontakteve në telefon, ose mund të lidhen përgjatë listës së tyre të shokëve në Facebook.

Konkurrent i Snapchat-it?

Lëshimi i Slingshot-it vjen teksa Facebook përpiqet të luftojë kërcënimet nga agjentët e tjerë të rrjeteve sociale, që po ashtu përmbajnë aplikacione për dërgim të porosive dhe shpërndarje të fotografive. Përveç zhvillimit të aplikacioneve të veta, Facebook ka qenë edhe duke blerë shërbime e produkte ekzistuese. Në vitin 2012, Facebook bleu rrjetin për dërgim të fotografive, Instagram për 1 miliard dollarë. Një vit më vonë, u raportua që Snapchat refuzoi ofertën prej 3 miliardë dollarësh nga Facebook, duke zbuluar interesimin serioz dhe të qartë të kompanisë për shërbimet për dërgim të porosive me fotografi.

Më parë, Facebook bëri përpjekje dhe dështoi që ta formonte një aplikacion të suksesshëm për dërgim të porosive me fotografi të quajtur Poke, që ishte braktisur së fundi dhe ishte përshkruar si një “aplikacion imitues zhurmëmadh”. Sidoqoftë, për dallim nga Poke, Slingshot ka një numër të veçorive unike që nuk ndodhen në aplikacionet rivale si Snapchat, që do të mund ta bënin atë si një garues të fuqishëm.

Një aplikacion tjetër i ngjashëm dhe që mund të quhet si rival potencial është Taptalk, i cili është raportuar që pëlqehet shumë nga inxhinierët e kompanisë Facebook. Taptalk ofron një qasje të thjeshtë dhe minimale për dërgim të porosive me fotografi, duke iu mundësuar përdoruesve që të dërgojnë fotografi ose video personale duke e prekur ose duke e mbajtur të prekur fotografinë e profilit të shokut të tyre. Është vërejtur që edhe ikona e Slingshot-it është disi e ngjashme me atë të Taptalk-ut. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>